Mes tensionesh të mëdha, Thaçit i tërhiqet vërejtja për dialogun me Serbinë

Aktuale

Mes tensionesh të mëdha, Thaçit i tërhiqet vërejtja për dialogun me Serbinë

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 24 janar 2017 Në ora: 08:12
Hashim Thaçi dhe Federica Mogherini

Kosova dhe Serbia do të përballen për herë të parë në duel presidentësh në takimin e thirrur për sot në Bruksel nga ndërmjetësuesja e Bashkimit Evropain, në dialogun ndërmjet të dyja vendeve, Federica Mogherini.

Takimi i palëve vije në një kohë tensionesh ndërmjet të dyja vendeve, pas provokimeve të shumta të kohës së fundit nga Serbia, duke nisur nga ndërtimi i murit në Mitrovicë, arrestimi i ish-kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj  në Francë, me një flet-arrest të lëshuar nga Serbia në Interpol, dhe tentimi për futjen e trenit me mbishkrime nacionaliste në Mitrovicë.

Thaçi: Do të kërkojmë tërheqjen e fletarresteve ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, për mediat ka theksuar se sot në Bruksel, Kosova do të kërkojë tërheqjen e flet-arresteve të Serbisë, për ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Ai ka thënë se beson se është momenti i fundit që të hapet kapitulli i fundit për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë -Serbi, i cili do të duhej të mbyllej me njohjen reciproke të Serbisë për Kosovës dhe Kosovës për Serbinë.

Por, vazhdimi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në mes të të dyja vendeve dhe ndryshimi i formatit të tij po konsiderohet si hap i gabuar i institucioneve të Kosovës.

Koalicioni qeverisës: Dialogu, i domosdoshëm

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e koalicionit qeverisës Shpejtim Bulliqi, ka thënë se meqë Kosova nuk ka forcë më të madhe për t’i zgjidhur ndryshe problemet, atëherë domosdoshmërisht i duhet të dialogojë me palën serbe.

Por, ai ka theksuar se do të ishte shumë mirë që pushtetarët tanë sidomos kryetari i shtetit, të jenë të vëmendshëm që të mos lëshohen në tema që e cenojnë drejtpërdrejtë integritetin territorial të shtetit dhe interesin e qytetarëve të Kosovës.

“Ka tema që duhet të diskutohen pasi janë në interes të qytetarëve të vendit dhe të cilat kishin me i zgjedh problemet e tyre, atëherë është krejt në rregull, por të futet në bisedimet të cilat drejtpërdrejt mund ta cenojnë integritetin territorial dhe sovranitetin e vendit, atëherë më mirë është fare të mos ketë diskutime me palën serbe”, ka pohuar deputeti Bulliqi për gazetën “Bota sot”.

Topalli: Kosova s’e shfrytëzoi rastin

Ndërkohë, partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, AAK dhe Nisma për Kosovën, janë deklaruar kundër vazhdimit të dialogut me Serbinë, duke kërkuar ndërprerjen urgjente të negociatave me Serbinë.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e VV-së Faton Topalli, ka thënë se pas çështjes së Ramush Haradinajt dhe ndalimit të trenit, Kosova ka pasur një rast të mirë që t’i ndërpres, respektivisht t’i pezullojë bisedimet me Serbinë, dhe të përcaktojë strategjinë dhe qëllimet që ka lidhur me këtë çështje. Tek pastaj, sipas Topallit, Kosova është dashur të shtrojë kushtet e nevojshme për të filluar bisedimet.

“Kjo nuk ka ndodhur, përkundrazi, niveli i bisedimeve është rritur për një shkallë më shumë duke implikuar edhe presidentin e Kosovës. Pra, Qeveria e Kosovës ka dështuar në këtë rast të marr hapa të drejt dhe të nevojshëm që do t’i kishin sjell ndonjë të mirë Republikës së Kosovës”, është shprehur deputeti Topalli për “Bota sot”.

AAK për dialog nëse bisedohet njohja e ndërsjelltë e Kosovës si shtet

Ndërsa, AAK konsideron se pas tri incidenteve të fundit që kanë ndodhur në vend të shkaktuar nga pala serbe, e sidomos deklarimet e hapura të presidentit serb për pretendimet territorial ndaj Kosovës, tregojnë se bisedimet duhet të anulohen.

Duke folur për këtë çështje, deputetja e kësaj partie Time Kadrijaj, ka pohuar se negociatat duhet të riformatohen, pasi qëllimi i tyre ishte të normalizohen marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, por siç ka shtuar ajo, Serbia në vend që të angazhohet në këtë drejtim, po acaron gjendjen dhe nxit konflikte në mes të komuniteteve që jetojnë në Kosovë.

“Unë nuk e di në çfarë cilësie do të bisedohet dhe çfarë do të bisedohet kur e dimë se të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel në fakt nuk po implementohen nga pala serbe dhe çka është më e keqja Kosovës nuk i kanë sjellur asnjë dobi. Kosova ka ngel vendi i vetëm i izoluar në Ballkan, përderisa Serbia si nxitëse e të gjitha luftërave në Ballkan synon anëtarësimin në BE, ndërsa qeveritarët tanë nuk arritën as liberalizimin e vizave”, ka theksuar Kadrijaj.

Ajo ka konfirmuar se AAK është për dialog nëse bisedohet njohja e ndërsjelltë e Kosovës si shtet.

“Përndryshe në këtë fazë nuk besoj që është mirë që me gjithë këtë situatë të tensionuar të mbahet dialogu pa asnjë kushtëzim”, ka shtuar deputetja e AAK-së.

Historia do ta gjykojë rëndë strumbullarin Thaçi për të gjitha të këqijat

Ndërkohë, sipas njohësit të çështjeve politike Jeton Kelmendi, Kosova assesi nuk e kishte zgjedhur mënyrën  e duhur në negociatat, të cilat siç ka thënë ai, kanë nisur për së mbrapshti për Kosovën.

Kelmendi ka theksuar për “Bota sot” se në këtë aspekt merita të mëdha ka presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i cili është shumë më meritor për integrimin e Serbisë se sa presidenti serb Tomislav Nikoliq.

Sipas Kelmendit, shkuarja në Bruksel për dialog pas gjithë atyre provokimeve që i bëri Serbia, pas shpifjeve dhe skandaleve artificiale sërish vazhdon ta blinëzojë Kosovën. “Kosova tani e sa vjet negocion me Serbinë dhe as që bëhet fjalë në Serbi për njohje reciproke. Prandaj Kosova fatkeqësisht ka këso kaste politike dhe dihet çfarë i kanë sjellë Kosovës”, është shprehur Kelmendi.

Tutje, ai ka shtuar se në bisedime, Serbia ishte tejet desktruktive me Kosovën, ndërsa kjo e fundit e ka sfiduar atë me integrime.

“Assesi nuk ka qenë dashur Kosova të marr pjesë në këto negociata dhe besoj se historia do t’i gjykojë këta prijës të shtetit, e sidomos presidentin Thaçi, i cili është strumbullari i të gjitha të këqijave në vend. Të gjitha këto gabime që po bëhen në favor të Serbisë janë duke e dëmtuar sinqerisht integritetin e shtetit tonë dhe të ardhmen e këtij vendi”, ka përfunduar analisti Jeton Kelmendi./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat