Rrahja ‘gjoks’ e Thaçit, tentim për mbulimin e dështimeve të tij!

Aktuale

Rrahja ‘gjoks’ e Thaçit, tentim për mbulimin e dështimeve të tij!

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 20 janar 2017 Në ora: 12:07
Hashim Thaçi

Ndalja e trenit serbo-rus nga institucionet e Kosovës, të nisur nga Beogradi të shtunën, i cili kishte për destinacion Mitrovicën, po cilësohet si një ndër provokimet më të rënda nga Serbia, që nga lufta e vitit 1999.

Institucionet e Kosovës nuk lejuan hyrjen e këtij treni në territorin e Kosovës dhe ai u detyrua të kthehej mbrapsht, duke shkaktuar zemërim të madh tek zyrtarët serbë.

Por, në Kosovë gjatë kësaj kohe është zhvilluar një luftë verbale mediale, ndërmjet zyrtarëve shtetërorë se kush e dha urdhrin për ndaljen e trenit, shkruan “Bota sot”.

Në një deklaratë për media, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ka thënë se urdhrin për ndaljen e trenit me përmbajtje të mbishkrimeve provokuese e ka dhënë ai. Sipas tij, sikur ai të mos e bënte një gjë të tillë, treni do të hynte në Mitrovicë.

Mirëpo, ministri i Brendshëm i Kosovës Skender Hyseni e ka përgënjeshtruar presidentin Thaçi, duke konfirmuar se vendimi për ndalimin e trenit nga Serbia në Kosovë është marrë nga Policia e Kosovës.

“Deklarata e presidentit të vendit, Hashim Thaçi nuk qëndron. Vendimi është marrë në momentin që është nisur treni. As Presidenti, as kryeministri, as ministri i Brendshëm nuk i japin urdhëra Policisë së Kosovës. Policia merr vetë vendime për veprime operative”, ka thënë ministri Hyseni.

Ndërkohë, sipas deputetëve dhe analistëve të vendit, ndalja e trenit provokues serb nga ana e forcave speciale të Kosovës është veprimi dinjitar i të gjitha strukturave institucionale të shtetit të Kosovës, që vepruan sipas përgjegjësisë ligjore e Kushtetutës së Kosovës, për ta mbrojtur hapësirës territoriale dhe sovranitetin e popullit në Republikën e lirë e të pavarur të Kosovës.

Por, ata kanë theksuar se deklaratat e krerëve të shtetit se “unë e ndala trenin”, janë deklarata që po bëhen për të përvetësuar poena politike.

Mbulimi i dështimeve

Sipas deputetit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së Avni Arifi, presidenti po përfiton lidhur me këtë çështje, nga fakti se Kosova e ka një kryeministër shumë të dobët.

“Kryeministri është aty me i shërby Thaçit e jo Kosovës, andaj brenda këtyre kornizave e shoh edhe sjelljen e Thaçit. Fshehja me çdo kusht e dështimeve në kurriz të njëri-tjetrit është kulturë e këtij koalicioni”, ka thënë deputeti Arifi për “Bota sot”.

Thaçi mori meritat që nuk i takuan

Ndërsa, analisti politik Imer Mushkolaj mendon se për çështjen e trenit është banale që dikush të pretendojë të marrë merita.

Duke folur për gazetën “Bota sot”, ai ka thënë se në këtë rast institucionet e Kosovës, vepruan sipas përgjegjësive ligjore dhe kushtetuese që i kanë.

Por edhe sipas tij, edhe Thaçi dhe të tjerët përpiqen që situatën e krijuar ta shfrytëzojnë për të përfituar poenë politik, mirëpo kjo siç ka shtuar Mushkolaj, nuk është çështje individuale, por shtetërore.

“Kompetencat janë të qarta dhe institucionet përkatëse duhet t'i dinë dhe t'i zbatojnë ato kur është nevoja. Nuk ka nevojë që askush të marrë merita që nuk i takojnë”, ka thënë Mushkolaj.

Shteti nuk bëri diçka të jashtëzakonshme

Duke e quajtur veprim dinjitar i të gjitha subjekteve politike dhe i të gjitha strukturave institucionale të shtetit të Kosovës, që, funksionuan ashtu siç i obligon dhe i detyron përgjegjësia ligjore e Kushtetutës së Kosovës, analisti politik Skender Zogaj, ka thënë se institucionet e Kosovës vepruan për të mbrojtur hapësirën territoriale dhe sovranitetin e popullit në Republikën e lirë e të pavarur ë Kosovës.

Sipas tij, ky rast gabimisht po konsiderohet sukses i jashtëzakonshëm, sepse nuk është i tillë, por është realizim i një detyrimi të zakonshëm dhe elementar shtetëror, në mbrojtjen e vendit nga rreziku.

“Dhe institucionet e shtetit funksionuan siç duhet duke demonstruar gatishmërinë e plotë në mbrojtjen e vendit nga një tentim agresioni territorial të paralajmëruar, që u shfaq me trenin provokues i cili po synonte të hynte dhunshëm në territorin e Kosovës. Është fakt se institucionet e Kosovës treguan pjekuri maksimale në menaxhimin e situatës dhe realizuan obligimin kushtetues: futën në veprim forcat speciale të policisë, të cilat dolën aty ku duhej të ishin dhe e kryen si është më së miri, punën e tyre. Pra, praktikisht u dëshmua funksionimi i shtetit”, ka thënë Zogaj për “Bota sot”.

Mirëpo, pas krejt kësaj, siç ka theksuar Zogaj, tentimet për mburrje të kujtdo qofshin, janë marrëzi të turpshme, sepse, nuk ka vend për të merituar të veçantë.

“Kjo sidomos te kreu i shtetit, siç janë Presidenti, Kryeministri dhe Kryeparlamentari, të cilët në raste të këtilla e kanë për detyrim të marrin vendime të përgjegjshme dhe për të urdhëruar mekanizmat e mbrojtjes së vendit. Kjo ka ndodhur dhe, ata që tentojnë të krekosen për merita, koriten keq!”, ka shtuar ai.

Zyrtarët “rrahën gjoks” për poena politik

“Deklarata e krerëve të shtetit së unë e ndala trenin, janë deklarata që po bëhen për të përvetësuar poena politike, të cilët me një veprim mundohen që tërë vitin të rrahin gjoks se unë e bëra. Këta po harrojnë se e kanë kërkuar besimin e qytetarit dhe punët e veta duhet t’i kryejnë ata”. Kështu ka thënë për “Bota sot” analisti Islam Krasniqi.

Sipas tij, presidenti Thaçi po i kërkon të gjitha meritat për këtë veprim, mirëpo ai duhet të dijë se meritat i ka edhe Qeveria e Kosovës, që i dha urdhër policisë dhe Njësisë Speciale që të dalin në pikën kufitare, për të ndalur trenin.

“Nëse pak e vëmë trurin në funksion, kjo del një skenar i përgaditur nga dikush, sepse e ndali një tren dhe i bllokoi mediat me deklaratat e tyre se unë e ndala trenin, unë e dhashë urdhërin…”, ka thënë Kransiqi.

Ai ka shtuar se institucionet e vendit duhet të ndalin edhe trenin tjetër serb që vije dy herë brenda ditës nga Kraleva në Zveçan.

“Institucionet tona nuk duhet të veprojnë një herë në 365 ditë apo një herë në 5 vite, por çdo ditë sepse për ata kanë kërkuar votën tonë, e jo të krenohen për një veprim i cili duhet të ndodh çdo ditë. Por i mashtrojnë popullin, duke u munduar që t’i fshehin dështimet e tyre”, ka shtuar Islam Krasniqi.

Lufta që nuk u bë kurrë

Mendim më ndryshe për “Bota sot” ka dhënë analisti Rexhep Shahu.

Duke komentuar ngjarjet e fundit në vend, Shahu ka thënë se për luftën e trenit, kemi të bëjmë me një luftë të pabërë dhe për heronj të një lufte që nuk u bë kurrë.

Kjo pasi, siç ka pohuar ai, treni nuk erdhi në Kosovë dhe nuk iu është dashur askujt të shkrep ndonjë plumb, por u derdhën vetëm breshëri fjalësh.

“Kjo më ngjason se po na bëhet si në përalla. Nuk erdhi ndonjë tren rus a serb në Kosovë. Çdo mburrje për të fituar poena nga Thaçi është burracakëri, inferioritet për një luftë të pabërë”, ka thënë Shahu, teksa ka shtuar se të gjitha këto po bëhen për t’i mbuluar dështimet e veta.

“Mendoj se ky mentalitet kapitullues, dështues, dëshpërues, duhet të marrë fund. Thaçit mendoj t’ia varim gjithë dekoratat që ka bota dhe të shohim a mos i flen shpirti rehat, a mos plotësohet për luftën që nuk e ka bërë në kohën e duhur”, ka shtuar analisti Rexhep Shahu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat