Fatmir Sejdiu: Rugova foli për tokën e Kosovës deri te maja e Çakorrit

Aktuale

Fatmir Sejdiu: Rugova foli për tokën e Kosovës deri te maja e Çakorrit

Më: 21 janar 2017 Në ora: 13:28
Fatmir Sejdiu

Fatmir Sejdiu, e ka kujtuar ish-Presidentin Rugova dhe ka thënë se ai kishte folur për tokën e Kosovës deri ta majat e Çakorrit.

Në këtë mënyrë, ish-Presidenti Sejdiu ka rikthyer temën e shënimit të vijës kufitare me Malin e Zi, ku Qeveria s’po pajtohet se kufiri me Malin e Zi është në maje të Çakorrit.

“…Foli për tokën e Kosovës dhe folenë e shqipeve maje Çakorri”, ka shkruar Sejdiu, duke treguar se për çka kishte folur Ibrahim Rugova dhe kush e kishte besuar.

“Foli çdo të premte edhe atëherë kur thonin se janë iluzione. Njerzit e Kosovës i besuan. Foli në Washington. Miqtë nga Amerika i besuan. Foli në Bruksel, pokështu i besuan”, ka shtuar ai.

Fatmir Sejdiu kishte qenë Sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe mik i ngushtë i Ibrahim Rugovës. Pas vdekjes së tij, Sejdiu u votua për President dhe mori edhe udhëheqjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Aktualisht, Partinë e Rugovës e udhëheq Kryeministri Isa Mustafa, dikur Këshilltar për Ekonomi i Fatmir Sejdiut.

Postimi i plotë i Fatmir Sejdiut:

Një jetë e shkrirë për liri

E solli koha dhe bëri kohën e vet. Nje jetë luftë për Kosovën – për lirinë e saj.

Ishte shembull unikal me veprën dhe jetën e tij.

Na la me dhembje dhe kujtime që nuk shuhen. Karrshi kohëve të rënda dhe luftës së përditshme për lirinë “gjuante gurin larg përtej bjeshkëve dhe oqeaneve” për Kosovën e nesërme.

Foli për Dardaninë antike dhe Skupin kryeqendër të saj. Foli për Ilirinë e shenjtë dhe dritëdhënësit e saj. Foli dhe shkruajti për Bogdanin dhe jo vetëm për letrat e tij. Foli për Besëlidhjen e Lezhës dhe nevojën e bashkimit të burrave të dheut. Foli për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe idenë e saj kombëtare dhe thellësinë e projektit të saj. Foli për ditët e vështira të Kosovës dhe luftërat ballkanike. Foli për WudroW Willsonin dhe fijet e miqësisë me Shtetet e Bashkuara. Foli për përgjakjet dhe shpërnguljet e dhunshme të shqiptarëve. Foli për tokën e Kosovës dhe folenë e shqipeve maje Çakorri. Foli për rrugën e kombit dhe damarët e jetës shqiptare. Foli për lirinë, foli për paqën. Ftonte çdo të premte për intervenimin ndërkombëtar në Kosovë dhe protektimin e Kosovës nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj perëndimor.

Foli çdo të premte edhe atëherë kur thonin se janë iluzione. Njerzit e Kosovës i besuan. Foli në Washington. Miqtë nga Amerika i besuan. Foli në Bruksel, pokështu i besuan.

Foli dhe shkruajti gjithë jetën e tij. Nuk u tremb. Nuk u ndal. Një jetë e shkrirë për liri

Të besova nga dita e pare miku im!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat