Partitë opozitare kërkojnë pezullim të dialogut me Serbinë

Aktuale

Partitë opozitare kërkojnë pezullim të dialogut me Serbinë

Më: 24 janar 2017 Në ora: 13:07
Pamje nga konferenca e partive opozitare

(E plotësuar) - Shefat e grupeve parlamentare nga tri subjektet opozitare, duke shprehur qëndrimet e partive të tyre, kanë kërkuar që të pezullohet dialogu për normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Këta kanë kërkuar të mbahet një seancë e jashtëzakonshme për të diskutuar lidhur me dialogun me Serbinë.

Valedete Bajrami, shefe e Grupit Parlamentar të Nismës për Kosovën ka deklaruar se  vazhdimi i dialogut  me Serbinë duhet të ndërpritet, përderisa nuk ka  konsensus nacional.

Për më tepër Bajrami thotë se kryeministri i Kosovës Isa Mustafa dhe presidenti Hashim Thaçi, e kanë humbur legjitimitetin, meqë sipas saj, asnjëri nga ta nuk ka diskutuar në Kuvend lidhur me këtë çështje.

Image
Valedete Bajrami, shefe e Grupit Parlamentar të Nismës për Kosovën

Bajrami: Dialogu duhet të ndërpritet, derisa nuk ka një konsensus nacional

“Ne konsiderojmë që opozita është zëri i popullit dhe do të duhej të jetë e përfaqësuar dhe duhet të ketë një unitet, në këtë rast për dialogun dhe z.Mustafa dhe z.Thaci e kanë humbur legjitimitetin dhe si të tillë do të duhej që fillimisht të drejtoheshin në Kuvend, të marrin leje nga Kuvendi dhe pastaj të shkonin në dialog, por këtë ata nuk e bënë dhe me vrap shkuan që ti përgjigjen Vuçiqit dhe Nikoliqit, prandaj ne konsiderojmë që ky dialog, i përbërjes së tillë dhe i udhëhequr fillimisht nga z. Thaçi, pastaj duke vazhduar nga z.Mustafa, duhet të ndërpritet përderisa nuk e kemi një konsensus nacional dhe një platformë nacionale të cilën do të duhej ti drejtoheshim Brukselit në këto bisedime”, tha ajo.

Ajo u ka bërë thirrje deputetëve të koalicionit qeverisës që të nënshkruajnë kërkesën  për  seancën e jashtëzakonshme në lidhje me këtë çështje.

Kurse, Glauk Konjufca, kryetari i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, tha se premtimet të cilat qeveria i ka thënë në fillim të dialogut kanë dalë të jenë një mashtrim.

Image
Glauk Konjufca, kryetari i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje

Konjufca: Qeveria mashtroi qysh në fillim të dialogut

“Kur pati filluar dialogu me Serbinë në vitin 2011 qeveria jonë i patë pati shpjeguar tri premtime të cilat do të ndodhnin pas përfundimit të dialogut me Serbinë. I pari premtim ka qenë që dialogu me Serbinë do ta sjellë njohjen e Kosovës në fund të procesit dhe kjo është në favor të Kosovës. Premtimi i dytë ka qenë se bisedimet me Serbinë do të na sjellin integrimet evropiane dhe premtimi i tretë ka qenë që përmes dialogut me Beogradin do të ndodh integrimi i serbëve të Kosovës brenda Republikës së Kosovës. Unë mendoj që tri këto premtime kanë dalë mashtrime dhe qeveria, qeveritarët duhet të japin llogari”, tha ai.

Konjufca tha se i gjithë procesi i dialogut me Serbinë ka dështuar dhe duhet të rishqyrtohet dialogu në përgjithësi.

Ndërsa, kryetari i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, tha se nga ky dialog ka përfituar vetëm Serbia sepse me dinakëri e ka përdorë dialogun me Kosovën dhe është afruar  me Bashkimit Evropian.

Lekaj: Nga bisedimet ka përfituar vetëm Serbia

“Nëse ne e analizojmë marrëveshjet e arritura deri më sot, kush ka përfituar. Unë mendoj se gjatë këtyre pesë vite ka përfituar Serbia sepse me dinakëri e ka përdorë dialogun me Kosovën dhe në këtë drejtim është ofruar shumë bashkimit evropian. Ndërsa, sot Kosova është e izoluar, pa liberalizim, pa UNESKO, me fusnotë që thoshin është fluks e borës dhe po bisedon për rregullimin e brendshëm dhe po e lejon në këto bisedime deri më tash Serbia të përzihet drejtpërdrejt në politikat e brendshme të Kosovës”, tha ai.

Lekaj tha se bisedimet duhet të ndalohen, të riformatohen dhe më pas të shkohet në bisedime me Beogradin.

Image
Kryetari i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj

****

Shefat e Grupeve Parlamentare të partive opozitare, Glauk Konjufca nga Vetëvendosje, Pal Lekaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Valdete Bajrami nga Nisma për Kosovën, kanë mbajtur një konferencë për media kundër dialogut që pritet të nis sot në Bruksel në mes Kosovës dhe Serbisë.

Valdete Bajrami nga Nisma për Kosovën ka thënë se si opozitë konsiderojnë se ky dialog pa një format të riformuar mirë nuk është në favor të shtetit dhe qytetarëve tanë.

“Shkuarja e Thaçit dhe Mustafës atje është nënshtrim ndaj shtetit Serb”, ka thënë Bajrami.

Kurse Glauk Konjufca nga VV-ja para medieve ka ftuar deputetët e koalicionit qeverisës që të japin nënshkrimin për seancë të jashtëzakonshme.

“Ne kemi të miratuar një rezolutë në Kuvendin e Kosovës, dhe kjo rezolutë e obligon qeverinë që sa herë të shkojë në Bruksel të raportojë para deputetëve. Ne vetëm nga mediat dëgjuam se do ta kemi përfaqësim të lartë institucional në Bruksel. Ne po kërkojmë të thirret seancë e jashtëzakonshme, e këtë do të duhej ta bënte pushteti, por meqë ata nuk e bënë jemi të obliguar ne si opozitë që të mos rrimë duarkryq”, ka thënë Konjufca.

Ai më tej ka thënë se kryeministri Mustafa dhe presidenti Thaçi kanë shkuar në Bruksel krye në vete pa i pyetur fare opozitën.

Kurse Pal Lekaj nga AAK, kryeministrin Isa Mustafa dhe presidentin Hashim Thaçi i ka quajtur kryeservila që sipas tij diskutojnë me pasardhësit e Millosheviqit.

“Kohëve të fundit Serbia ka pasur fjalorë luftë nxitës dhe pretendime territoriale, e këta kryeservila shkojnë dhe bisedojnë me pasardhësit e Millosheviqit”, ka thënë Lekaj.

Ai ka shtuar se bisedimet duhet të ndalen dhe të riformatohen, duke theksuar se Serbia duhet ta njohë shtetin e Kosovës.

Lekaj në fund u ka bërë thirrje Mustafës e Thaçit që të mos bëjnë lojëra me shtetin e Kosovës, pasi siç tha ai qytetarët e kanë humbur durimin.

Konferenca e opozitës kundër dialogut në Bruksel (Drejtpërdrejt)

Shefi i grupit parlamentare të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ai i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj dhe Nismës për Kosovën, Valdete Bajrami, po mbajnë një konferencë të përbashkët për media, e cila ka të bëjë me vazhdimin e bisedimeve në Bruksel.

Opozita kundërshton vazhdimin e dialogut në Bruksel dhe po ashtu ka kërkuar mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës lidhur me këtë çështje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat