Veriu i Mitrovicës rrezikon të ketë fatin e Krimesë?

Aktuale

Veriu i Mitrovicës rrezikon të ketë fatin e Krimesë?

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 19 janar 2017 Në ora: 16:23
Ilustrim

Presidenti Hashim Thaçi,  ditë më parë potencoi se treni kishte për qëllim “provokimin” e shtetasve të Kosovës, në mënyrë që të krijohet një pretekst që Serbia të intervenojë ushtarakisht dhe të aneksojë zonat veriore të Kosovës, vend ku jetojnë rreth 50 mijë serbë, që refuzojnë të pranojnë pavarësinë e vendit dhe dëshirojnë të qeverisen nga Beogradi.   Sipas tij, qëllimi i Serbisë është që ta përdorë këtë tren, që i është dhuruar nga Rusia, së pari që të ndihmojë në shkëputjen e pjesës veriore të Kosovës dhe më paa t’ia bashkëngjis atë Serbisë dhe është modeli i Krimesë.

Ky rrezik nga Serbia që veriu të ketë fatin e Krimese, vjen meqë Serbia po planifikon që të shkëpusë një pjesë të veriut të Kosovës siç ka bërë Rusia me rajonin Krimesë të Ukrainës më 2014.

Edhe vetë  Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë, se çështja e veriut të Kosovës dhe kontrollit të  vijës kufitare me  Serbinë është një sfidë e madhe për Kosovën.  Sipas tyre, qëllimi i Serbisë nuk është vetëm pjesa e veriut ( Mitrovica me Leposaviq) por aneksimi i Kosovës.

Qeveria do të respektojë ligjet dhe Kushtetutën

Faton Abdullahu këshilltar politik i kryeministrit ka thënë,se Qeveria e Kosovës, në çdo rast, sidomos atëherë, kur kemi të bëjmë me integritetin territorial dhe sigurinë e shtetit tonë dhe qytetarëve tanë, reagon duke respektuar ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës. 

Sipas tij, kështu reagoj kur ndali trenin provokues dhe kështu do të reagojë edhe sa i përket murrit, si dhe  ndaj mendësisë e cila determinon qasje dhe veprime destabilizuese,  të cilat nuk janë në të mirë të vendit.  “Sa i përket asaj, se kur reagohet në aspektin kohor dhe si reagohet në aspektin teknik dhe strategjik ndaj këtyre provokimeve, krejt kjo kalkulohet pragmatikisht duke balancuar funksionalisht respektimin e ligjit, në raport me shkallën e rrezikshmërisë si dhe në koordinim të vazhdueshëm me KFOR-in dhe faktorin ndërkombëtar konkretisht SHBA-në dhe BE-në.

Krimea është shtet - aneks që ka rezultuar nga një krim ndërkombëtar konkretisht me një referendum jo legjitim të bërë nën tytat e ushtarëve të Federatës Ruse, të cilën e kanë njohur vetëm nëntë shtete. Kosova pra edhe veriu i saj nuk mund të jetë viktimë e këtij krimi sepse ajo është determinuar nga palca e demokracisë dhe gjeopolitikës së qytetërimit perëndimor dhe nga vullneti i shumicës absolute të qytetarëve të saj”, ka thënë Abdullahu.

Ndërsa,  Blerim Burjani analist politik ka thënë, se  fati i  veriut mund të ketë fatin e krahinës, nëse Serbia vazhdon në këtë mënyrë të sillet madje po i sjell në rrezik të drejtat e serbëve si ato kushtetuese që i gëzojnë dhe të drejtat ‘sui generis’ që ia ofron Kosova, serbëve lokal. Ai ka thënë, se Serbia duhet të ndalë lojën me serbët lokal të Kosovës, kurse serbët lokal duhet të bashkëpunojnë plotësisht me institucionet e Kosovës. “ Pra duhet kujdes më i madh,  që serbët lokal të bëjnë politikën e tyre në Kosovë. Pra, fati i serbëve lokal mund të jetë si ai i Krahinës së Kroacisë , po qe se vazhdojnë të përkrahin një politik të tillë që udhëheq Beogradi”, ka thënë analisti politik Burjani.

Veriu, sfidë për Kosovën

Njohësi i çështjeve politike Ismet Haziri, ka thënë çështja e veriut të Kosovës dhe kontrolli i  vijës kufitare me  Serbinë është një sfidë e madhe për Kosovën.  Ai ka vlerësuar, se ky problem duhet trajtuar dhe analizuar me shumë përgjegjësi.“  Ç’është e vërteta ne si Kosovë nuk kemi pasur kapacitete të mjaftueshme për veprim dhe as autorizimin ndërkombëtar që të vihet kontrolli dhe të shtrihet i tërë autoriteti administrativ në veri.

Pra, duke u nisur nga kjo gjendje e krijuar, që për 17 vite nuk është administruar një pjesë e territorit. Dhe duke pasur parasysh  veçoritë e gjeografisë dhe lëshimet e paarsyeshme, që janë bërë në planin e Atisaarit për diskriminim pozitiv të pakicës serbe me të drejtë që me votën  e tyre ta bllokojnë ndryshimet kushtetuese në dëm të funksionimit normal të shtetit dhe më shumë kompromise të paarsyeshme në procesin e bisedimeve në Bruksel si dhe spastrimi dhe përndjekja e shqiptareve pas vitit 1999 nga shtëpitë dhe pronat e veta në prezencën e Bashkësisë ndërkombëtare dhe të KFOR-it Francez dhe të gjitha lojërat  dhe skenarët tjera  që janë bërë”, ka thënë Haziri.

Sipas të njëjtit, në këtë kontekst përfshihet edhe muri, dhe me këtë na bëjnë të kuptojmë se gjithsesi se laboratorët e politikës serbe në bashkërendim me mentorin e tyre rus kanë ardhur në përfundim për të bërë një test të Kosovës dhe forcave tjera të NATO-s dhe të SHBA –së,  se si do të jetë reagimi. 

“Treni ka qenë dhe mbetet njëri nga skenarët e parë për pretendues i forcave serbe. Unë në këtë rast dua ta shprehi mendimin tim se Serbia gjithnjë na kthjellë dhe na jep leksione. Me këtë rast dua të theksoj,  se Millosheviçi na bëri më unik dhe më të vetëdijshëm, për të kuptuar se liria nuk fitohet duarkryq. Kurse Vuçiqi si duket na dha leksion se liria  nuk mbrohet duke vjedhur shtetin, por duke investuar në kapacitete  mbrojtëse luftarake dhe duke përgatitur  trupa të nevojshme ne raport me potencialin e rreziqeve që mund të paraqitet nga një shtet armik sikur që e kemi Serbinë me një vijë kufitare gati 200 km. Me këtë dua të potencoj, se armiku nuk duhet lejuar që të zbatojë strategjinë e vet. Hapi i parë në lidhje me këtë, është që Kosova duhet të gjejë rrugë të  tjera për shndërrimin e FSK-së në kapacitete të plota të një ushtrie për të qenë e gatshme që të parandalojë një invadim eventual të ushtrisë serbe”, ka thënë Haziri.  Sipas të njëjtit, sa i përket aneksimit dhe tërheqjes të një paraleli me Krimenë dhe veriun e Kosovës, gjasat  e realizimit janë të pakta. “Në këtë rast ushtria serbe e ka më se të ditur, se në Kosovë nuk do të përballet me fëmijë, gra e pleq si në të kaluarën, por me formacione të njësive speciale mirë të përgatitura dhe të pajisura me armatim modern. Gjithashtu mund të përballen edhe me një ushtri shqiptare të pajisur, të  trajnuar dhe me përvoja në shumë operacione luftarake të kategorive ndërkombëtare”, ka thënë Haziri.

Tentativat e agresorit të parealizueshme

Eksperti i sigurisë Avni Islami ka pohuar, se që nga largimi forcave ushtarakë e policore serbe nga Kosova , asnjëherë nuk u ndalën së vepruari pasardhësit e Millosheviçit,  të cilët kurrë nuk u hoqën nga agjenda se si prapë të kthehet në Kosovë.  Ai ka vlerësuar, se qëllimi i Serbisë nuk është vetëm pjesa e veriut ( Mitrovica me Leposaviq) por aneksimi i Kosovës. 

“Me rezolutën e OKB-së 1244, kufijtë territorial i mbron KFOR-i, ose ma konkretisht NATO. Prandaj, nëse Serbia bën agresion ndaj Kosovës, ajo në fakt do ta sulmonte Aleancën Veri Atlantike, dhe nuk besoj se do të hyjnë në këto aventura, se do ta fuste vendin e vet prap në luftë’, ka thënë eksperti i sigurisë Islami. Ndërsa, eksperti  i sigurisë Hajrullah Tërnava ka thënë, se në situatën e krijuar me fitoren e Donald Trump në Amerikë shumë prej serbeve iu kanë gëzua kësaj fitore, dhe politika serbe është duke llogaritur se tani ka ardhur koha që të ndermerret diçka për ndarjen e pjesës veriore të Mitrovicës me 4 komunat  e tjera, duke shkaktuar konflikt edhe të armatosur si në rastin e Krimesë, ku intervenoj Rusia dhe ia shkëputi këtë pjesë Ukrainës. 

“Putini para disa ditëve u deklarua, se Kosova ka të drejtë në pavaërsimin e saj sikur edhe Krimeja. Në situatë të tillë të panikut,  tani serbët janë në gjendje të ndërmarrin edhe të shkaktojnë konflikte luftarake për ta ndarë pjesën veriore të Mitrovicës. Edhe diplomacia ndërkombëtare e ka kryer rolin e saj,  prandaj nuk erdhi deri te më e keqja. Për këtë arsye Parlamenti i Kosovës duhet të gjejë mënyrën kushtetuese për formimin e ushtrisë së saj.  KFOR - NATO janë garantues të kufijve të Kosovës dhe në koordinim me ta gjithnjë policia e Kosovës duhen të angazhohet dhe t’i evitojnë konfliktet e mundeshme me Serbinë. Bota perëndimore i ka të njohura gjithnjë incidentet luftarake që i ka shkaktuar Serbia jo vetëm në vitet e 90, por edhe më herët në luftën e parë botërore” ka thënë eksperti i sigurisë Ternava, duke iu referuar ngjarjeve të fundit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat