Rama: Udhëheqja e kryeqytetit puna më e vështirë

Aktuale

Rama: Udhëheqja e kryeqytetit puna më e vështirë

Më: 2 shkurt 2017 Në ora: 14:18
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama gjatë takimit me kryetarin e Prishtinës Shpend Ahmeti

(E plotësuar) - Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka pritur në takim kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Ky i fundit tha se udhëheqja e bashkisë, është puna më e vështirë në botë.

Gjatë këtij takimi, Rama e Ahmeti kanë diskutuar për punën e qeverisjes lokale, por edhe për çështje të tjera politike të të dyja vendeve.

Me këtë rast, kryetari Ahmeti ka shprehur shqetësimet e tij kryeministrit shqiptar në lidhje me zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, dialogun në mes Prishtinës dhe Beogradit, si dhe incidentet e fundit me shtetin serb.

Ahmeti: Shfrytëzuam rastin të flasim për gjendjen aktuale në vend

“Gjithmonë mësoj gjëra të reja prej kryeministrit Rama për nivelin komunal dhe udhëheqjen e Bashkisë dhe komunës duke marrë parasysh përvojën e gjatë, por në të njëjtën kohë në këtë situatë që jemi sot, shfrytëzuam rastin të flasim dhe për gjendjen politike dhe aktuale që kemi në veri të vendit. Dialogu dhe diskutimet që po zhvillohen dhe incidentet e fundit, meqë rast informuam edhe z.Rama, shkëmbyem edhe mendimet edhe qëndrimet, për mua së pari si kryetar i komunës së Prishtinës dhe zyrtar i LVV. Po ashtu, dëgjuam qëndrimet e kryeministrit dhe të Republikës së Shqipërisë në përgjithësi”, tha Ahmeti.

Nga ana e tij, kryeministri Edi Rama ka shprehur interesimin e tij për punën e Shpend Ahmetit në nivelin komunal, duke thënë se nisur nga eksperienca e tij, udhëheqja e një komune, është puna më e vështirë.

Rama: Së bashku të bëjmë punë të mira

“Folëm për ecurinë e punës në Prishtinë dhe unë e ndjeva me shumë simpati përpjekjen  e kryetarit  sepse duke pas kaluar nga eksperienca e kryetarit të Bashkisë, e di mirë që është puna më e vështirë në botë. Duke i uruar Shpendit, kurajo dhe vendosmëri në realizimin e projekteve dhe ambicieve që ka për Prishtinën, duke e uruar për ndarjen si gjithmonë me sinqeritet të plotë të pikëpamjeve të tij lidhur me situatën. Jam mirënjohës për këto minuta që mi kushtoj dhe shpresoj shumë që së bashku të bëjmë punë të mira duke shfrytëzuar lidhjen e re dhe shumë të rëndësishme mes Bashkisë së Tiranës dhe Bashkisë së Prishtinës”, tha Rama.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama po qëndron në Kosovë, ku ka realizuar takim edhe me zyrtarë të AAK-së.

Gjatë ditës Rama do të takojë edhe kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa.

Rama diskuton me Ahmetin për zhvillimet e fundit në Kosovë

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama gjatë vizitës së tij në Kosovë është takuar edhe me kryetarin e Prishtinës Shpend Ahmeti.

Rama dhe Ahmeti në këtë takim thanë se kanë diskutuar për të gjitha çështjet politike në Kosovë, incidentet e fundit, dhe çështje tjera.

Sipas Ahmetit bashkë me kryeministrin Rama kanë shkëmbyer mendime dhe qëndrimet e tyre për këtë gjendje.

Ndërsa kryeministri Edi Rama tha se ka interes të dëgjoj nga kryetari i Prishtinës për pikëpamjet e tij politike dhe bashkëpunimi mes komunës së Prishtinës dhe bashkisë së Tiranës.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat