Kosova në vijën e thyerjeve gjeostrategjike

Aktuale

Kosova në vijën e thyerjeve gjeostrategjike

Ridvan Emini Nga Ridvan Emini Më 24 janar 2017 Në ora: 12:36
Harta e Ballkanit

Një relacion i ri ndërmjet SHBA-ve dhe Rusisë pavarësisht se a do të ketë mes këtyre dy shteteve ashpërsi apo zbutje të animoziteteve, mund të shpërfaq pazare të mundshme në skenën botërore, e ku ka gjithmonë një tendencë që pjesë e tyre të jenë vendet ku ka potencial për thyerje gjeostrategjike. Në këtë aspekt kërkohet një zgjuarsi dhe shumë profesionalizëm në kuadër të politikës së jashtme që do të zhvilloj Kosova, dhe më në fund akterët vendimmarrës në Kosovë duhet të kuptojnë seriozisht rolin e politikës së jashtme.

Disa tronditje në sistemin aktual ndërkombëtar viteve të fundit po nxisin spekulime për një konflikt të ri në shkallë botërore, një luftë të madhe. Shumëçka nga kjo mund të jetë edhe produkt i rritjes gjithnjë e më të madhe të pranisë së informacioneve gjë që tani po mundësohet nga teknologjia. Disa ndryshime që ndodhën në shumë vende të botës dhe posaçërisht zgjedhja e presidentit të ri në SHBA, po e bëjnë këtë situatë gjithë më të pa parashikuar.

Lidhur me të gjitha këto në bisedë me politologu Mentor Tahiri, është i mendimit se është herët që të flasim se si do të reflektohen disa ndryshime të fundit e sidomos kur bëhet fjalë për administratën e re amerikane. Ai lidhur me këtë thekson se: “Lajmet të cilat vijnë nga përtej atlantiku, më shumë flasin për disa veprime populliste që lënë imazhin e ndryshimit radikal, por që padyshim se me kohë do të bien në intensitet dhe do të jenë më të matura. Vetë SHBA-të kanë një organizim të tillë të shtyllave qendrore të pushtetit që zvogëlojnë mundësinë e arbitrarizmave dhe vendimeve si pas dëshirave personale. Nuk mund të imagjinohet një sistem ndërkombëtar pa involvimin intensiv të SHBA-ve, andaj vendimet aktuale si ai me tërheqjen e delegacionit amerikan nga bisedimet për Sirinë, apo i ngrirjes së punës së disa ambasadorëve nëpër botë, duhet të shihen thjeshtë si një fazë e përkohshme deri në stabilizimin e administratës së re”.

Në pyetjen se si një tërheqje eventuale amerikane nga involvimi në afera ndërkombëtare do të reflektoj te fuqitë e tjera botërore, politologu Tahiri përgjigjet se: ”Pavarësisht rritjes së rolit të Rusisë në skenën botërore, SHBA-të mbeten e vetmja super fuqi. Të gjithë akterët e tjerë ndërkombëtar janë kryesisht në stadin e të qenit fuqi regjionale dhe vetëm Rusia mund të veçohet në këtë drejtim, ngase kohëve të fundit përveç rolit të saj dominues brenda botës së dikurshme sovjetike ka shtrirë ndikimin edhe në Lindjen e Mesme, dhe këtë e ka bërë pikërisht duke e ndihmuar regjimin e Assadit në Siri. Megjithatë administrata e re republikane në SHBA nuk mundet edhe aq të jetë më ndryshe se administratat e mëhershme republikane, e në këtë drejtim duhet rikujtuar se intervenimet më të mëdha amerikane nëpër botë kanë ndodhur pikërisht gjatë kohës kur po qeverisnin republikanët.”

Pra, megjithatë po flasim për një rritje të ndikimit rus në marrëdhëniet ndërkombëtare. Jo rrallë herë ishte ngritur dilema nëse ky ndikim mund të rrezikoj shtetësinë e Kosovës. Lidhur me këtë politologu Tahiri shprehet se: ”Ka arsye për t’u shqetësuar për shkak se njohja ndërkombëtare e shtetësisë së Kosovës nuk është rrumbullakuar dhe Kosova nuk ka arritur të përfundoj procesin e anëtarësimit në mekanizmat ndërkombëtar që e vulosin këtë njohje ndërkombëtare siç është OKB. Administrata e re republikane sipas të gjitha gjasave do të vazhdoj të ketë të njëjtën qasje pozitive karshi Kosovës. Por, një relacion i ri ndërmjet SHBA-ve dhe Rusisë pavarësisht se a do të ketë mes këtyre dy shteteve ashpërsi apo zbutje të animoziteteve, mund të shpërfaq pazare të mundshme në skenën botërore, e ku ka gjithmonë një tendencë që pjesë e tyre të jenë vendet ku ka potencial për thyerje gjeostrategjike. Në këtë aspekt kërkohet një zgjuarsi dhe shumë profesionalizëm në kuadër të politikës së jashtme që do të zhvilloj Kosova, dhe më në fund akterët vendimmarrës në Kosovë duhet të kuptojnë seriozisht rolin e politikës së jashtme. Nuk duhet toleruar më që Politika e Jashtme e Kosovës të shihet si një sektor ku akomodohen njerëzit dhe përmes akomodimeve të mund të zgjidhen borxhet politike karshi individëve. Në funksionimin e deritanishëm të politikës së jashtme të Kosovës, kjo ka gjetur kulmin e banalitetit në rastin e emërimeve krejtësisht qesharake të ambasadorëve. Tani si asnjëherë më parë do të jetë shumë me rëndësi që kuadrot të cilët përfaqësojnë Kosovën në botë, të jenë të gatshëm të përballen mjaftueshëm me sfidat e reja me të cilat do të ndeshet sistemi politik ndërkombëtarë. Mënyra krejtësisht klanore dhe folklorike e emërimeve të deritanishme duhet të merr fund, ngase po qese vazhdon e njëjta, atëherë më mirë të mos ketë përfaqësim fare”, është shprehur ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat