Letër kryeprokurorit të Gjykatës Speciale: Familja Imeri akuzon Hashim Thaçin se qëndron prapa vrasjes së Haki Imerit

Aktuale

Letër kryeprokurorit të Gjykatës Speciale: Familja Imeri akuzon Hashim Thaçin se qëndron prapa vrasjes së Haki Imerit

Më: 23 janar 2017 Në ora: 12:43
Hashim Thaçi tek varri i Haki Imerit

Aktivisti i LDK-së, Haki Imeri është vrarë në fshatin Turiqec të Skënderajt në nëntor të vitit 1999, i cili fillimisht ishte rrëmbyer në rrugë, dhe më pas ishte torturuar e vrarë.

Megjithatë, vrasja e tij ende nuk është zbuluar, e pasi vëllai i tij, Imer Imeri kishte akuzuar presidentin Hashim Thaçi, ai ka tërhequr akuzat e tij, përcjell Bota sot.

Mirëpo, familja Imeri është shprehur të gatshëm të ofrojnë dëshmi dhe fakte te reja për të zbardhur të vërtetën.

Anëtarët e familjes Imeri i kanë shkruar letër kryeprokurorit të Gjykatës speciale David Schwendiman në të cilën kërkojnë që te hetohet vrasja e Haki Ymerit e kryer në nëntor të vitit 1999.

Kjo është letra e plotës e familjes Imeri drejtuar kryeprokurorit të Gjykatës Speciale:

 ‘’Letër kryeprokurorit të Gjykatës speciale David Schëendiman I nderuar kryeprokuror z. David Schwendiman

Në Kosovë është e qartë se përveç krimeve të tjera, janë kryer edhe vrasje politike. Viktima ishin njerëz me ndikim në hierarkinë e organizimit të institucioneve të Kosovës, të njohur si ‘shtet paralel’. Për shkak se është e pamundur ta sqarojmë më tej këtë çështje, duam të evidentojmë se kishte dy organizime ushtarake, ai që ishte më i fuqishmi, më profesional, dhe që gëzonte përkrahje të madhe, ishte organizimi ushtarak brenda ‘shtetit paralel’, ndërsa organizimi tjetër ishte jo profesional, pak popullor, por shumë agresiv, gjatë luftës dhe pas luftës në Kosovë.

Në krye të këtij organizimi ishin Azem Syla, Xhavit Haliti, Rexhep Selimi e Hashim Thaçi, si drejtor politik i UÇK-së, etj. Ky grup për fat të keq, për arsye që vetëm ata mund ti din, sipas dëshmive të medieve, por edhe të arsyeve për të cilat u krijuan Dhomat … e Gjykatës speciale, ka dyshime të bazuara se ka kryer shumë vrasje politike, si Ministrin e Mbrojtjes të Republikës së Kosovës të “Shtetit paralel”, kolonel Ahmet Krasniqin, Enver Malokun Shefin QIKUT një bashkëpunëtor të ngushtë të presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, Xhemail Mustafa, kolonelin Rashit Mustafa, dhe dhjetëra të tjerë, në mesin e të cilëve është edhe babai e vëllai ynë Haki Imerit, nga fshati Vojnik, komuna e Skenderajit, i cili fillimisht u rrëmbye në rrugë, dhe më pas u torturua dhe u vra, vetëm pse ishte mbështetës i institucioneve dhe partisë së ngritur nga Ibrahim Rugova. Që të gjithë këta dhe shumë të tjerë, sipas medieve, dosjeve të rrjedhura nga KFOR-i, por edhe informacioneve të shërbimeve të inteligjencës se Natos të bëra po ashtu publike në media, rezultojnë se janë viktima të kësaj strukture të UçK-së, dhe që menjëherë pas luftës, kishte ngritur edhe administratën e Qeverisë së Përkohshme, në nivel qendror dhe lokal.

E përmendëm më lart se Hashim Thaçi mbante një nga postet më të larta në organizimin e UçK-së, dhe menjëherë pas luftës ishte kryeministër i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës ne kohen kur eshte kidnapuar dhe vrare Babai dhe vellau i jone. Ditë më parë ai u shfaq , organizoi nje ceremoni perkujtimi per Haki Imerin babane dhe vellane tone qellimi i seciles ishte ta shfajesoje vetveten nga akuzat bera per 17 vite,por ne kerkojme se akuzat ndaj tij ti examinoje dhe provoje Gjykata Speciale i vetmi institucion ligjor ne te cilin ne si familje besojme. Manipulimet me dekorata dhe akademi perkujtimi nuk sjellin drejtesi ,perkundrazi ne rasti tone e largojne drejtesine nga pista e vertete e origjines se krimit.

Prandaj, ne, familja e Haki Imerit kërkojmë nga ju që të hetoni në detaje kidnapimin, torturimin dhe vrasjen e babait e vëllait tonë Haki Imerit. Kjo është vrasja e parë politike në Kosovën e pasluftës, ndërsa asnjë autoritet, as administrata e UNMIK-ut, as institucionet e Republikës së Kosovës (EULEX-it) nuk janë marrë seriozisht me hetimin e kësaj vrasje politike, siç nuk janë marre as me hetimin e vrasjeve të tjera politike, përkatësisht me përmbylljen e hetimeve dhe nxjerrjen e të dyshuarve para drejtësisë. Përkundrazi autoritetet e hetimeve kanë tentuar të fshehin faktet, të vjetërsojnë paskajshmërisht dëshmitë, dëshmitarët shantazhohen, blehen të vdesin apo të vriten, dhe kështu të të zhdukin provat.

Në fakt në zhdukjen e provave grupet kriminale kanë punuar dhe harxhuar tepër shumë energji, pasi nga sukseset e këtij krimi, varej qëndrimi në pushtet, ruajtja e fuqisë politike, ekonomike dhe ndikimi në autoritetet e drejtësisë, i grupeve kriminale, apo individëve të fuqishëm, të cilët besohet se do të dalin para drejtësisë në Hagë, përkatësisht në Dhomat e specializuara të Gjykatës.

Provë e padiskutueshme se grupet kriminale të lidhura me pushtetin dhe përfaqësues apo drejtues të tyre që gjenden edhe në krye të piramidës së shtetit të Kosovës, e kishin objektiv qenësor zhdukjen e provave, është vjedhja e provave në Dhomën e sigurisë së lartë në policinë e Kosovës në Prishtinë, dhe në Pejë. Është e habitshme se si këto skandale të vjedhjes së provave, të cilat kurrë më nuk u gjetën, ndodhën në kohën kur Presidenti i sotëm Hashim Thaçi mori postin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës.

Pra, ndodhitë më të rënda për drejtësinë ngjan, të parat kur ishte instaluar Qeveria e Përkohshme në Kosovës (1999, vrasjet politike), dhe zhdukja e provave kur i njëjti grupacion politik e klanor e mori pushtetin në Kosovë, kësaj here nëpërmjet votës. Pra, këto dëshmojnë qartë se si pushteti i QPK-së i instaluar më vonë në Qeveria Thaçi 1, nuk kishte ardhur në pushtet për të ndërtuar siguri, rend ,paqe dhe demokraci, aq më pak për të ndriçuar vrasjet, por përkundrazi ti mbuloj ato dhe ti zhduki provat përfundimisht. Ata, që iniciuan dhe ekzekutuan Mësuesin dhe aktivistin e Pavarësisë së Kosovës janë vet pushteti i dikurshëm nën juridiksionin e të cilit është vrarë Babai, vëllai i jonë Haki Imeri. Asokohe kur është kidnapuar Babai dhe vëllai i ynë pushtetin e kishte Qeveria e Përkohshme, Kryeministër i së cilës ishte Hashim Thaçi, dhe Ministër i Rendit Rexhep Selimi.

Që të dy e kishin njohur shumë mirë Babanë dhe vëllanë tonë. Asnjë reagim nuk erdhi për 17 vite as nga Presidenti i tashëm, as nga anëtari i LVV-së Rexhep Selimi edhe pse gjeografikisht i takonim te njejtes Bashkesi lokale Turiqevcit prandaj dhe njihemi me njëri tjetrin. Kërkesat tona për ndriçimin e kësaj vrasje politike dhe vrasjeve të tjera kanë qenë të pareshtura në institucionet ndërkombëtare siç ishte UNMIK-u dhe EULEX-i.

Mbase këto dy institucione dështuan në ndriçimin e vrasjeve politike dhe vrasjeve të natyrave të ndryshme pavarësisht zhvillimeve të fundit, ne me këmbëngulje kërkojmë drejtësi dhe shpresojmë e besojmë se Ju dhe Taske Forca që ju e drejtoni do të nxjerrë të gjithë kriminelët para drejtësisë, urdhërdhënësit, vrasësit, dhe ata që ndihmuan dhe fshehën krimet. Ju e keni mbështetjen tonë dhe jemi të gatshëm të ofrojmë dëshmi dhe fakte te reja për të zbardhur të vërtetën. Ne jemi në dispozicion të drejtësisë për ndriçimin e vrasjes së Babait, Vëllait tonë Haki Imeri. Me nderime, Familja Imeri Turiqevc, Skenderaj Republika e Kosovës.’’

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat