Isa Mustafa: Jusufi, Bardhoshi, Kadriu dhe Smajli janë Heronj të Kosovës

Aktuale

Isa Mustafa: Jusufi, Bardhoshi, Kadriu dhe Smajli janë Heronj të Kosovës

Më: 17 janar 2017 Në ora: 19:08
Mustafa

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa në një shkrimi të publikuar në Facebook ka vlerësuar se Jusufi, Bardhoshi, Kadriu dhe Smajli janë Heronj të Kosovës, e idealet e tyre triumfuan mbi qëllimet kriminale të atyre që i vranë.

Postimi i plotë i kryeministrit Mustafa:

Të dashur qytetarë,

Më 17 janar 1982, Kosova humbi tre kolosë të lëvizjes për liri, Jusuf e Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën. Ata u vranë nga regjimi kriminal i Jugosllavisë, në përpjekje për ta shuar luftën epike të popullit të Kosovës për çlirim.

Fiks 20 vjet më pas, më 17 janar 2002, në Pejë u vra Komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, deputeti dhe veprimtari i shquar Smajl Hajdaraj. Edhe Smajli u ekzekutua pabesisht, nga ata që nuk ia donin të mirën vendit dhe që përmes Smajlit, menduan se do ta vrisnin lirinë dhe demokracinë në Kosovë.

Jusufi, Bardhoshi, Kadriu dhe Smajli janë Heronj të Kosovës, e idealet e tyre triumfuan mbi qëllimet kriminale të atyre që i vranë.

Kosova ka humbur shumë gra e burra të shkëlqyeshëm, patriotë e intelektualë, gjatë dekadave të luftës për liri. Por, synimet e tyre për Kosovën shtet sovran dhe të pavarur u jetësuan.

Populli i Kosovës do t’i nderojë përjetë figurat dhe vlerat e tij kulmore, që vunë bazat e shtetit tonë demokratik.

Lavdi Heronjve!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat