Haliti në KE: Raportet Kosovë-Serbi janë lëkundur seriozisht

Aktuale

Haliti në KE: Raportet Kosovë-Serbi janë lëkundur seriozisht

Më: 24 janar 2017 Në ora: 17:32
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, në mbledhjen e Komisionit për Çështje Politike dhe Demokraci të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, ka thënë se Kosova, nën monitorimin e BE’së tash e sa vite po bisedon me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve, mirëpo pas dy ndodhive të fundit provokative nga Beogradi, raportet bilaterale Kosovë-Serbi janë lëkundur seriozisht

Në Këshillin Europian, Haliti ka thënë se Kosova po provon me shumë pjekuri politike dhe përgjegjësi për ndërtimin e një klime mirëbesimi të qëndrueshme në mes të dy vendeve, mirëpo ndodhitë e fundit I kanë lëkundur seriozisht raportet Kosovë-Serbi.

“Rasti i trenit, të ndaluar në kufi nga autoritetet e shtetit të Kosovës, me mbishkrimin ‘Kosova është Serbi’ në 20 gjuhë, e cila u parapri nga arrestimi i një figure me peshë në politikë dhe në historinë e krijimit dhe të konsolidimit të Kosovës shtet, të iniciuar nga Serbia, shkojnë ndesh me frymën e dialogut dhe të përpjekjeve disavjeçare për të ecur përpara”, ka thënë Haliti.

Ai ka shtuar së këto ngjarje, që u shoqëruan me ultimatume kërcënuese nga krerët e Beogradit, flasin qartë që në Serbi po fryjnë erëra të vjetra të konfliktit, nga e cila ka vuajtur kaq shumë Ballkani.

Haliti në KE ka theksuar se politika shtetërore e Kosovës ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë e angazhuar dhe e palëkundur në vazhdimin e dialogut me Serbinë, nën kujdesin e BE’së.

“Kjo është rruga e vetme për arritjen e objektivave tona shtetërore. Synojmë dhe kërkojmë efektivitet më të madh të dialogut ndërshtetëror. Kjo, mendoj se do të arrihet, kur të dy shtetet të ndihen të barabartë jo vetëm mes tyre, por dhe botërisht”, ka thënë Xhavit Haliti.

Ndër të tjerash, ai ka përmendur edhe suksese që ka arritur Kosova si rezultat i dialogut në rrafshin ndërkombëtar.

“Anëtarësimi i Republikës së Kosovës në organizata globale, rajonale, politike, ekonomike dhe financiare që kulmojnë me nisjen e procesit të qëndrueshëm të integrimit përmes Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me BE-në. Me dialog është arritur pjesëmarrja e përfaqësuesve të Kuvendit të Kosovës në komisionet e Asamblesë Parlamentare të KE-së, ku mbi të mbështetet edhe sugjerimi i Byrosë së AP-së për rezervimin e vendit të Kuvendit të Kosovës në sallën e mbledhjeve plenare të Asamblesë”, ka shtuar Haliti. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat