Tension në kufirin Kosovë-Serbi: Gjuhen me armë Xhandarmëria serbe dhe Policia e Kosovës?!

Aktuale

Tension në kufirin Kosovë-Serbi: Gjuhen me armë Xhandarmëria serbe dhe Policia e Kosovës?!

Më: 19 janar 2017 Në ora: 16:21
Foto ilustrim, Rosu

(E plotësuar) - Më herët u raportua se në kufirin Kosovë-Serbi, në afërsi të fshatit Dobrosin ka pasur të shtëna armësh ndërmjet Xhandarmërisë Serbe dhe Policisë së Kosovës.

Lidhur me këtë, gazeta Bota sot ka kontaktuar policinë, e cila ka thënë se nuk ka asgjë të vërtetë.

"Nuk ka asgjë të vërtetë. Jemi duke verifikuar", ka thënë shkurt zëdhënësi i policisë, Baki Kelani për Bota sot.

***

Në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, gjegjësisht në afërsi të fshatit Dobrosin sot ka pasur një situatë tepër të tensionuar.

Blic nga burime të saja ka marrë vesh se ka pas të shtëna armësh ndërmjet Xhandarmërisë Serbe dhe Policisë së Kosovës.

Sipas burimeve, është Xhandarmëria serbe ajo e cila ka provokuar e para.

“Në një moment ka esklauar situate. Janë dëgjuar të shtëna me armë”, ka theksuar ky burim, duke mos dhënë më shumë detaje.

Sioas këtyre burimeve, ngjarja ka ndodhur në mëngjesin e hershëm, dikur pas orës 5 të mëngjesit.

Ndërkaq, nga Policia e Kosovës thonë se nuk kanë informata që ka pasur tensionim të situatës në atë pikë kufitare.

I kontaktuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani ka theksuar se nuk ka informacion për një gjë të tillë.

Ndryshe, marrëdhëniet ndërmjet Kosovës e Serbisë janë tensionuar tash e sa javë.

Fillimisht ishte ndërtimi i murit ilegal në afërsi të urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë, e pastaj arrestimi i liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj në Francë, bazuar në një fletarrest të vitit 2004, e së fundit tentimi për futjen e një treni pa licencë dhe me mesazhe provokuese, që kanë çuar në pikën kritike raportet ndërmjet dy vendeve.

Në anën tjetër, presidenti serb, Nikoliq ka provokuar duke thënë se ai është i gatshëm që së bashku me dy djemtë e tij të vij të luftoj në Kosovë, nëse kjo është e nevojshme.

Kurse, nga Brukseli zyrtar është kërkuar që të zbuten tensionet dhe të vazhdoj edhe më tutje dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat