‘Lotët e krokodilit’ të Thaçit, për ish kundërshtarët dhe viktimat e tij

Aktuale

‘Lotët e krokodilit’ të Thaçit, për ish kundërshtarët dhe viktimat e tij

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 22 janar 2017 Në ora: 09:58
Fadil Nura, Hashim Thaçi dhe Imer Imeri

“Përse Gjykatat e Kosovës nuk hetuan vrasjet e shumta e ndër to edhe vrasjen e aktivistit të LDK-së Haki Imerit, dhe shumë Haki të tjerë që janë vrarë pikërisht nga klani i vetë presidentit Thaçi. Prandaj mendoj se presidenti Thaçi shumë vonë i ka ra në mend që të derdh lot krokodili për ish kundërshtarët dhe viktimat e tij, pasi që nga lufta dhe pas lufta, ai kurrë nuk pati seriozitet në zbardhjen e shumë vrasjeve që nuk duhej të ndodhin, dhe varret e Ahmet Krasniqit, Ilir Konushevcit, Smajl Hajdarajt, Enver Malokut, Xhemajl Mustafës, komandant Drinit e shumë e shumë varre tjera presin përgjigje”, ka thënë Naim Miftari.

Presidenti Hashim Thaçi po bën Pazar me gjakun e dëshmorëve. Ai duke bërë homazhe tek varri i aktivistit të vrarë të LDK-së Haki Ymeri,  i cili u vra me më 2 Nëntor 1999 po mundohet që të shpërlahet nga krimet për të cilat është akuzuar në vazhdimësi se i ka kryer vetë. Të paktën kështu vlerësojnë njerëz të politikës, por edhe njohës të rrethanave politike. Ndërkaq, Kastriot Imeri, djali i Haki Imerit, në lidhje me vrasjen e babait të tij, ka kërkuar drejtësi institucionale, dhe jo kanunore.  “Kërkojmë nga Institucionet, që me të vërtetë do ta ndriçojnë vrasjen pas shpinë të prindit tonë, si dhe të gjitha vrasjeve të tjera që u bënë gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Kërkojmë drejtësi nga Institucionet Ndërkombëtare dhe jo vetëm nga këto vendore, të cilat udhëhiqen nga kriminelët”, ka thënë Kastriot Imeri djali i veprimtarit të vrarë Haki Imeri.  Ndryshe zyrtarët nga Shoqata për Drejtësi thonë,  se qëndrimet e z.Imer Imerit , janë qëndrime personale dhe jo të Shoqatës "Thirrje Për Drejtësi". “Ju njoftojmë se qëndrimet e z. Imer Imerit , janë qëndrime personale dhe jo të Shoqatës. Po ashtu ju njoftojmë se z. Imer Imeri nuk është më kryetar i Shoqatës "Thirrje Për Drejtësi" që para 1 muaji , me ç’rast vullnetarisht ka ofruar dorëheqje me shkrim. Ne jemi angazhuar për drejtësi për të gjitha rastet e vrasjeve me motive politike dhe do të angazhohemi në vazhdimësi. Këtë duhet ta bëjnë organet e drejtësisë së Shtetit të Kosovës si edhe ajo ndërkombëtare

( Gjykata Speciale) në rast mossuksesi të institucioneve tona. Çështjen e drejtësisë, ne nuk e konsiderojmë si çështje "gatishmërie" për të bërë "be" , edhe pse kemi respekt për pleqtë e popullit tonë”, kanë bërë të ditur zyrtarët nga Shoqata për Drejtësi.

Justifikimi i Imer Imerit

Ndërkaq i kontaktuar gazeta “Bota sot”,  z.Imer Imeri, vëllai i aktivistit të vrarë të LDK-së Haki Imeri, ndëra ka folur  me tone të larta, të përshkruara nga nota nervozizmi, rreth asaj se si erdhi deri tek ndryshimi i mendimit për Presidentin Thaçi, të cilin kohë më parë e kishte akuzuar se ai kishte gisht në vrasjen e vëllait të tij, ka thënë për “Bota Sot”, se vëllai i tij është vrarë  për LDK-në, dhe se LDK-ja 18 vite nuk bëri asgjë për vëllain e tij. Sipas të njëjtit,  LDK-ja nuk e bëri asnjë akademi përkujtimorë as për një përvjetor nuk i erdhën të varri madje as nuk folën për të asnjë fjalë në përvjetorët e tij. “ Me thirrjen e Thaçit për t’i zbuluar vrasjet para dhe pas luftës si dhe bombat e President Rugova më ka lënë të kuptoj,  se me këtë njeri mundesh me fol. Edhe Thaçi e përsëriti disa herë thirrjen për t’i zbuluar vrasjet. Thaçi madje e aplikoj edhe Gjykatën Speciale dhe kjo është e duhur se Kosovës i vyen Gjykata Speciale, për krimet që kanë ndodhur.

Thaçi bëri thirrje sërish që të zbulohen këto vrasje dhe kjo po tregon, se  prodhimi i Gjykatës Speciale është vrasja e dëshmitarëve dhe LDK-ja kurrë nuk u përgjigj në këtë , e LDK-ja është dashur të mbaj Thaçin për fjale dhe me i thënë “ President t’i fole që  të hetohen vrasjet,  ne çka duhet të bëjmë?. Po askush nga LDK-ja nuk u përgjigj për këtë punë”. Prandaj mua ma morri mendja që Presidenti Thaçi e ka mirë edhe këtë punë unë e kam kërkuar gjithmonë  që 17 vjet me thirrje për drejtësi që të hetohen vrasjet. Por, kurrë LDK-ja se ka marrë parasysh këtë punë dhe nuk u duk më si LDK.  LDK-ja kurrë se ka përkrahur thirrjen për hetimin e vrasjeve, dhe LDK-ja pra, nuk është dashur të lëshohet në këtë lojë të Thaçit, duke e bërë President, sepse ata e bënë president. LDK-ja u tregua sikur me qenë vetë implikues në vrasje, u treguan mashtrues të votave dhe shfrytëzuan luftën 17-18 vjet, ndaj iu interesojnë veç votat”, ka thënë Imeri.  Duke folur rreth asaj se a po bën ketë lojë z. Thaçi vetëm sa të shpëlahet para Gjykatës Speciale me homazhe të tilla dhe përpjekje e mirënjohje, Imeri ka thënë se z. Thaçin askush se ka akuzuar se ma ka vrarë vëllain.  “ Unë kam thënë që z. Thaçi e di kush ma ka vrarë.  Ata ndoshta janë 100 vetë, që e dinë se kush ma ka vrarë vëllain tim, po unë nuk mundem t’i akuzojë  krejt. Unë mundem të akuzoj vetëm atë që ma ka vrarë e jo të gjithë. Z. Thaçi e majti fjalën që ka thënë  për të hetuar vrasjet e pas luftës dhe bombat e presidentit. Ai të paktën po flet, po pse s’po flasin ata të LDK-së pse po heshtin ata? Është marri për ta, se vëllai im ka qenë i LDK-së , sepse LDK-ja është ajo që e ka sjellë në pushtet Thaçin, dhe e kanë bërë president Thaçin, e tani veç presidenti Thaçi po shikon të  shpëlahet. Por, jo, jo, janë ata tjerët që po fshihen pas tij, se presidenti Thaçi  po bën thirrje për t’i hetuar vrasjet e këto probleme që as vetë LDK-ja s’po i përmend, e mbi gjakun e presidentit Rugova dhe mbi gjakun e të vrarëve i kanë marrë votat të gjithë”, ka deklaruar më tej ai.

Drejtësi e vonuar

Anëtari i LDK-së Naser Rugova ka thënë, se skenat e homazheve tek viktimat e vrasjeve politike të pasluftës nuk guxojnë të përdoren për konsum politik apo alibi të mundshme  ndaj organeve të sistemit gjyqësorë. Sipas tij, disa herë ka pasur akuza nga familjarët e aktivistit të LDK- së,  i vrarë gati gjashtë muaj pas çlirimit të Kosovës. “Në parim mund të shtrohet pyetja pse z. Thaçi nuk bëri homazhe vite më parë te varret e këtyre viktimave?  Uroj dhe besoj fuqishëm se drejtësia herët a vonë do e bëjë punën e vet. E vërteta për vrasjen e këtyre veprimtarëve do të zbardhet. Rrugë tjetër nuk ka”, ka thënë anëtari i LDK-së Naser Rugova. Ndërsa, analisti politik Skender Zogaj ka pohuar,  se gjithkush në këtë botë mund të bëjë gabime, të cilat mund të shkojnë edhe te krimet, mirëpo është një normë e kodit moral, pendimi për veprat e këqija të bëra. Ai ka thënë,  se këto gabime sipas fesë por edhe shkencës, merren fuqishëm në konsideratë bile-bile, edhe sipas kuranit, ata që pendohen dhe nuk bëjnë më vepra të liga, janë të falur. “Unë nuk dua me këtë rast të paragjykoj për krimet që janë përfolur nëpër media në adresë të Hashim Thaçit, sepse, për to duhet ta thotë fjalën drejtësia, e pastaj mund të flasim dhe gjykojmë. Prandaj, homazhet që Hashim Thaçit i ka bërë të varri i veprimtarit të vrarë të LDK-së, Haki Imerit, janë një gjest që duhet përshëndetur dhe të merret në konsideratë të lartë, sepse, është shenjë shumë pozitive e tij, sidomos për faktin se, të gjitha vrasjet politike të bëra në Kosovë, apriori i dedikohen SHIK-ut të UCK-së dhe shokëve të Hashim Thaçit që nga veprimtaria e grupeve ilegale e deri te formatizimi i PDK-s dhe ngritja e Hashim Thaçit në postet më të larta shtetërore”, ka thënë Zogaj. Sipas tij, nëse kemi të bëjmë me figurën më të fuqishme të krahut kundërshtues të LDK-së, është për t'u gëzuar që, kjo figurë madhore kapërcen ylberin dhe bën homazhe duke u përkulur te varret e kundërshtarëve të tij më të fuqishëm politikë por edhe patriotikë.  “Unë e shoh si shumë pozitive këto veprime sepse, e konsideroj kthjellje dhe ndërgjegjësim të Hashim Thaçit, i cili, dua të besoj se e ka kuptuar se Haki Imeri është një nga ata që me gjakun e kristaltë prej demokrati atdhetar e ka ujitur tokën dhe rrënjët e shtetit të lirë e të pavarur të Kosovës, për të cilat ideale ka pranuar të vritet e të mos heq dorë. Pra, nuk dua të paragjykoj asgjë, por, dua të them se pendimi është  mënyrë më e mirë e shpëlarjes nga mëkatet” ka thënë analisti Zogaj.

Presidenti i larë si Pilati

Ndryshe, ish anëtari i SHIK-ut Naim Miftari ka thënë, se kjo i ngjan shumë rastit, ku guvernatori romak Pilatit e kryqëzon Krishtin dhe i pastron duart me ujë duke thirrur popullatës Juda se ju e kryqëzuat Krishtin e jo unë.  Sipas tij, presidenti Thaçi, me këtë rast po dëshiron që ta pastrojë vetveten nga mëkatet e bëra, por lind pyetja se përse vallë sa ishte kryeministër nuk bëri presion në drejtësi.

“ Përse Gjykatat e Kosovës nuk hetuan vrasjet e shumta e ndër to edhe vrasjen e aktivistit të LDK-së Haki Imerit, dhe shumë Haki të tjerë që janë vrarë pikërisht nga klani i vetë presidentit Thaçi. Prandaj mendoj se presidenti Thaçi shumë vonë i ka ra në mend që të derdh lot krokodili për ish kundërshtarët dhe viktimat e tij, pasi që nga lufta dhe pas lufta, ai kurrë nuk pati seriozitet në zbardhjen e shumë vrasjeve që nuk duhej të ndodhin, dhe varret e Ahmet Krasniqit ,Ilir Konushevcit, Smajl Hajdarajt, Enver Malokut, Xhemajl Mustafës, komandant Drinit e shumë e shumë varre tjera presin përgjigje. Një ditë do duhej të japë dikush llogari për gjërat që ndodhin në Kosovë dhe është pikërisht presidenti i jonë ai që duhet të japë llogari”, ka thënë Miftari.  Ai ka pohuar,  se vrasjet politike, vrasja e komandantëve të luftës, tradhtia ndaj UÇK-së,  shitja e interesit dhe pasurisë dhe territorit të shtetit si dhe shumica e këtyre gjërave negative kanë një adresë dhe kanë një emër,  e atë e kemi sot President të vendit.

Thaçi në panik

Ndryshe, deputeti i VV-së Rexhep Selimi ka thënë, se nuk është në dijeni nëse Thaçi ka bërë homazhe tek varret e aktivistëve të LDK-së, megjithatë sipas tij, drejtësia nuk sillet me homazhe. “Nuk kam dijeni për një gjë të tillë, por mendoj se nuk sillet drejtësia me homazhe. Ai ka qenë Kryeministër dhe tash thirret se është President, por drejtësia nuk vihet në vend me homazhe, por me sistem të mirëfilltë të drejtësisë. Përndryshe me këto lloj miks-homazhesh, herë në Grackë e herë tek familja Berisha në Therandë e tash edhe të varri i Haki Ymerit  aq sa po tregon se është diçka në panik”, ka thënë deputeti i VV-së Selimi. Ndërsa, analisti politik Rexhep Shahu, ka thënë se presidenti i vendit do te përpiqet të bëjë çdo veprim, ta tejkalojë Thaçin partiak, por varet tek ndershmëria e veprimit a fiton besueshmëri apo jo. “Çështja e krimeve të kryera, është e komplikuar dhe nuk ka pastërti në krime. Thaçi a ka dijeni, apo ka dhënë porosi a mbron dorasët, ekzekutorët, a ka dijeni apo jo, çfarë e implikon si individ e çfarë si ish funksionarë në luftë, kryeministër e president, veprimi e mosveprimi i tij, pasja dijeni apo edhe heshtja. Nga varrimet vijnë, në varrime shkojnë të varrosë njerëz u shkoi kjo jetë. Derisa vrasësit ngushëllojnë në vdekje, paqe s’do të ketë”, ka thënë Miftari ish anëtari i SHIK-ut./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat