Avokatët nuk pajtohen me prokurorin, ndërpritet seanca ndaj anëtarëve të VV-së

Aktuale

Avokatët nuk pajtohen me prokurorin, ndërpritet seanca ndaj anëtarëve të VV-së

Më: 25 janar 2017 Në ora: 09:42
Seanca per sulmin ndaj Kuvendit

Seanca e deklarimit të katër anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, të akuzuar në rastin e sulmit ndaj Kuvendit të Kosovës, është ndërprerë pasi gjatë deklarimit të Prokurorit të Prokurorisë Speciale, Abdurrahim Islami, kanë ndërhyrë avokatët e të akuzuarve.

Gjyqtari Beqir Kalludra kishte dhënë vërejtje edhe më parë që seanca do të ndërpritet nëse nuk do të respektohen rregullat e gjykatës, pasi avokatët kishin ndërhyrje në fjalimin e prokurorit disa herë.

Avokatët në fillim të seancës kërkuan përjashtimin e prokurorit Islami dhe gjithë Prokurorisë Speciale të Kosovës, nga ky rast.

Megjithatë, prokurori Abdurrahim Islami tha se habitet me kërkesën e avokatëve që të përjashtohet nga ky rast, duke thënë se në aktakuzën e tij në asnjë rast nuk e ka përmend fjalën Vetëvendosje.

Islami: Unë në asnjë rast nuk e kam përmend fjalën VV

“Kjo aktakuzë është apo prokurori është politike apo subjektiv, unë në asnjë rast në aktakuzën time nuk e kam përmend fjalën VV, në asnjë rast por pos në një fjali ku kam thënë se nga ana e përfaqësuesve të partisë politike ka pas deklarime dhe prononcime etj. të cilat janë dorëzuar nga VV që janë dorëzua që janë shqyrtua por nuk ka pas baza për tu analizuar më shumë dhe për tu vërtetu. Kështu që konsideroj që edhe mbrojtësit sot deklaruan kanë marrë detyrat e tyre dhe sigurisht de të përjashtoheshin nga përfaqësimi po mos të deklaroheshin në këtë mënyrë se ..ky është një obligim i tyre dhe normal për pare gjithçka njerëzit po bëjnë edhe nuk po përjashtoj”, deklaroi ai.

Gjatë deklarimit të prokurorit Islami në sallë kishte ndërprerje të rrymës, andaj seanca kishte ndërprerje për disa minuta.

Në vazhdimin e deklarimit të prokurorit Islami, ai tha se të akuzuarit në asnjë moment nuk i kanë mohuar provat e tij, madje ai tha se Atdhe Arifi të njëjtat i ka pranuar në seancën dëgjimore.

Islami: Të pandehurit i kanë pranuar provat në seancën dëgjimore

“Në asnjë moment nuk i kanë mohuar ato prova në të cilat janë mbështetur, aq më shumë vet të pandehurit këtu prezent, respektivisht i pandehuri Atdhe Arifi, ka pranuar në seancën dëgjimore...nuk lejohen spekulimet. I ka vërtetuar deklarimet nga aktakuza për motoçikletë... Këtu përfundon seanca”, deklaroi ai.

Megjithatë, në fillim të seancës avokati i Atdhe Arifit, Ramiz Krasniqi, deklaroi se kërkon përjashtimin e prokurorit Islami.

“Ka raste të cilat dalin në gjyq por që nuk janë lëndë gjyqësore, ato janë afera politike mirëpo pikërisht me presionin e politikës në vend që të zgjidhen në salla parlamentesh dhe qeverisë ato sillen në gjyq dhe si të tilla vetvetiu përbëjnë afera politike siç është ky rast për tu trajtuar ën këtë gjykatë. Pikërisht pse janë kërkesa politike dhe pikërisht pse trajtohen në gjykatë shpesh janë jo vetëm turpi i një prokurorie apo i një sistemi drejtësie të një vendi por më shumë se kaq ato bëhen turpi i një populli të tërë. Pse vendoset në mënyre juridike për çështje politike dhe zaten në raste të tilla nuk mund të vendoset ndryshe pos padrejtësisht dhe jashtë zone juridike dhe kështu hyjmë në analet e historisë të një turpi kombëtar. Historia e gjyqësisë na mëson se në raste të tilla është e udhës që prokuroria mos ta ngrit çështjen në gjyq por nëse e ka ngritur ajo duhet të tërhiqet dhe unë prokurorit sot i sugjeroj që ta tërheqë çështjen e të akuzuarve të Lëvizjes Vetëvendosje aq më parë kur kjo jo vetëm që është sjellë si çështje politike në gjyq por më shumë se kaq një çështje e tillë është kategorizuar si vepër terroriste dhe këtë e ndjen çdo qytetar i Kosovës”, deklaroi ai.

Po ashtu, avokati Krasniqi tha se kjo aktakuzë është e pabazuar në ligj, është jocilësore, dhe jokonsistente.

Krasniqi: Prokuroria Speciale institucioni më i instrumentalizuar nga Qeveria dhe Kuvendi

“Zotëri prokuror tërhiqu nga kjo aktakuzë sepse kjo akuzë është e pabazuar në ligj, jocilësorë, jokonsistente dhe profesionalisht jokorrekte e denigruese, jo vetëm për klientin tim por edhe për të tjerët të përfshirë në këtë aktakuzë. Duke e vërejtur këmbënguljen e prokurorit të paraqitur në medie se ai këtë aktakuzë e ka bazuar në prova e duke e ditë cilësinë e provave, duke e marrë për bazë edhe vet konstatimin e prokurorit se ende nuk i ka ardhë ekspertiza për qartësimin e fotove të dorëzuara në forenzikën e SHBA-ve se edhe pajisjet elektronike të cilat këto ditë do të dorëzohen në SHBA e që do të thotë se ende pa u kryer hetimet prokurori në ngutje e sipër e ngrit këtë aktakuzë na bënë të dyshojmë në objektivitetin dhe paanshmërinë e tij. Andaj konform nenit 38, p 3 të Kodit të Procedurës Penale kërkojmë: përjashtimin e prokurorit aktual Abdurrahim Ismajli që ta përfaqësoj këtë aktakuz ë por jo vetëm kaq, kërkojmë përjashtimin e tërë Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për ta përfaqësuar akuzën duke e trajtuar si institucionin më të instrumentalizuar nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës”, ka deklaruar avokati Krasniqi.

Të njëtjat deklarime i kanë mbështuetur edhe tre avokatët e të akuzuarve të tjerë.

Pas ndërprerjes së seancës, një nga katër të akuzuarit, Frashër Krasniqi, tha se nga ky gjyqësorë po u kërkohet atyre që të tërhiqen nga rasti, për cka ai tha se nuk do ta pranojnë ngase nga këto akuza të rreme humbi jetën edhe aktivisti i VV-së, Astrit Dehari.

Krasniqi: Do të dëshmohet pafajësia jonë kurse këta njerëz do ti gjykoj historia

“Ne nuk kem me pranua për shkak se në duart e tyre ka vdek një aktivist i VV-së, ka vdekur një student i shkëlqyer i mjekësisë, një qytetar besnik i republikës për shkak të montimeve që i kanë bërë këta. Neve nuk na intereson aspak dhe as nuk brengosemi as një pikë a ka me na dënua kjo gjykatë a jo për shkak se ne e dimë që populli i Kosovës e din që ne jemi të pafajshëm, kjo pafajësi ka me u vërtetu herët ose vonë, kurse këta njerëz ka me i gjykua historia, këta kanë me mbet personifikim i klanit pronto të cilët kanë montua prova për me i mbajt të rinjtë e të rejat nëpër burgje dhe si rezultat i tyre e kemi një person i cili ka vdek në duart e tyre”, tha ai.

Të akuzuarit: Frashër Krasniqi, Atdhe Arifi, Adea Batusha dhe Egzon Haliti, janë katër nga pesë të akuzuarit për sulm ndaj Kuvendit të Kosovës në vitin e kaluar.

Ndërsa i akuzuari i pestë nga ky rast, Astrit Dehari, kishte vdekur muaj më parë në paraburgim në burgun e Prizrenit, rasti i të cilit nuk është zbardhur ende.

Image
Momenti i ndaljes së rrymes
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat