Darka e "nxehtë", Mustafa: Rrëzimi i murit nuk negociohet, Vuçiq: Takimi ishte shumë i vështirë

Aktuale

Darka e "nxehtë", Mustafa: Rrëzimi i murit nuk negociohet, Vuçiq: Takimi ishte shumë i vështirë

Më: 24 janar 2017 Në ora: 20:15
Pas takimeve të ndara të Federica Mogherinit me palën e Kosovës dhe atë serbe, në Bruksel ka filluar darka e të dy delegacioneve me ndërmjetësim të BE-së.

(E plotësuar) - Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka lëshuar një komunikatë për media, pas ndërmjetësimit të takimit të nivelit më të lartë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

"Sot, presidentët Tomisllav Nikolliq dhe Hashim Thaçi, dhe kryeministrat Isa Mustafa dhe Aleksandar Vuçiq, m'u bashkuan për një takim të nivelit të lartë të Dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës", ka njoftuar Mogherini.

"Dua t'i falënderoj ata për takimin e hapur dhe shumë konstruktiv që kemi pasur. Ata kanë diskutuar për zhvillimet gjatë ditëve të fundit, dhe janë pajtuar t'i lënë pas tensionet dhe të përqendrohen në punët përpara", ka bërë të ditur Mogherini.

"Unë kam theksuar se progresi në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i rëndësisë maksimale: për Kosovën dhe Serbinë, për vetë Bashkimin Evropian, dhe për tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Përparimi në dialog është kyç për të dyja palët për të ecur përpara në rrugët e tyre përkatëse drejt Bashkimit Evropian", ka thënë Mogherini.

"Jam e inkurajuar nga udhëheqja, vizioni, përkushtimi dhe angazhimi i treguar nga udhëheqësit politikë sot, për të adresuar dhe për të zgjidhur çështjet nëpërmjet Dialogut", ka shtuar Mogherini.

"Që të dyja palët janë pajtuar ta çojnë Dialogun përpara në frymë të respektit, të bashkëpunimit dhe të mirëkuptimit reciprok. Diskutimet ndërmjet palëve do të intensifikohen gjatë ditëve të ardhshme. Ne kemi vendosur të kemi disa takime të nivelit të lartë të Dialogut, duke filluar nga ditët e ardhshme", ka bërë të ditur Mogherini.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka folur për takimin e zhvilluar me delegacionin serb.

Ai në Interaktiv tha se kanë kërkuar nga Serbia që të repsektoj integritetin dhe sovranitetin e Kosovës.

Ai thotë se janë dakorduar që të përshpejtohet procesi i dialogut.

“Në Kosovë ndërkaq do të vendosim për rifornatizimin e dialogut”, tha ai, duke shtuar se do të ulen të flasin edhe me opozitën për këtë format. Sipas tij, dialogu nuk është çështje vetëm e koalicionit, por i të gjithëve, edhe i opozitës edhe të shoqërisë civile.

“Mendoj se tensionim nuk do të ketë. Serbia u zotua se do të përmbahet nga gjuha tensionuse”, tha ai.

Ai tha se kanë biseduar edhe për murin. “Nëse nuk rrëzohet muri nga ata që e ndërtuan, atëherë ne do ta rrënojmë”, tha ai.

Vuçiq: U morëm vesh që të vazhdojmë me dialogun në nivel të lartë

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se pala që e përfaqëson ai, pra Serbia, dhe pala tjetër, pra Kosova, u morën vesh që të vazhdojnë të dialogojnë në Bruksel, në nivelet më të larta.

Vuçiq këtë deklaratë e ka bërë pak minuta pas përfundimit të takimit Kosovë-Serbi më ndërmjetësim të Bashkimit Europian

Në Bruksel përfundon darka e "nxehtë" e punës Kosovë - Serbi

Para pak minutash ka përfunduar takimi i mbajtur në Bruksel mes delegacioneve shtetërore nga Prishtina dhe Beogradi, në të cilin takim mori pjesë edhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini.

Delegacionet e dy shteteve përfaqësohen nga nivelet më të larta. Kosova përfaqësohet nga Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Isa Mustafa, kurse Serbia nga presidenti Tomislav Nikoliq dhe kryeministri Aleksandar Vuçiq.

Zyrtarë të delegacionit të Kosovës në Bruksel, kanë thënë për KosovaPress se takimi i filluar në ora 21:00, ka përfunduar para pak minutash, ndërsa nuk janë bërë të ditura ende temat që janë biseduar në takim.

Para fillimit të takimit dy delegacionet kanë takuar ndaras shefen e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini.

Po vazhdon darka e "nxehtë" e punës Kosovë - Serbi

Është duke u mbajtur në Bruksel darka e punës mes delegacioneve shtetërore nga Prishtina dhe Beogradi, në të cilin takim po merr pjesë edhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini.

Delegacionet e dy shteteve përfaqësohen nga nivelet më të larta, Kosova përfaqësohet nga Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Isa Mustafa kurse Serbia nga presidenti Tomislav Nikoliq dhe kryeministri Aleksandar Vuçiq.

Në Bruksel nis darka e "nxehtë" e punës Kosovë - Serbi

Ka nisur darka e përbashkët e përfaqësueseve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Pas takimeve të ndara të Federica Mogherinit me palën e Kosovë dhe atë serbe, në Bruksel ka filluar darka e të dy delegacioneve me ndërmjetësim të BE-së.

Lajmin e konfirmuar zëdhënësja e përfaqësueses së lartë të BE-së, Maja Kocijançiq, që ka publikuar një fotografi në rrjetet sociale.

Image
Hashim Thaçi, Isa Mustafa dhe Federica Mogherini

Nis takimi i delegacionit të Kosovës me Mogherinin

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini ka filluar takimin në Bruksel me Presidentin Hashim Thaçi dhe kryeministrin Isa Mustafa.

Mogherini paraprakisht ka takuar presidentin e Serbisë Tomislav Nikoliq dhe kryeministrin Aleksandar Vuçiq.

Pas përfundimeve të takimeve bilaterale me delegacionet e Kosovës dhe Serbisë, të dy delegacionet pastaj do të do të zhvillojnë një darkë pune, ku e pranishme do të jetë edhe Mogherini.

Gjatë takimit, i cili besohet që do të zgjas disa orë, do të tentohet të ulen tensionet mes Prishtinës dhe Beogradit, pas provokimit që Serbia bëri me trenin dhe arrestimin e ish kryeministrit Ramush Haradinaj.

Takimi i sotëm është i nivelit më të lartë që kanë mbajtur Prishtina dhe Beogradi ndonjë herë.

Image
Nikolic dhe Vucic e Mogherini

Pas takimit me Mogherinin, Nikoliq zbulon kërkesën e BE ndaj Serbisë

Kryetari i Serbisë, Tomislav Nikoliq ka thënë se Bashkimi Evropian po bën gabim të madh nëse mendon se mund ta shantazhoj Serbinë për pavarësinë e Kosovës.

Këto i tha pas takimit që pati ai dhe kryeministri serb Aleksander Vuciq me përfaqësuesen e lartë të BE-së në Bruksel, Ferecia Mogherini.

Nikolic ka thënë se Mogherini  së shpejti do të paraqes të gjitha vërejtjet që Serbia ka shfaqur.

“Ajo çfarë ndodhi është se shqiptarët kanë shumë kërkesa. Pavarësisht takimeve në Bruksel ata duan të kenë më shumë takime bilaterale me organizata të ndryshme, ku duan të jenë anëtarë, të organizatave sportive, madje edhe të Këshillit të Evropës”, ka thënë ai pas takimit.

Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikolliq, i cili ka dalë nga takimi me shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, për t'i dhënë dekaratë televizionit shtetëror të Serbisë, tha se që në fillim të bisedimeve, Mogherini ka vënë në dukje "bllokadën në bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë".

Sipas Nikolliqit, Mogherini ka vënë theksin mbi "detyrimet e papërmbushura të Prishtinës dhe në probemet e serbëve".

"Kemi folur për atë që ka ndodhur në veri të 'Kosovës dhe Metohisë', kur një tren me mbishkrime, të cilat ne mendojmë se mund t'i vëmë, sepse ai është territori ynë dhe ashtu shkruan në Kushtetutën tonë - që askush nuk na e ka hequr as zyrtarisht, as jozyrtarisht - është bërë subjekt i shkatërrimit nga ana e disa njësive speciale të Kosovës, të cilat nuk është dashur të gjenden aty", tha Nikolliq.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat