Thaçi i ashpër: Vendi të lëvizë përpara ose lidershipi t’i jap përgjigje situatës

Aktuale

Thaçi i ashpër: Vendi të lëvizë përpara ose lidershipi t’i jap përgjigje situatës

Më: 17 janar 2017 Në ora: 16:22
Hashim Thaçi

Në intervistën e tij për televizionin publik, presidenti Thaçi duke folur për proceset e brendshme në Kosovë të cilat kanë ngecur, ka thënë se vendi ose duhet të lëvizë përpara, ose lidershipi duhet t’i jap përgjigje situatës.

“Institucionet e Kosovës duhet t’i kryejnë obligimet e veta, fillimisht që muri në veri të rrënohet, jo të shkurtohet apo të zvogëlohet, por të mos ekzistojë fare. Në anën tjetër, duhet të lëvizim drejt Forcave të Armatosura të Kosovës dhe kjo në ditët e ardhshme. Një forcë kjo e re, e standardeve të NATO-s dhe multi-etnike me perspektivë të sigurt për partneritet për paqe dhe integrim në NATO”, ka thënë presidenti Thaçi.

Në anën tjetër, ai ka thënë se duhet të lëvizim përpara edhe për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, gjithmonë sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, pa asnjë mandat legjislativ, ekzekutiv apo të pushtetit të tretë.

“Sa më tepër që ne i integrojmë serbët në institucionet tona, aq më i dobët do të jetë synimi i Beogradit për aneksimin e pjesës veriore të territorit të Kosovës apo keqpërdorimin e serbëve të Kosovës. Ne duhet t’u ofrojmë mirëkuptim serbëve, duhet t’u ofrojmë respekt, duhet t’u ofrojmë siguri, duhet t’u ofrojmë mirëqenie dhe në asnjë rrethanë frikë apo kërcënim”, ka thënë Thaçi.

Gjithashtu, presidenti ka thënë se duhet të lëvizim drejt votimit në Parlament edhe të demarkacionit në mënyrë që të ndodh liberalizimi i vizave.

“Nëse këto gjëra nuk implementohen në periudhë shumë të shkurtër kohore, atëherë definitivisht liderët politikë të Kosovës duhet të ulen të diskutojnë dhe të marrin vendim sesi do të lëvizet në të ardhmen, por një gjë mund të konstatohet se nëse nuk implementohen këto prioritete, atëherë Kosova është ndryshe, skena politike është ndryshe, institucionet janë ndryshe dhe duhet të merren vendime të tjera”, ka thënë ai.

“Vendi o duhet të lëvizë përpara, o lidershipi duhet t’i jap përgjigje situatës”, shtoi ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat