Piktorët përmes artit kërkojnë kthimin e Haradinajn në Kosovë

Aktuale

Piktorët përmes artit kërkojnë kthimin e Haradinajn në Kosovë

Më: 18 janar 2017 Në ora: 13:36
Ekspozita e piktorëve në përkrahje të ish-kryeministrit, tash lider i AAK-së Ramush Haradinaj.

(E plotësuar)- Përmes artit të pikturës, grafikës dhe fotografisë, rreth 40 artistë të Kosovës e kanë ngritur zërin e tyre, me qëllim të sensibilizimit të opinionit dhe solidarizimit përmes artit dhe politikës.

Kështu,  për ta kthyer ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj në Kosovë, ata kanë realizuar  ekspozitën e parë të këtij lloji me disa punime me motive të liderit të AAK-së.

Anëtari i Kryesisë së AAK-së, Jahja Lluka tha se për këtë ekspozitë janë mbledhur rreth 40 piktorë.

Sipas tij, këta piktorë  përmes artit të tyre e përkrahin fushatën për ta kthyer Haradinajn në Kosovë.

Lluka: Rreth 40 piktorë përmes artit të tyre e përkrahin Ramushin

“Ju falënderoj edhe në emër të ish-kryeministrit Haradinaj, për pjesëmarrjen e juaj në fushatën me Ramushin. Sensibilizimi i opinionit për të kthyer Ramushin në Kosovë, është i mirëpritur për të gjithë njerëzit në Kosovë. Ne këtë ekspozitë e kemi menduar në këtë fushatë dhe kjo është një arritje e mirë për arsye se shumica e piktorëve të Kosovës  janë prezentë. Rreth 40 piktorë, të cilët për një afat 4-5 ditor janë paraqitur vullnetarisht  për të përkrahur Ramushin”, tha Lluka.

Profesori i artit Ilir Muharremi, e cilësoi këtë ekspozitë si madhështore. 

Ai tha se artistët janë prezantuar përmes artit real, sureal, impreziv dhe ekspresiv. Siç tha ai, disa prej punimeve janë me motive për Ramush Haradinajn.

Muharremi: Solidarizim mes artit dhe politikës

“Kisha kënaqësinë të jem pjesë e kësaj ekspozite madhështore, ku kemi solidarizimin e artit me politikën. Mendoj se është një vepër shumë e qëlluar, ku ekspozita ka mbledhur artistë nga arti i pikturës, grafikës, fotografisë. Mendoj që artistët kanë vepruar me të drejtë. Mu kujtua një thënie e një politikani të madh i cili thotë se: arti dhe politika, janë baras me fuqi. Është e vërtet që arti nëse shkon paralele me politikën, me qëllime pozitive reflekton në superfuqi. Këtu kemi artistë ku prezantohen përmes artit real, surreal, ka impresiv, ka art ekspresiv e të tjera. Kemi disa punime të cilat janë me motive për Ramush Haradinaj dhe mendoj që i vetmi është arti i cili vepron në shenjë të protestës ose revoltës për qëllime pozitive. Sepse qëllimi artit është të futet edhe në shtet edhe në juridik edhe në ekonomik, madje edhe jep vizionin e shtetit. Është ekspozita e parë dhe e vetmja që u organizua me rastin e solidarizimit të artit dhe politikës. Shpresoj që jo veç në arte pamore por edhe në skenike, në letërsi të kontribuojmë  me aq sa mundem”, tha Muharremi.

Kurse, piktori nga Suhareka  Refki Gollopjani,  tha se e ndjen edhe veten e tij të burgosur, kur Ramushi nuk është i lirë.

Sipas tij, është absurditet që ish-kryeministri Haradinaj për shkaqe politike vazhdon të jetë i burgosur dhe me anë të pikturës së tij ai e shpreh solidaritetin për të.

Gollopjani: Artistët e ngrisin zërin e tyre përmes artit

E ndjej edhe  unë vetën time si krijues, i burgosur bashkë me të dhe në këtë rast unë dëshiroj  që të shpreh solidaritetin tim personal. Kolegët tonë që jemi këtu bashkë, që Ramush Haradinajn të lirohet sa më shpejt dhe ne të ndjejmë frymën e lirisë më shumë se çdo herë. Ne kemi pasur rast që Ramush Haradinajn, të organizojmë një koloni artistike para disa ditëve, dhe pikërisht aty ngritën zërin edhe artistë ndërkombëtare sepse ata kuptuan se Ramush Haradinajn, është heroi i lirisë së Kosovës. Pra, është absurd që nj njeri që është hero në vendin e tij, për shkaqe të ndryshme politike të jetë i burgosur. Ne si artistë nuk ndjehemi të lirë dhe dëshirojmë që të solidarizohemi, të ngrisim zërin përmes artit dhe kulturës, sidomos Francës”, tha Gollopjani.

Në këtë ekspozitë janë prezantuar rreth 40 piktorë të cilët për një afat 4-5 ditor janë paraqitur vullnetarisht  për të përkrahur fushatën për Ramushin.

Përmes artit, jepet mbështetje për Ramush Haradinajn

Me sloganin ‘Ramush Haradinaj është Kosova #ourman’, është hapur ekspozita e piktorëve në përkrahje të ish-kryeministrit, tash lider i AAK-së Ramush Haradinaj.

Kjo ekspozitë e cila po mbahet në ambientet e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani”,  sipas organizatorëve  ka për qëllim solidarizimin e artit me politikën.

Gjatë kësaj ekspozite, rreth 40 piktorë kanë paraqitur veprat e tyre.

Ramush Haradinaj, po vazhdon të qëndrojë në Francë, ku edhe u arrestua me një  fletarrest të lëshuar nga Serbia për krime të luftës.

Ai është liruar me kusht nga një gjykatë franceze, gjashtë ditë më parë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat