Lumezi kërkon nga vartësit e tij të rishikojnë lëndët e vrasjeve të përsonave publik

Aktuale

Lumezi kërkon nga vartësit e tij të rishikojnë lëndët e vrasjeve të përsonave publik

Më: 18 janar 2017 Në ora: 17:05
Aleksandër Lumezi

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka mbledhur sot kryeprokurorët e prokurorive Themelore, Prokurorisë Speciale dhe Prokurorisë së Apelit.

Në këtë takim kryeprokurori Lumezi kërkoi nga udhëheqësit e prokurorive, që të kenë bashkëpunim të mirëfilltë mes vete, me qëllim të unifikimit të praktikave nëpër prokurori dhe ngritjes së efikasitetit të punës së Prokurorit të Shtetit.

“Kryeprokurori Lumezi kërkoi nga të gjithë kryeprokurorët që t’i trajtojnë me prioritet lëndët e korrupsionit, duke bashkëpunuar ngushtë me institucionet tjera të zbatimit të ligjit”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Prokuroria e Shtetit. 

Kryeprokurori Lumezi kërkoi që të gjithë prokurorët t’i identifikojnë lëndët afër parashkrimit dhe të veprohet me urgjencë në ato raste për shkak të eliminimit të mundësisë së parashkrimit.

“Po ashtu gjatë këtij takimi kryeprokurori Lumezi kërkoi nga të gjithë kryeprokurorët e prokurorive të vendit, që çdo muaj t’i raportojnë për punën e tyre dhe në ato raporte të përfshihet numri i lëndëve në punë, numri i lëndëve të pranuara, të kryera dhe të mbetura dhe poashtu statistikat për punën e secilit prokuror.”, thuhet në njoftimin.

Gjatë këtij takimi kryeprokurori Lumezi sërish kërkoi nga të gjithë kryeprokurorët e prokurorive Themelore dhe Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, që të rishikojnë lëndët e vrasjeve të personave publik dhe të ndërmarrin veprime të nevojshme për zbardhjen e këtyre rasteve, edhe pse shumica nga këto raste janë trajtuar në kohën e kryerjes së veprave penale dhe nuk është arritur të zbulohet identiteti i kryesve të këtyre veprave penale. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat