Serbia bombardohet nga Nishani: Fqinjët po rikthejnë Milosheviçin

Aktuale

Serbia bombardohet nga Nishani: Fqinjët po rikthejnë Milosheviçin

Më: 19 janar 2017 Në ora: 10:00
Bujar Nishani

Kaq ishte. Paqja mes shqiptarëve dhe serbëve e investuar gjatë këtyre 17 viteve është prishur. Përhumbja në deklarata raciste dhe marramendja nga dehja etnike i ka zënë të dy palët. Ka mjaftuar arrestimi i kreut të AAK-së Ramush Haradinaj në Francë pas urdhër-arrestit të lëshuar nga Serbia në vitin 2004 si dhe ndalimi i trenit serb para se të hynte në Kosovë, që mbante parulla “Kosova është Serbi” që marrëdhëniet mes serbëve dhe shqiptarëve të vihen në pikëpyetje, duke na rikthyer 17 vite pas në luftën e Kosovës. Llavës së zjarrit që po përhapet prej disa ditësh nga të dyja anët, i ka fryrë edhe më shumë publikimi i një dokumenti që ka nxjerrë Ministra e Brendshme serbe, ku bënte thirrje për mobilizim ushtarak. Kur teli është holluar aq sa pritet të këputet nga momenti në moment, Kreu i Shtetit, Bujar Nishani në pritjen e parë për vitin 2017 me ambasadorët e akredituar në vend ka lëshuar deklaratën bombë.

Numri një i shtetit shqiptar ka thënë se Serbia nuk mund të mbajë në fuqi masat e diktatorit Slobodan Milosheviç. “Mbajtja në fuqi nga Serbia e masave të Millosheviçit për Kosovën nuk i shërben frymës së pajtimit. Bllokimi i Kosovës në nivel rajonal dhe kombëtar bie ndesh me angazhimet e marra nga ata. Ne kërkojmë ecje përpara dhe jo kthim pas, në kohët e errëta kur regjimi i Millosheviçit aplikonte spastrim etnik”, tha ai. Më tej, Presidenti i Shqipërisë u shpreh se për ne është me rëndësi ruajtja konform standardeve ndërkombëtare e statusit të të gjithë bashkëkombësve tanë në rajon. “Shqipëria kurrsesi nuk do mund të neglizhojë vëmendjen konform standardeve ndërkombëtare ndaj statusit të bashkëkombësve tanë në të gjitha vendet e rajonit. Respektimi i tyre është thelbësor, shkruan Shekulli.

Vitet e fundit rajoni i Ballkanit ka bërë progres duke lënë pas të shkuarën konfliktuale, vendet kanë qenë të orientuara drejt pajtimit e bashkëpunimit, edhe ky progres duhet mbrojtur dhe promovuar më tej. Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë i ndërmjetësuar nga BE dhe mbështetur nga SHBA, ishte elementi substancial për paqen dhe pajtimin në rajon, Shqipëria e ka mbështetur fuqimisht dhe pa rezerva”, tha Nishani, i cili shtoi se “ngjarjet që minojnë këto situata nuk i shërbejnë aspak stabilitetit të gjithë rajonit”.

Provokimi 

Pavarësisht reagimeve, Serbia nuk ka ndërmend të ndalet. Treni serb me mbishkrime nacionaliste që ndezi tensionet Prishtinë-Beograd do të përdoret tani e tutje për të transportuar udhëtarë në linjën hekurudhore Kralevë-Pozhegë. Ministrja e Ndërtimit, Komunikacionit dhe Infrastrukturës në qeverinë e Serbisë, Zorana Mihajloviç, tha të mërkurën se treni i “dekoruar me fotografitë e afreskeve nga manastiret serbe” nuk do të qarkullojë më në hekurudhën e Mitrovicës. Mihajloviç tha se vendimin që treni të vihet në funksion sërish, por në binarë tjerë, e ka marrë për shkak të arsyeve ekonomike. Ministrja tha se i ka sugjeruar udhëheqjes së hekurudhave në Serbi që treni të udhëtojë në sa më shumë qytete të Serbisë.

Një tren me ngjyrat e flamurit të Serbisë dhe me mbishkrimin “Kosova është Serbi”, në mbi 20 gjuhë të ndryshme, u nis të shtunën nga stacioni hekurudhor në Beograd drejt Mitrovicës së veriut. Treni u kthye pas një qëndrimi disa orësh në një qytet serb në kufi me Kosovën, pas përshkallëzimit të tensioneve. Tensione Një tjetër temë që pritet të përcillet me reagime të ashpra është dita kur qeveria e Kosovës do të shkojë për të rrëzuar murin e ngritur pranë urës kryesore mbi lumin Ibër. Vendimi për prishjen e murit është panegociueshëm, kanë raportuar mediat në Kosovë, edhe pse zyrtarisht nuk është dhënë ende ndonjë afat kohor se kur do të hiqet muri i ngritur në urën e Ibrit, në veri të Mitrovicës.

Gjermania pro Kosovës

Pas Ambasadës amerikane në Prishtinë, në mbrojtje të veprimit të Kosovës ka dalë dhe përfaqësia diplomatike gjermane. “Kosova, si shtet i pavarur ka të drejtë të vendosë se kush hyn në pikat kufitare të saj”, citohet të ketë thënë ambasadorja Angelika Viets. “Gjermania, - argumenton ajo, - e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur, e kjo edhe për veriun e vendit”. Viets komentoi edhe murin ndarës, të vendosur nga autoritetet lokale të Mitrovicës Veriore, me mbështetjen e Beogradit. “Më vjen keq që Qeverisë së Kosovës i duhet të merret vazhdimisht me probleme të cilat i imponohen”, ka theksuar diplomatja e lartë gjermane.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat