Opozita kundështon ngritjen e pagave për deputetët

Aktuale

Opozita kundështon ngritjen e pagave për deputetët

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 19 janar 2017 Në ora: 11:50
Kuvendi i Kosovës

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, kanë deklaruar se ende nuk e kanë parë projektligjin për rritjen e pagave të tyre.  Projektligji i ri për pagat, pritet që deputetëve të Kuvendit të Kosovës, t`ua rris mëditjet për 20 % nga paga bazë, përkatësisht  297 euro, përveç pagës bazë prej 1488 euro, gjithnjë nëse ky projektligj kalon në Kuvend.  

Faton Topalli, Deputet i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë për gazetën “Bota sot”, se është mirë të ketë një rregullim të ri, i cili siguron barabarësi mes rrogave, transparencë dhe nuk lejon diskriminim. 

“Ligji për pagat ka për qëllim të rregulloj çështjen e rrogave të funksionarëve dhe nëpunësve publik ashtu si edhe të nëpunësve civil. Në këto kategori hyjnë edhe rrogat e deputetëve. Mendoj që është mirë të kemi një rregullim të ri i cili siguron barabarësi mes rrogave, transparencë dhe nuk lejon diskriminim. Nëse sot në Kosovë rroga minimale është 170 Euro, atëherë do të ishte shumë diskriminuese dhe jashtë çfarëdo parimi të barazisë që deputeti të ketë rrogën bazë 10 herë më të lartë”, është shprehur ai.  Ai ka bërë të ditur se deputetët, nuk e kanë marrë akoma ligjin, por është shprehur i  sigurtë se do të angazhohen për një barazi më të lartë sociale.  “Nëse deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë seriozisht çështjen e barazisë dhe luftën kundër diskriminimit, ky ligj do të ishte një rast i mirë për t’i ulur rrogat e deputetëve dhe të ministrave e jo për t’i rritur ato. Ne do të votojmë kundër cilitdo ligj i cili në emër të transparencës dhe barazisë synon të krijoj pabarazi dhe përfitime për kategoritë më të privligjuara të shoqërisë si ministrat, deputetët, etj”, ka përfunduar Topalli.

Për deputetin nga Nisma për Kosovën, Zafir Berisha, ngritja e pagave nuk po bëhet në përputhje me zhvillimin ekonomik të vendit. “Nuk është projektligj që duhet të trajtohet ashtu në Kuvend, sepse ngritja e pagave të zyrtarëve politik nuk është duke u bërë në përputhje me zhvillimin ekonomik e social, do të votoj kundër”, ka thënë Berisha.  Kurse, Time Kadriaj, deputete nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë për gazetën “Bota sot”, se nëse ky projektligj ka të bëjë vetëm me pagat e deputeteve, nuk do ta përkrahin. “Po flitet për këtë projektligj,  po në fakt në Kuvend nuk ka ardhur një projektligj i tillë. Për projektligje ka procedura parlamentare që duhet ti nënshtrohen deri në leximin e dytë. Paraprakisht duhet ta shohim projektligjin, se çka përmban e më tej të vendosim. Po, nëse ky projektligj ka të bëjë veç me pagat e deputetëve,  besoj se nuk do ta përkrahim. Sepse ju e dini se edhe në mandatin e kaluar, ne kemi refuzuar rritjen e pagave të deputetëve. Ka shumë kategori si ajo sociale dhe kategori  të tjera që kanë nevojë për rritje e qeveria duhet të mendojë në këtë drejtim”, ka theksuar Kadriaj.  Kundër këtij projektligji, është shprehur edhe Valdete Bajrami, deputete nga Nisma për Kosovën, e cila ka thënë se do të kërkojnë nga Qeveria tërheqjen e këtij projektligji. “Ne Grupi Parlamentar i Nismës për Kosovën, ende nuk e kemi parë një propozim të tillë pos që është publikuar nëpër portale. Por, në rast se Qeveria  vërtetë  e ka marrë një iniciativë të tillë, atëherë  kërkojmë që ajo menjëherë  ta  tërheq sa më parë dhe as mos të mendojë, që ta procedojë më tutje. Kjo iniciativë do të kundërshtohet  fuqishëm  nga deputetët e Nismës”, ka thënë ajo. Deputetja Bajrami ka potencuar, se rritja e pagave në gjendjen aktuale në të cilën ndodh shteti, do të ishte skandal.  “Në këtë gjendje të rëndë ekonomike e sociale vetëm nëse ju shkon mendja për rritje të pagave do të ishte skandal në vete  e lëre më të procedohet një iniciative e tillë”, ka potencuar ajo.

Burjani: Deputetët të kenë vetëm mëditje

Ndërkaq, sipas analistit Blerim Burjani, është koha e fundit që deputetët e Kuvendit të Kosovës, të mos kenë paga mujore por vetëm mëditje. “Konsideroj se është kohë e fundit që deputetët, të mos kenë paga mujore por vetëm mëditje, ku do të caktohet qartë mëditja për seanca parlamentare, duhet të mos ketë asnjë privilegj financiar për deputetë. Ata duhet të jenë të privilegjuar që i shërbejnë qytetarëve, por jo të marrin edhe paga edhe mëditje edhe pasaportat diplomatike e çka jo tjetër, sepse ky legjislacion aktual e krijon një klasë të re parazitesh që jetojnë nga buxheti i qytetarëve apo i taksapaguesve”, ka thënë Burjani për gazetën “Bota sot”.  Ai ka potencuar, se deputetëve duhet t`u bëhet e qartë që shërbimi ndaj qytetarëve nuk nënkupton pasurim personal financiarë.  “Pra kjo është  e pa pranueshme , duhet të qartësohet plotësisht, që shërbimi për qytetarët nuk nënkupton pasurim financiar për deputet por vetëm angazhim me një mëditje normale , e deputetet duhet të përkushtohen që vet të punojnë ne profesionet e tyre që kanë, kjo është ekonomi e tregut, pra politika nuk është privilegj pasuror, por privilegje që u shërben qytetarëve”, ka theksuar analisti Blerim Burjani për gazetën “Bota sot”. 

Ndryshe, deri më tani sipas projektligjit aktual, për një seancë parlamentare një deputet ka marr mëditje në vlerë prej 120 euro, derisa 80 euro tjera për një mbledhje të komisionit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat