Treni, provokimi serb që testoi Kosovën!

Aktuale

Treni, provokimi serb që testoi Kosovën!

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 18 janar 2017 Në ora: 14:07
Rosu në piken kufitare në Mitrovicë

Një tren me ngjyra të flamurit serb, me mbishkrime “Kosova është Serbi” me pikënisje nga Beogradi e destinacion Mitrovicën, është ndaluar në qytetin e Rashkës në Serbi, në afërsi të kufirit me Kosovën.

Autoritetet e Kosovës kishin urdhëruar ndaljen e tij, ndërsa ky tren sipas opinionit përveç që ishte një provokim nga ana e e Serbisë, ky ishte edhe një test tregon se si janë në gjendje ta menaxhojnë situatën liderët atëherë kur shteti është në rrezik.

Por, ekzistojnë edhe zëra që thonë se sado që autoritetet e Kosovës, pohojnë se kanë urdhëruar ndalimin e trenit, është BE-ja ajo që ka intervenuar.

Një gjë të tillë e pohon edhe eksperti i sigurisë dhe njohësi i rrethanave politike, Jeton Kelmendi, i cili thotë se parandalimi i trenit është meritë e BE-së.

“Treni i ashtuquajturi treni rus  me të cilin qeveria e Serbisë tentoi me një far mënyre të futet në Kosovë, natyrisht në mënyrë krejtësisht ilegale ishte një far droje që të kujton situatën e Krimes. Kësi soji me disa provokime ndodhi edhe fillimi i konfliktit në Krime, sepse filloi njësoj me një arsye shumë të vogël nga ish presidenti Janukviç dhe pastaj përfundoi me ndarjen e atyre pjesëve, me shpalljen e pavarësisë etj etj. Mendoj që ka qenë një skenar, një lojë e Serbisë në bashkëpunim me Rusinë gjithmonë, kurse pala kosovare ishte tërësisht e papërgjegjshme. Duke iu referuar burimeve shumë të sigurta,  kishte një zë nga komuniteti ndërkombëtar, ishte nga një ambasadë që doli mbështetja dhe u tha atynve djemve që të ndalohet. Nga ana tjetër po kjo ambasadë, po shteti i kësaj ambasade i tha kryeministrit Vucic që të tërhiqet sepse po u futëm andej pasojat do të jenë të paparashikueshme” shprehet Kelmendi.

Ai thotë se Kosova politikisht ka dalë faqebardhë, por assesi liderët institucional.

Kelmendi pohon se është vetë presidenti, Hashim Thaçi ai që e ka ndihmuar Serbinë.

“Prandaj politikisht Kosova në një farë mënyrë doli faqebardhë, por kjo assesi liderët institucionale, Presidenti Thaçi me kopallat e tij dhe Kryeministri Mustafa me Facebook-un e tij tani më të famshëm. Pra, thjeshtë kjo paraqet një tentativë, sepse Serbia avancon me figura madje edhe duke shpikur këso lloj lojërash si muri si treni, për të gjitha për t’i futur në negociata për të vazhduar në çështje tjera, pra krijon problem apo konflikte artificiale për të avancuar në negociata, sepse me këto konfilkte e ka ndarë veriun, e ka ndarë  urën, e ndarja e urës është dashur të negociohet shumë. Kosova  e ka ndihmuar Serbinë dhe pikërisht Hashim Thaçi dhe Kosova e ndihmuar në integrim me BE dhe deri këtu ku ka arritë Serbia” pohon Kelmendi.

Sipas Kelmendit, Kosova është në gjendje të qëndrojë vetëm, por nuk mund të ec me liderët qeverisës.

“Kosova duhet të ketë mbështetje të faktorëve ndërkombëtar, SHBA, BE dhe faktorëve tjerë relevant ndërkombëtar, por ajo që them unë Kosova jo që nuk mund të qëndrojë por është  që nuk mund të ec sepse me këtë liderë institucional që nuk kanë ide dhe pranojnë t’i nënshtrohen në shkallë ekstreme. Prandaj vegla e autoriteteve të këtyre institucioneve edhe mund të jetë bërë nga një caq politikë për ta thyer atë pjesën ekstreme sidomos të Hashim Thaçit i cili është një lojtar i përhershëm në fati fatkeq të Kosovës” thekson Kelmedni.

Ai shton se duhet të ekzistojë një transport prej Beogradit, mirëpo jo me mbishkrime të atilla.

“Po të kishte një qeveri të shëndosh, po të kishte një president duhej që para se të nisej para se të ndodhte e gjitha kjo duhej që të kërkohej nga kompania apo gjegjësisht nga politika në  Beograd që të konkurrojë për një tren, sepse asgjë të keqe nuk ka, edhe atë jo vetëm në veri por të vijë edhe deri në Fushë Kosovë e deri Prishtinë e jo me asi shkrimesh, por të jetë një tren standard, kjo nuk ka asgjë të keqe që të krijon lëvizjesh qytetarësh. Po natyrisht duke i plotësuar standardet, duke kërkuar leje dhe duke u kontrolluar në pjesën e momentit kur hyn në Kosovë kontrollën duhet ta ketë Kosova në pjesën kur hyn në Serbi duhet ta ketë Serbia, pavarësisht pronës së ndonjë kompanie, prandaj këtë nuk e kemi dëgjuar nga asnjë nga këta liderë midiokër që ka Kosova në ditë tona, dhe kështu do të duhet paraprakisht që ne të fitojmë poena politik” shton Kelmendi.

Ndërsa politiologu, Mentor Tahiri thotë se moslejimi i trenit është një veprim krejtësisht i zakonshëm që kanë marrë liderët.

“Moslejimi nga ana e autoriteteve të Kosovës që të qarkullojë një tren me parulla provokative, çfarë ishte treni i nisur nga Beogradi dhe i cili për destimin kishte Mitrovicën, është një veprim krejtësisht i zakonshëm, i cili në radhë duhet kuptuar si veprim në drejtim të mbarëvajtjes të sigurisë publike, e ku përfshihen edhe masa që mbrojnë sovranitetin e vendit” pohon Tahiri.

Ai shton se pavarësisht gjithave nuk duhet harruar se veriu i Kosovës është efektisht jashtë sovranitetit të qeverisë.

“Pavarësisht euforisë e cila është krijuar me këtë veprim të përgjegjshëm të autoriteteve të vendit, nuk duhet harruar faktin se veriu i Kosovës është efektivisht jashtë sovranitetit të qeverisë. Andaj, druaj se është duke u krijuar një imazh i rrejshëm i gjoja kontrollit të plotë mbi veriun. Qeveria e Kosovës, jo vetëm kjo e tanishmja, por edhe ajo e mandateve të mëparshme, janë treguar joefikase për të jetësuar sovranitetin në katër komunat veriore. Çështja e trenit, duhet shkëputur nga ky kontekst, ngase folklorizmi i Beogradit bukvalisht i servoi Qeverisë së Kosovës, një penalti lehtë të realizueshme. Në këtë drejtim duhet kuptuar edhe përfshirja ndërkombëtare në këtë “incident”” pohon Tahiri.

Kurse, zëvendës ministri i Pushtetit dhe Administrimit lokal, Bajram Gecaj, thotë se treni është mbetur histori sepse ka marrë përgjigje.

“Treni tanimë është histori. Ka marrë përgjigje institucionale nga shteti i Kosovës” thotë Gecaj.

Por, histori nuk e quan edhe partia opozitare, Lëvizja Vetëvendosje.

Sipas zëvendësit për media në Lëvizjen Vetëvendosje, Shkodran Hoti, treni dhe muri në veri të Mitrovicës janë probleme të procesit negociator.

Hoti thotë se Kosova është e pafuqishme në raport me Serbinë.

“Na e kemi një qeveri e cila sidomos kohëve fundit e ka treguar se është komplet e paaftë dhe e pafuqishme në raport me Serbinë , fillimisht duke u shtazhuar nga Lista Srbska, e cila është degëzim i Beogradit në Kosovë, më tej duke u dorëzuar në negociata pasi që po shohim produkte të negociatave, që vetë Qeveria thotë se nuk janë marrë vesh, këtu dua të them  që muri në Veri të Mitrovicës dhe treni janë dy probleme që  të procesit negociator dhe faji është tek procesi negociator. Ne konsiderojmë se këta liderë politikë janë të paaftë që një proces kaq të rëndësishëm politik ta drejtojnë, prandaj edhe e shohim të udhës që ky proces negociator  të ndalet menjëherë dhe të hapet mundësi që të kemi dialog të mirëfilltë i cili nuk  përcillet me koncesione të dëmshme për Kosovën” shprehet Hoti.

Sipas Hotit, qeveria e përdor kartën e BE-së për t’i arsyetuar veprimet e dëmshme dhe shton se treni nuk është provokim as i pari as i fundit i Serbisë.

“Kjo qeveri është e e paaftë dhe e përdor kartën e BE-së për të t’i arsyetuar veprimet e saj që shkojnë në dëm të Kosovës. Treni nuk është provokim as i parë as i fundit, ne kemi parë e dëgjuar vazhdimisht deklarata që edhe nxisin luftë e kërcënime prej palës serbe dhe dëgjojmë thënien e famshme të tyre që gjendet edhe në kushtetutën e Republikës së Serbisë, që Kosova është Serbi, prandaj ne mendojmë që Serbia provokon vazhdimisht me politikanët që ka në pushtet. Ka një klasë politike që është pasardhëse e klasës së Millosheviqit, prandaj ky është provokimi kryesor për shtetin e Kosovës dhe Ballkanin në përgjithësi” pohon Hoti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat