Deputetët kërkojnë kthimin e parapagimit për RTK-në

Aktuale

Deputetët kërkojnë kthimin e parapagimit për RTK-në

Më: 26 janar 2017 Në ora: 18:35
ilustrim

Anëtarët e Komisionit Parlamentar për Media kërkuan sot që të kthehet parapagimi, si formë e financimit të transmetuesit publik të Kosovës (RTK).

Kuvendi është në proces të hartimit në një projekt-ligji për RTK-në dhe i cili pritet t’i japë zgjidhje dy çështjeve që e rëndojnë më së shumti këtë transmetues: pronën dhe financimin.

Anëtarja e këtij komisioni, Shqipe Pantina e Vetëvendosjes, tha për KALLXO.com se janë bërë një varg propozimesh për ndryshime, përfshirë edhe zvogëlimin e numrit të anëtarëve të bordit nga 11 në 9 dhe zgjatjen e mandatit të tyre nga 3 në 5 vjet, por pa mundësi rikandidimi për një mandat të dytë.

Mbledhja u mbajt me dyer të mbyllura.

“Kemi votu që bordi t’i ketë 9 anëtarë, nga 11 sa i ka tash. Mandati i tyre të jetë 5 vjeçar dhe mos të kenë mundësi ri-kandidimi. Po ashtu që parapagimi të jetë 2.5 euro për çdo familje, por emisione të caktuara mund të kërkojnë financim nga buxheti i shtetit”, tha Pantina.

Parapagimi përmes faturave të energjisë elektrike si formë e financimit të RTK-së ka funksionuar deri në vitin 2009. Atëbotë Gjykata Kushtetuese e vlerësoi këtë formë financimi si anti-kushtetuese.

Përmes kësaj forme të financimit, çdo konsumator i KEK-ut detyrohej të paguante 3.5 euro në muaj për RTK-në krahas pagesës së faturës së energjisë.

Pantina tha se ishte kundër mbylljes së mbledhjes ngase, sipas saj, nuk kishte asgjë të fshehtë për mediat.

“Unë dhe Lahi Brahimaj [anëtar i komisionit nga AAK] ishim për mos me mbyll mbledhjen për media, por të tjerët votuan ndryshe. Nuk ka pasë asgjë sekrete, kemi votu për ndryshimet në ligjin për RTK-në”, tha ajo.

Ajo tha se në rast të përpjekjeve që një praktikë e tillë të përsëritet, do të refuzojë të marrë pjesë si anëtare në mbledhje, ngase “kjo është hap prapa” në çështje të transparencës.

Ajo tha se anëtarët kanë votuar që komisioni ad hoc për RTK-në, veç deputetëve të ketë në përbërje edhe profesionistë. Si dhe RTK të auditohet nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm, e cila nuk është bërë më herët.

E kontaktuar nga KALLXO.com, kryetarja e këtij komisioni Xhevahire Izmaku tha se mbyllja e mbledhjes u bë “për arsye intimiteti’.

“Ka pasë deputetë që për çështje të caktuara në diskutim me pasë intimitet”, tha ajo.

Ky ligj parashihet të hyjë në fuqi në janar të vitit 2018.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat