Paralajmërimi i Kocit, ja kur do të ngritën akuzat e para nga Gjykata Speciale

Aktuale

Paralajmërimi i Kocit, ja kur do të ngritën akuzat e para nga Gjykata Speciale

Më: 7 shkurt 2017 Në ora: 19:56
Avokati Arianit Koci

Shefja e misionit të EULEX-it në Kosovë, Aleksandra Papadopoulou ka emëruar nëntëmbëdhjetë gjykatës në Regjistrin e Gjykatësve Ndërkombëtarë të Dhomave të Specializuara.

Në këto emërime përfshihen posti i nënkryetarit dhe postet e katër gjykatësve të Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese.

Nga nëntëmbëdhjetë gjykatësit, asnjë nga ta nuk është shqiptar.

E, lidhur me këtë avokati Arianit Koci ka thënë se mosprezenca e asnjë gjyqtari vendor është e rregulluar me Ligjin për Dhomat e Specializuara.

“Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar e parasheh që në përbërjen e kësaj Gjykate nuk do të ketë gjyqtar vendor. Unë që nga fillimi kam deklaruar se këto krime të supozuara do të ishte më së miri të gjykohen nga Gjykatat vendore”, ka thënë Koci.

Ai ka theksuar se kjo pikë tanimë është e tejkaluar dhe nuk ka kthim prapa. Koci ka shtuar se nga lista e gjyqtarëve e publikuar sot, ai njeh së paku pesë prej tyre, nga përvoja që ka pasur duke mbrojtur raste të ndryshme, kur të njëjtit kanë qenë Gjyqtar të UNMIK-ut apo EULEX-it.

I pyetur se kur mendon se do të nisin proceset gjyqësore, avokati Koci theksoi se shumë shpjet më së largu në pranverë do të kemi akuzat e para.

“Rekrutimi i gjyqtarëve është indikacion se puna e Gjykatës Speciale ka hyrë në një dinamikë të re dhe se shumë shpejtë pritet të ngriten akuzat e para, apo të kemi fletarrestet e para. Sigurisht se ka edhe çështje të ndryshme logjistike dhe teknike që duhet të përfundohen, por besoj që në pranverë do të kemi lëvizje konkrete dhe do të dihet saktësisht dinamika e gjykimeve”, tha Koci.

Koci nuk ka dashur të komentojë rreth asaj se cili do të jetë impakti i Gjykatës Speciale në zhvillimet politike në vend, duke theksuar se nuk është personi i duhur që të flasë lidhur me këtë gjë.

Gjykatësit e emëruar sot nga Papadopoulou, do të jenë fizikisht të pranishëm në selinë e Dhomave të Specializuara vetëm me kërkesë të Kryetarit, për ushtrimin e detyrave që diktojnë praninë e tyre.

Ndërkaq nëpër media vazhdimisht kanë qarkulluar emra se kush mund të jenë të akuzuarit nga Gjykata Speciale, mirëpo deri me tash asnjë emër zyrtarisht nuk është publikuar nga Specialja.

Gjykata Speciale në seli në Hagë të Holandës do të merret me krimet e kryerja nga viti 1998 e deri në fund të vitit 2000.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat