6 vite pa gazetarin Nazmi Lukaj, këto janë vargjet prekëse të djalit të tij

Aktuale

6 vite pa gazetarin Nazmi Lukaj, këto janë vargjet prekëse të djalit të tij

Nga: P.R Më: 24 janar 2017 Në ora: 12:58
Presidenti Ibrahim Rugova dhe Nazmi Lukaj, ish gazetar i gazetës "Bota sot"

Sot bëhen 6 vite nga vdekja e ish gazetarit të gazetës “Bota sot”, Nazmi Lukaj.

Nazmi Lukaj punoi për disa vjet rresht edhe si korrespodent i gazetës kombëtare “Bota sot” nga Peja ndërsa më pas ishte edhe komentator i gazetës kombëtare “Bota sot”. Nazmi Lukaj shquhej me komente të tija të guximshme të botuara në gazetën kombëtare “Bota sot” jo vetëm me zhvillimet politike në Pejë e rrethinë por edhe me zhvillimet politike në Kosovë.

Në 6 vjetorin e vdekjes së tij, djali i Nazmiut, Arianiti, përmes një postimi në facebook ka shkruar disa vargje prekëse për babin e tij, të cilin Arianiti, shoqëria por edhe ne kolegët e kujtojmë me krenari.

Ja postimi i Arianiti, djalit të Nazmiut:

Babë i dashur,

Unë shpresoj, se Ti je në vendin tënd, të cilin e meriton Parajsën!
Kanë kaluar 6 vite, që s'kemi folur, që nuk kemi shkëmbyer asnjë fjalë!
6 vjet shumë të gjata pa Ty-Babë!
Brenda në Parajsë je, se Parajsa është e ndërtuar për njerëz, siç je Ti!
Për, Ty gjithçka është e rehatshme atje... e për ne në Tokë është ferr...
Kujtimet për Ty janë gjithmonë me mua, pra arsyeja më e fortë, që asnjëherë mos të të harroj.
Ata, të cilët ishin me Ty në momentet më të vështira të jetës, kur Ti kishe kohën më të keqe të jetës tënde, do t'i respektojmë gjithmonë e me mundësitë tona edhe do t'ju ndihmojmë.
Mos më keqkuptoni unë jam shumë i lumtur, që kam një Baba shembull për të mirë!
Kjo është arsyeja më e madhe, e cila nuk më le të mërzitem shumë.
Takimet me njerëz të mirë, të cilët më flasin për Ty-Babë, më bëjnë të ndihem mirë dhe shumë i lumtur.
Një pjesë e imja të takon Ty, se pas gjithë këtyre viteve, unë ende besoj, që Ti je diku këndej pari duke u munduar, si gjithmonë t'ja bësh ndonjë të mirë vendit, sepse kjo ishte arsyeja më e madhe, që Ti jetoje, ndërsa unë kam humbur një mik, një shok dhe një Baba, që dhimbja për Ty nuk mund të më zëvendësohet asnjëherë.
Babë i dashur, sa do të doja ta dija, si je?
Unë besoj, se Ti je në Parajsë!
Je i bekuar se punët i kishe ashtu!
6 vite janë bërë, që nuk kemi folur për shkak të sëmundjes, që e kishe dhe të mori shpejtë.
Ah, sa e poshtër dhe e shpeshtë është bërë ajo (kanceri) dhe në jetën tënde me të, ajo nuk mundi të të dorëzonte!
Ke qenë i fortë me shumë humor jashtë, por ndoshta jo ashtu edhe brenda.
Unë jam gjithmonë duke të kërkuar Ty-Babë!
Kur mërzia më merr mua, unë të kujtoj Ty, se sa e lehtë për mua, do të ishte gjithçka, po të ishe Ti këtu dhe shpesh mendoj se nuk të kam humbur Ty, se në zemrën dhe mendjen time çdoherë je me mua.
Nuk dua të mërzitem, por të jem i lumtur, se frikësohem mos më sheh e të mërzisë edhe Ty!
Ti tani ke tjetër shtëpi, vetëm Ti-Babë, duke e pritur familjen tënde.
Dhe një pjesë e imja është me Ty në Parajsë, se pas gjithë këtyre viteve, unë nuk jam i plotë në këtë botë.
Ti ke gjetur Parajsën, por ne kemi humbur shumë...
Tani, ju kërkoj falje juve që nuk e kuptoni këtë ndjenjë, por të gjithë do ta përjetoni, atëherë do të më besoni.
Le të qajmë, qeshim dhe flasim!
Ju duhet të dini se pavarësisht nga çdo gjë, Ju gjithmonë do të keni prindër ...

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat