Lidhja e arrestimit të Ramush Haradinajt me Gjykatën Speciale!

Aktuale

Lidhja e arrestimit të Ramush Haradinajt me Gjykatën Speciale!

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 21 janar 2017 Në ora: 12:00
Ramush Haradinaj

E mërkura e datës 4 janar bëri që edhe njëherë, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj të arrestohej si pasojë e një fletarresti të Serbisë, të lëshuar në vitin 2004.

Reagime të shumta, kërkim për ndërprerje të dialogut, kërkim të lirimit të tij e protesta u organizuan për shkak të këtij arrestimi, e nën anën tjetër, Serbia kërkonte ekstradimin e tij në Serbi.

Megjithatë, një javë pas, Haradinaj u lirua me kusht nga gjykata franceze, që sipas vendimit të gjykatës, Haradinaj duhet të paraqitet dy herë në javë tek autoritetet dhe të qëndrojë në territorin francez.

E derisa Haradinaj është arrestuar si pasojë e një fletarresti të vitit 2004, ka të atillë që arrestimin e tij e lidhin me diçka tjetër.

Deputeti i Listës Serbe, Nenad Rashiq, duke folur rreth arrestimit të kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se kurrë më parë nuk janë kryer arrestimet e shqiptarëve nga shtetet e fuqishme të Evropës, vetëm se Serbia ka lëshuar urdhërarreste për ta.

Nga kjo, deputeti mendon se edhe arrestimi i Haradinaj nuk është i thjeshtë dhe pas kësaj sipas Rashiq, fshihet një proces shumë më i organizuar sesa një urdhërarrest i Serbisë.

Rashiq ka rikujtuar se Gjykata Speciale fillon më 15 janar, dhe kjo sipas tij, mund të jetë një nismë e proceseve ligjore.

Deputeti, i cili ka folur si pjesë e shoqërisë dhe institucioneve të Kosovës, ka thënë se nëse Franca ka marrë një rol të rëndësishëm në Gjykatën Speciale, atëherë institucionet e Kosovës nuk mund të kenë asnjë ndikim. 

Lidhur me këtë, gazeta Bota sot ka kontaktuar AAK-në, për të marrë mendimin e tyre lidhur me këtë.

Ndalimi i Haradinajt lidhet me sulmet e Serbisë

Anëtari i kryesisë së AAK-së, Muharrem Nitaj, ka thënë se ndalimi i Haradinaj lidhet me sulmet e Serbisë.

“Ndalimi Haradinajt lidhet me sulmin e Serbisë që po ia bën Kosovës në të gjitha anët. Këtë e ka kuptuar edhe Zoti edhe robi, e këtë është mirë ta kuptojë edhe çdo deputet, qoftë i listës serbe apo i Serbisë, pak rëndësi ka kjo.

Përpara se këta deputetë, të merren me Haradinajn, është mirë t’i kryejnë punët e deputetit të Kosovës, për çka paguhen, e jo t’i shtyejnë agjendat e huaja”, ka thënë Nitaj për Bota sot.

E analisti politik, Imer Mushkolaj, ka thënë shkurt për Bota se nuk beson se arrestimi i Haradinajt ka të bëjë me Specialen.

“Jo, nuk mendoj që arrestimi i Haradinajt lidhet me Gjykatën Speciale”, ka thënë Mushkolaj.

Kurse njohësi i zhvillimeve në vend, Arbër Gashi thotë se ndërlidhja e arrestimit të Haradinajt me Gjykatës Speciale ende pa u bërë publike akuzat është jo serioze.

“Meqenëse Gjykata Speciale ende nuk i ka bërë publike aktakuzat ndaj të dyshuarve, ndërlidhja e rastit Haradinaj me punën e saj në terren, nuk më duket aq serioze. Me këtë, nuk dua ta mohoj dhe as ta hedhë poshtë si të pamundshëm pohimin e deputetit Nenad Rashiq, por vetëm dua të precizoj, se tash për tash, arrestimin e Haradinajt në Francë ia adresojmë me plot të drejtë aktakuzave të ngritura nga Serbia, ashtu siç e ka sqaruar opinionin publik Gjykata Franceze”, ka thënë Arbër Gashi.

Në anën tjetër, ish eprori i UÇK-së, Naim Miftari, thotë se Haradinaj u arrestua si pasojë e një fletarresti të vitit 2004, por që Rashiq po harron se Haradinaj është shpallur i pafajshëm nga Tribunali i Hagës.

“Ramush Haradinaj është marrë nën arrest nga aeroporti zviceran nga Interpoli francez dhe ky veprim lidhet me fletarrestin e shtetit serb, i cili ka ngritur dhjetëra fletarreste ndërkombëtare për ish pjesëtarë të UÇK-së, por aty ishin të kërkuar nga INTERPOL-i edhe shumë liderë botërorë që bombarduan Serbinë me 1999 në sulmet ajrore të NATO-s. Rashiqi po harron ta cekë se komandanti Ramush Haradinaj ka shumë vite në burg të Hagës ku u shpall dy herë i pafajshëm dhe Rashiq harron qëllimisht ta cekë se kush i vrau mbi 14 mijë shqiptarë dhe ndoqi 1 milion civilë shqiptarë nga Kosova”, ka thënë Miftari për gazetën Bota sot.

Mirëpo, ai jep një mendim tjetër nëse Haradinaj është arrestuar si pasojë e Gjykatës Speciale.

“Nëse Ramush Haradinaj u arrestua për akuza nga Tribunali i padrejtë dhe selektiv kundër shqiptarëve, atëherë mund ta quajmë këtë Tribunali i Hashim Thaçit, i cili si dhelprat dinake, për çka ai bëri deklarata antishqiptare para disa ditësh, duke tentuar t’i mbulojë dobësitë e veta, duke thënë se gjykata po formohet pasi dikush kinse po i vriste dëshmitarët, pra i konfirmonte vetë akuzat e Serbisë dhe akuzat e Dick Martyt. Pastaj shumë thjeshtë bëhet pyetje se çka ka bërë Thaçi si kryeministër, pse nuk i mbrojti dëshmitarët dhe vjen përgjigja se kush ka vrarë më shumë se sa vetë klani i Hashin Thaçit, i cili për ta shpëtuar veten është në gjendje t’i dënojë të gjithë luftëtarët e lirisë që kanë luftuar kundër Serbisë”, ka përfunduar Miftari.

Kujtojmë se kjo është hera e dytë që Haradinaj gjendet përballë telasheve të tilla për shkak të një mandat-arresti serb. Qershorin e 2015-s ai u ndalua në Aeroportin e Lubjanës, në Slloveni, ndërsa kthehej nga një vizitë zyrtare në Berlin, por atëherë u la i lirë shumë shpejt.

Autoritetet e Kosovës i kanë kërkuar disa herë Interpolit të mos i marrë parasysh fletë-arrestet e Serbisë për qytetarët e Kosovës, pasi incidente të tilla u kthyen në një fenomen të përsëritur për ish-drejtuesit e UÇK-së./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat