Interesat klanore pengojnë bashkimin e pozitës e opozitës

Aktuale

Interesat klanore pengojnë bashkimin e pozitës e opozitës

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 19 janar 2017 Në ora: 11:19
Foto arkiv, Takimi i organizuar më herën mes pozites e opozites

Ndalja e trenit serb me mesazhe provokuese dhe kundër reagimi i menjëhershëm i Institucioneve të Republikës së Kosovës, ka përafruar qëndrimet ndërmjet pozitës dhe opozitës në Kosovës.

Dërgimi i Njësisë Speciale, ROSU në pjesën veriore të Kosovës, për të ndaluar hyrjen e trenit serb brenda territorit të Kosovës, është përshëndetur edhe nga subjektet politike opozitare. Por, pavarësisht kësaj, opozita nuk ka hequr dorë nga qëndrimet e saj karshi çështjeve të tjera,siç janë Demarkacioni i kufirit me Malin e zi dhe Asociacioni i Komunave me shumicë serbe.

Lidhur me këtë, Avni Arfi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë për gazetën “Bota sot”, çdo temë që ka për interes avancimin e pozitës se Kosovës unifikon faktorin politik.

“Shembulli më i mirë është Trepça. Ju kujtohet kur ne Janar te 2015 shteti u ndikua nga Serbia dhe Qeveria tërhoqi ligjin opozita doli në rrugë dhe protestoi masovikisht. Por kur pas një viti qeveria solli një ligj të mirë nuk kishte hezitoi që ai të votohej. Në pyetjen e dytë mund të themi se jo transparenca qeveritare në dialog dhe lëshimet në krijimin e ASK-së si dhe demarkacioni e pamundësojnë unitetin”, ka thënë Arifi për,  “Bota sot”

Ylli Hoxha, zyrtar i Lëvizjes Vetëvendosje, nëpërmjet një postimi në profilin e tij në Facebook, ka uruar Institucionet e Republikës së Kosovës, për ndalimin e trenit.

“Të gjithë ju që e sollët vendimin për ndalimin e trenit, ju uroj, se mirë ia keni bërë. Ndryshe nuk ka bërë. Respekt i veçantë për djemtë dhe vajzat që shkuan në aksionin në Jarinje. Shpresoj se ky akt do të bëhet standard i sjelljes në të ardhmen në raport me provokimet e Serbisë”, ka thënë ai!

Ndërkaq, për analistin Mentor Tahiri, është e vështirë dhe gati e pamundur në rrethana në të cilat gjendet skema politike e Kosovës, që të pritet një unitet i faktorit politik qoftë edhe karshi Serbisë.

“Janë deri tani së paku dy çështje të vonshme që e konfirmuan këtë. Këtu kam fjalën për dështimin për të nxjerrë një rezolutë lidhur me rastin Haradinaj, si dhe rasti më i ri ai i deklaratave partiake lidhur me reagimin për ndaljen e trenit kontrovers nga Serbia. Përtej kësaj, ka deri tani një serë çështjesh që ndërlidheshin me politikën e jashtme dhe ku nuk kishte as edhe një tendencë të përafrimit të qëndrimeve”, është shprehur ai.

Sipas Tahirit, kjo pozitë dhe kjo opozitë, nuk kanë thjeshtë konteste politike ndërmjet tyre.

“Problemet e përçarjes së tyre janë gjithashtu edhe ndërpersonale, si janë thyerje interesash klanore ku ndërlidhet edhe aspekti financiar”, ka potencuar ai.

Nga ana tjetër, analisti Hidajet Ahmeti, ka thënë se, lufta e mirëfilltë konceptuale dhe konstruktive në mes forcave politike,  domosdo prodhon politika në shërbim dhe në dobi të qytetareve.

Duke u bazuar në retrospektive, Ahmeti ka thënë se lidershipi kosovar nuk ka dëshmuar seriozitet dhe sinqeritet karshi çështjeve  ku është dashur unifikim i një spektri më të gjerë politik.

“Lidershipi kosovar shquhet për mos konsistencë qëndrimesh   karshi problemeve kyçe që preokupohet Republika e Kosovës edhe atëherë kur vije në pyetje ushtrimi i sovranitetit. Kemi rastin e fundit, të ndërhyrjes së  RUSO-s  në Mitrovicën e veriut, kishte një luftë të pa precedent në mes rivalëve tradicionalë, PDK, LDK, për t’i marruar meritat e këtij rasti, edhe pse ishte vetëm një ushtrim i sovranitetit konform kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë”, ka thënë ai.

Mirëpo, sipas Ahmetit, veprimi i Qeverisë, karshi trenit, ishte veprim që është dashur të ndodhë shumë më herët, duke ushtruar sovranitetin brenda territorit të Republikës së Kosovës e jo duke mohuar elementin thelbësor të shtetit.

“Kjo të bën të kuptosh se Lidershipi kosovar më shumë shquhet për mosseriozitet dhe papjekuri politike. Politikat manipulative dhe veprimet populiste i përdorin vetëm  për konsum të brendshëm. Kam një dozë të theksuar në këtë drejtim, çdo veprim i deritanishëm  i lidershipi kosovar e bëhet për konsum të brendshëm, dhe për rritjen e fuqisë politike e jo për interesa qytetare, kombëtare e nacionale. Veprimet e tyre nuk shquhen për maturi, sinqeritet,por për interesa politike”, ka thënë Ahmeti.

Më tutje, analisti Hidajet Ahmeti, ka theksuar, retrospektiva jep pasqyrë të qartë se inatet politike në mes subjekteve politike,pozitë-opozitë, nuk mund të kalohen aq lehte.

“Qeveritë e pasluftës që kryesisht kanë qenë të udhëhequra nga dy partitë rivale,PDK dhe LDK e kanë dëmtuar Republikën e Kosovës në substancë. Degradimi i arsimit, shëndetësisë, drejtësisë, dështimet në politikën e jashtme, koncesionet në raport me Serbinë, privatizimi i egër neoliberal e kanë sjellur Kosovën në një qorrsokak dhe deri me tani nuk ka marr askush përgjegjësi. Përderisa, po nga këto subjekte kemi udhëheqje  me një mendësi të tillë politike dhe udhëhiqemi nga fytyra të njëjta që nga paslufta, pajtimi nuk mund të ndodh asnjëherë, edhe nëse vijnë në pytje interesat e përgjithshme qytetare”, ka përfunduar ai.

Për më tepër, Sadri Ferati, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë gjatë një interviste se opozita duhet ta ndryshoj retoriken e deritashme dhe t`i pranoj meritat e opozitës.

“Prisheni ramazanin nganjëherë”, ka thënë Ferati duke debatuar në Info Magazine me deputetin e Vetëvendosje, Rexhep Selimin.

“Jepni merita pozitës dhe atij që ka dhënë vendime të drejta”, ka shtuar Selimi, duke iu referuar vendimit të institucioneve të Kosovës për vendosjen e forcave speciale në kufi me Serbinë, për të intervenuar në daljen e trenit që po vinte nga Serbia. Duhet të thuhet se qeveria e luajti rrolin e vet, njëjtë sikur kur kritikohet”, tha Ferati.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat