Mbështetja në ideologjinë Rugoviane, shmangë rrezikun nga Serbia dhe Rusia

Aktuale

Mbështetja në ideologjinë Rugoviane, shmangë rrezikun nga Serbia dhe Rusia

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 21 janar 2017 Në ora: 15:14
Ibrahim Rugova

Tensionet e fundit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe kërcënimet e kësaj të fundit deri në një intervenim ushtarak në Kosovë, nuk po shihen vetëm si acarim momental i marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve. Zhvillimet në politikat botërore, po konsiderohen edhe si mjaft ndikuese në raportet Kosovë-Serbi.

Njohësi i çështjeve të Sigurisë dhe Inteligjencës, Fadiil Kajtazi, duke analizuar zhvillimet e fundit ka thënë për gazetën ‘Bota sot’ se prirja për dominim mbi tjetrin ka ruajtur brenda vetes natyrën e saj.

“Prirja për dominim është brenda natyrës njerëzore dhe kjo është e bartur edhe në sistemet e drejtimit apo qeverisjes së shteteve, mirëpo gjatë zhvillimit historik, filozof, politikan, artist, etj, janë munduar që të krijojnë teori, të cilat pastaj, nga ata apo të tjerët janë shndërruar në ideologji, me qëllim për ta iluminuar apo futur nën kontroll prirje për dominim mbi tjetrin. Fatkeqësisht, gjatë gjithë kohës kjo ka hasur rezistencën e vet, nga se gjatë gjithë historisë njerëzorë, të pareshtura kanë qenë përpjekjet për krijimin e teorive dhe ideologjive për të dominuar mbi tjetrin sa që ato kanë përpunuar edhe metoda të barbarisë për të arritur qëllimet e tyre. Dhe në shekullin që po jetojmë, pavarësisht teorive dhe ideologjive iluministe, prirja për dominim mbi tjetrin ka ruajtur brenda vetës natyrën e saj, por qytetërimet, me qëllim të zhvillimit të gjithmbarshëm të tyre kanë arritur mirëbesimi mes shteteve dhe popujve”, ka vlerësuar Kajtazi.

Fatkeqësisht, sipas Kajtazit, shqiptarët që jetojnë në hapësirat ballkanike, mbi 100 vite, janë të ekspozuar ndaj prirjes serbe për dominim dhe nuk po gjejnë mirëbesim i cili garanton stabilitet dhe zhvillim.

“Tragjik është fakti se prirja serbe për dominancë mbi shqiptarët nuk është iluminuar fare. Në botën demokratike dominanca mbi tjetrin (në këtë rast mbi shtetin tjetër) është e reduktuar kryesisht në konkurrencën e zhvillimit ekonomik. Prirja serbe për dominim mbi shqiptarët ka karakter tjetër, ajo është e mbështetur në metoda barbare dhe është e kriminalizuar. Ajo nuk është shmangur nga ideja për t’i dëbuar nga trojet e tyre dhe shfarosur shqiptarët, ide kjo e bazuar në projektet e Gashaninit, Qubriloviqit, Andriqit e të ngjashme. Që nga viti 1912, ky projekt u vu në zbatim disa herë, ku gjatë vitit 1998-99 u shfaq me tërë brutalitetin e vet. Fatkeqësisht, ndonëse kjo ide është  e fillim shekullit XIX, në qarqet politike dhe kishtare serbe është shumë aktuale. Ajo, në qarqet politike dhe kishtare serbe është duke u rikonfigoruar në përputhje me rikonfigurimin e ri gjeopolitik botëror ku serbet llogarisin në ekspansionin rus. Në rast të ndryshimit të rrethanave, ata llogarisin që përmes një “blic krigu” të shlyhen nga faqja e dheut shqiptarët”, ka thënë ai.

Dhe kjo nëse nuk vlerësohet nga elitat politike shqiptare, sipas Kajtazit, përbën rrezik për shqiptaret dhe nëse vlerësohet rreziku shmanget lehtë ngase rrethanat kanë ndryshuar në favor të shqiptarëve.

“Kjo për faktin se që nga viti 1912, serbët, forcat e armatosura të tyre i kanë përdorur për të ushtruar terror kundër civilëve shqiptarë. Rezistenca shqiptare ka qenë e dobët dhe ajo është përqendruar kryesisht në grupe të vogla të gueriles të cilët kanë qenë të armatosur dobët dhe pa dije në fushën ushtarake. Po të shikohet historia e luftërave serbe, është e turpshme. Në ndeshje të formacioneve të rregullta ushtarake serbe me ushtri të rregullta, duke filluar që me Austrohungarin, Bullgarinë, Slloveninë, Kroacinë, është histori e disfatave, pavarësisht se glorifikimet nga historianët serb ajo është e ngjashme me historinë e glorifikimit të humbjes së Betejës së Kosovës me 1389”, ka nënvizuar ai.

Për Fadil Kajtazin, shmangja e këtij rreziku realizohet në radhe të parë duke u mbështetur në doktrinën rugoviane “Kosova shteti pavarur, i integruar në BE dhe NATO, me marrëdhënie speciale me SHBA”.

“Së dyti duke ndërtuar institucione demokratike, të cilat luftojnë krimin dhe korrupsionin.  Dhe së treti, krijimi i strukturave të sigurisë në përputhje me standardet e ushtrive moderne. Kjo garanton që Forca e Sigurisë së Kosovës, apo në të ardhmen Ushtria e Kosovës të jetë të aftë për frenim dhe mbrojtje; jetë e aftë për pjesëmarrje në misione paqeruajtëse dhe kriza humanitare; të këtë strukturë që të jetë pjesë e sistemeve të sigurisë dhe mbrojtjes kolektive në këtë rast të OSBE-së dhe NATO-së. Arritja e këtyre objektivave rritë “sistemin imunitar” të Kosovës”, ka nënvizuar ai.

Në fund, Kajtazi ka thënë se këto objektiva janë të arritshme lehtë nëse vendin e udhëheqin elita politike të përgjegjshme, por nëse jo, arritja e tyre do të jetë e vështirë ngase përmes luftës speciale do të pengohet nga Serbia dhe qarqe të tjera anti shqiptare.

Ndërkaq, eksperti tjetër i sigurisë, Hajrullah Tërnava, ka thënë për gazetën “Bota sot”, se dëshmia e trenit të para disa ditëve, është dëshmia më e mirë se si reagoi populli serb ndaj Kryetarit të shtetit të tyre i cili e bëri provokimin me luftë.

“Të freskëta janë kujtimet për luftën, nëse e llogarisim kohën e bombardimeve të viteve 1998-99, që nuk janë të larta tash e 18 vite, atë tmerr që e përjetoi Serbia prej llogarive të gabuara që i bëri,  e që u bombardua nga NATO dhe në anën tjetër  nga UÇK. Në historitë e luftërave së paku duhet të kalojnë 50 vjet që të ndodhin lufta të reja mes shteteve, kjo periudhë 18 vjeçare është tepër e shkurt që të ndodhë lufta. Serbët dhe të tjerët janë të lodhur prej luftërave. Dëshmia e trenit të para disa ditëve, është dëshmia më e mirë se si reagoj populli serb ndaj Kryetarit të shtetit të tyre i cili e bëri atë provokim”, ka thënë ai.

Sipas Tërnavës, Kosova gjithnjë do të jetë e rrezikuar nga ky mentalitet serb, pasi vet konfiguracioni i saj, e sidomos veriu i banuar me më shumë serb dhe ndikimi dhe përkrahja nga Rusia ndaj Serbisë, që tani llogarisin si të vetmin vend mik në Ballkan që e kanë.

“Edhe tani mund të eskalojë situata në konflikte të armatosura,  por atëherë nëse mposhtet Serbia çka do të ndodhë më të në të ardhmen? Sovraniteti i Kosovës tani është i garantuar nga KFOR dhe NATO. Edhe Kosova tani nuk është ajo e para vitit të 1998 se kohës se Millosheviqit. Tani është shtet i pavarur e njohur ndërkombëtarisht nga 113 shtete. I kemi të gjitha institucionet shtetërore: kemi policinë, FSK-në, AKI-në e institucione tjera shtetërorë dhe që dihet qartë në bazë të kushtetutës së Kosovës, se në kohërat e jashtëzakonshme (luftës) kush komandon me këto forca. Janë duke fry erërat e luftës, sepse jemi dëshmitar që shtetet për rreth po armatosen me të madhe, Serbia u armatos nga Rusia, Shqipëria me armatimin më modern nga Amerika, Polonia, Estonia, Lituania dhe të gjitha shtetet përreth Rusisë,  gjithashtu të armatosura nga Amerika”, është shprehur ai.

Mirëpo, sipas Tërnavës, ndërrimi i pushtetit në Amerikë do t`i qetësoj këto epshe luftarake.

“Vlerësohet se Donald  Trump me Putinin do të gjejnë gjuhën e përbashkët dhe do ta qetësojnë regjionin në përgjithësi. Ka vlerësime se mund të ndodhë edhe njohje reciproke Amerike-Rusi me Kosovën dhe Krimenë gjë që për këtë është shumë e shqetësuar Serbia dhe jo rastësisht kjo e fundit po e provokon situatën me Kosovën,  sikur ditëve të fundit me murin, burgosjen e Ramushit, trenin provokativ etj”, ka përfunduar ai./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat