Pjesëtarët e FSK-së vazhdojnë traditën e dhurimit të gjakut

Aktuale

Pjesëtarët e FSK-së vazhdojnë traditën e dhurimit të gjakut

Më: 18 janar 2017 Në ora: 16:56
Aksioni per dhurim te gjakut

Forcën e Sigurisë së Kosovës ka filluar aksionin humanitar për dhurimin e gjakut, i cili do të vazhdojë për dy javë në të gjitha kazermat e FSK-së.

Për Remzi Salihun, i cili shërben si kapiten në kompaninë e mjekësisë së FSK-së, është hera e 25-të që dhuron gjak, i cili thotë se është kënaqësi dhe ndjenjë e mirë kur dhuron gjak për të shpëtuar një jetë.

Salihu: Është hera e 25-të që dhuroj gjak

“Po, duke  e ditë rëndësinë se për çfarë i duhet gjaku njeriut, kur është  në nevojë,  është kënaqësi dhe ndjenjë e mirë që të dhurohet gjak, për të shpëtuar një jetë... Është hera e 25-të që dhuroj, që nga TMK-ja në vazhdimësi kam dhënë”, thotë Salihu.

Drejtori i Departamentit të Mjekësisë në FSK, Xhevdet Tahiraj, tha se tashmë FSK-ja e ka bërë traditë organizimin e aksionit të dhurimit vullnetar të gjakut me moton “Një pikë gjak për shpëtimin e një jete”. Po ashtu, ai tha se këto aksione organizohen dy herë brenda vitit.

Tahiraj: Dhurimi i gjakut është bërë traditë nga FSK-ja

“Tashmë FSK-ja e ka bërë traditë organizimin e aksionit të dhurimit vullnetarë të gjakut me moton “Një pikë gjak për shpëtimin e një jetë”. Këto aksione brenda FSK-së organizohen dy herë në vit dhe bëhen në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut. Ky aksion që e kemi organizuar tani në bashkëpunim  me Qendrën kombëtare për transfuzion të gjakut do të zgjatë 10 ditë dhe ekipet e transfuzionit të gjakut dhe ekipet mjekësore të shërbimeve mjekësore të FSK-së do të shkojnë në të gjitha kazermat e Forcës së Sigurisë së Kosovës me qëllim që ky aksion të jetë sa më i suksesshëm”, tha ai.

Tahiraj tha se duke qenë që është bërë traditë aksioni i dhurimit vullnetar të gjakut, përqindja e pjesëtarëve të cilët janë të gatshëm të dhurojnë gjak arrin mbi 40 përqind.

Gjaku që dhurojnë pjesëtarët e FSK-së është një ndihmë e madhe për kërkesat që ka Transfuzionin e Gjakut.

Fadil Mahmuti nga kjo qendër thotë se kërkesat për gjak janë të mëdha.

Mahmuti: Kërkesat për gjak janë shumë të mëdha

“Meqenëse, kërkesat për gjak janë jashtëzakonisht të mëdha, vetëm me i mbulua nevojat e Qendrës Klinike Universitare brenda 24 orëve, shpeshherë na nevojiten mbi 150 doza gjaku. Është një ndihmë shumë e madhe, sidomos tani kur është pushimi i nxënësve dhe është mungesë pak më e madhe e gjakut e kemi plotësuar me pjesëtarë të FSK-së, gjithashtu edhe në muajt e verës kur të gjithë shkojnë në pushim, neve në bashkëpunim me këta i plotësojmë të gjitha kërkesat dhe nuk ka ndodhë që dikush  të pësoj në mungesë të gjakut”, tha Mahmuti.

Sipas tij të gjithë pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhurojnë gjak përveq atyre që refuzohen nga Qendra e Transfuzionit.

Mahmuti: Gjak dhurojnë të gjithë

“Është fat dhe kënaqësi e veçantë të gjendesh ne mesin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë, këtu gjak dhurojnë gati të gjithë me përjashtim të atyre që neve i refuzojmë. Diku mbi 30 deri 40 përqind, të ushtarëve aktiv çka janë në këto njësi, dhurojnë gjak dhe është një punë shumë e mirë që u bë në bashkëpunim me shërbimet shëndetësore këtu që ekipi ynë dy herë brenda një viti, i përpunon këto njësitë e Forcës së Sigurisë”, tha ai.

Aksioni është organizuar nga Departamenti për Bashkëpunim Civilo-Ushtarak në bashkëpunim me Departamentin e Mjekësisë të MFSK-së, dhe po realizohet nga Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut dhe Kompania e Mjekësisë e FSK-së.

Aksioni humanitar për dhurimin vullnetar të gjakut, do të vazhdojë deri me 27 janar në të gjitha kazermat e FSK-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat