“Faktet që dosja Haradinaj është e porositur nga struktura të regjimit të Millosheviqit, e sajuar nga Shërbimi Sekret Serb” - Bota Sot
“Faktet që dosja Haradinaj është e porositur nga struktura të regjimit të Millosheviqit, e sajuar nga Shërbimi Sekret Serb”

Aktuale

E mërkurë, 22 shkurt 2017

“Faktet që dosja Haradinaj është e porositur nga struktura të regjimit të Millosheviqit, e sajuar nga Shërbimi Sekret Serb”

Më: 8 shkurt 2017 Në ora: 10:53
Ramush Haradinaj, i arrestuar në Francë

Organizatat e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare në rajonin e Dukagjinit, gjegjësisht degët e OVL-së në Pejë, Deçan, Gjakovë e Istog, përmes një memorandumi i janë drejtuar autoriteteve franceze, ku në të janë prezantuar arsyet që sipas tyre, arrestimi i Ramush Haradinajt është e porositur nga strukturat politike të regjimit të Millosheviqit, e sajuar nga Shërbimi Sekret Serb dhe e shpërndarë nga njerëzit e këtij regjimi, përcjellë “Bota sot”.

Ja momerandumi i plotë:

MEMORANDUM LIDHUR ME ARRESTIMIN E RAMUSH HARADINAJT

Drejtuar:

Presidentit të Republikës së Francës, z. François Hollande,

Qeverisë së Republikës së Francës:

Kryeministrit, z. Bernard Cazeneuve,

Ministrit të Punëve të Jashtme, z. Jean-Marc Ayrault,

Ministrit të Drejtësisë, z.  M. Jean-Jacques Urvoas,

Asamblesë Nacionale të Republikës së Francës:

Kryetarit të Asamblesë Nacionale, z. Claude Bartolone

Kryetares së Komisionit Parlamentar për Marrëdhënie me Jashtë, Zonjës Elisabeth Guigou,

Kryetarit të Komisionit Parlamentar për Çështje Ligjore, z. Dominique Reimbourg

Zoti President,

Zotërinj Ministra,

Zonja dhe Zotërinj deputetë të Asamblesë Nacionale të Republikës Franceze,

Që nga 4 janari 2017, kur u ndalua Ramush Haradinaj në Aeroportin Bâle-Mulhouse në bazë të një urdhër arresti të lëshuar nga Serbia, autoritetet franceze vazhdimisht pohojnë se ky akt nuk ka asnjë dimension politik!

Në vijim të këtij memorandumi do të sjellim fakte që dëshmojnë se «Dosja Haradinaj» është dosje e porositur nga strukturat politike të regjimit të Millosheviqit, e sajuar nga Shërbimi Sekret Serb dhe e shpërndarë nga njerëzit e këtij regjimi. Si e tillë, akuza kundër z. Ramush Haradinaj, është një akuzë e motivuar politikisht dhe urdhër-arresti i lëshuar nga Serbia është urdhër- arrest i POROSITUR NGA POLITIKA e Beogradit.

Prandaj, në «Rastin Haradinaj» pretendimet për pavarësinë e institucioneve të drejtësisë franceze nga politika duhet të shqyrtohen në raport me origjinën e kësaj dosjeje, sepse njohja e origjinës së kësaj dosjeje do t’i mundësojë drejtësisë franceze të shmangë grackën e vendosur nga politika serbe.

Po fillojmë me gjenezën e përpilimit të dosjeve kundër udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

1. - Në konferencën për shtyp të datës 7 dhjetor 2003, të mbajtur në sallën e Kuvendit të Republikës së Serbisë, në praninë e shumë gazetarëve vendës dhe të huaj, kryeministri i Serbisë, Zoran Živkovi?-i, i shoqëruar nga zëvendës­kryeministri dhe shefi i Qendrës Koordinuese për Serbinë Jugore dhe për Kosovën dhe Metohinë, Nebojša ?ovi?-i, si dhe nga shefi i Shërbimit Sekret Serb (BIA), Miša Mili?evi?-i, njoftuan se kanë publikuar dosjet e përgatitura nga Shërbimi Sekret i Serbisë kundër “terroristëve” shqiptarë të Kosovës.

Udhëheqësit serbë shpjeguan se libri i titulluar «Terrorizmi Shqiptar dhe Kriminaliteti i Organizuar në Kosovë dhe Metohi» si dhe mbi 27 mijë faqe të sistemuara në format të CD-ve ishin përgatitur nga Shërbimi Sekret i Serbisë me qëllim që “të ofrojnë prova për krimet e kryera në Kosovë, prova që mund t’i shërbenin Tribunalit të Hagës”. Të gjitha dosjet e sajuara nga Shërbimi Sekret Serb iu dorëzuan Carla Del Ponte-s nga Departamenti i Jurisprudencës së Serbisë.

Ju rikujtojmë se Shefi i Shërbimit Sekret serb që përpiloi dosjet kundër luftëtarëve të UÇK-së ishte Miša Mili?evi?-i, njëri ndër kuadrot më besnikë të Slobodan Miloševi?-it. Bëhet fjalë për personin që u arrestua për vrasjen e kryeministrit demokrat serb, Zoran ?in?i?-it dhe i cili u lirua në “mungesë provash” përderisa 15 anëtarë të këtij shërbimi u dënuan për atentatin kundër kryeministrit serb.

-A mund t’u besohet dosjeve të sajuara nga ky shërbim sekret? Dëshmitë e dy personaliteteve serbe që ishin në pozita kyçe në kohën e kryerjes së krimeve mjaftojnë për të krijuar një ide rreth për organizimin dhe kryerjen e krimeve.

Dëshmia e parë vjen nga shkrimtari serb dhe kryetari i Lëvizjes së Ripërtëritjes Serbe Vuk Draškovi?-i, i cili gjatë luftës në Kosovë ishte Zëvendës-kryeministër i Jugosllavisë dhe i ngarkuar të udhëhiqte marrëdhëniet me jashtë. I pyetur rreth kësaj çështjeje Vuk Draškovi?-i deklaroi për gazetën serbe «Kurir»: “U vendos që Shërbimi Sekret serb të kryente një varg sulmesh terroriste kundër civilëve serbë dhe shqiptarë të cilat duhej t’i visheshin UÇK-së. Qëllimi i këtyre sulmeve ishte që UÇK-ja të paraqitej në sytë e bashkësisë ndërkombëtare si organizatë terroriste. Në të njëjtën kohë, përmes këtyre aksioneve do t’u jepej zjarr ndjenjave antishqiptare në Kosovë dhe në tërë Serbinë (...)”. Ndërsa ish-Shefi i Shërbimi Sekret serb, Rado­mir Markovi?-i, në letrën e tij drejtuar Presidentit të Serbisë deklaroi:  “Nëse e publikoj listën e të gjitha krimeve që janë kryer nga Shërbimi Sekret serb ndaj serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë shteti i Serbisë do të gjunjëzohet”.

2. - Përveç faktit se Shërbimi Sekret i Serbisë që i përgatiti dosjet kundër udhëheqësve të UÇK-së udhëhiqet nga njerëzit e besueshëm të Slobodan Miloševi?-it, është e pakontestueshme se në krye të institucioneve të Serbisë, në të gjitha nivelet, janë bashkëpunëtorë dhe bashkëpërgjegjës të «Kasapit të Ballkanit».

Kështu, Ljubiša Dikovi?-in, i cili komandoi operacionet e Brigadës së 37 të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave që është përgjegjëse për vrasjen e rreth dy mijë civilëve shqiptarë të Kosovës, pas përfundimit të luftës, më 16 qershor 1999, Slobodan Miloševi?-i e dekoroi me urdhrin më të lartë: dekoratën Hero i popullit.

Organizata joqeveritare serbe «Fondi për të Drejtën Humanitare» ngriti padi penale kundër Ljubiša Dikovi?-it për përgjegjësitë e tija në krimet e kryera në Kosovë.  Dosja e detajuar rreth krimeve dhe përgjegjësisë së Ljubiša Dikovi?-it është e publikuar në faqen e internetit të kësaj organizate.

Gjykata serbe për krime lufte e liroi nga akuza dhe në vend të dënimit si kriminel, u ngjit në karrierën e vet profesionale dhe dymbëdhjetë vjet më vonë « Heroi » i Millosheviqit u emërua Shef i Shtabit të Përgjith­shëm të Ushtrisë serbe.

Ljubiša Dikovi? vazhdon të jetë në atë funksion. Ndërkaq shef i shërbimeve sekrete ushtarake serbe u emërua Momir Stojanovi?-i, përgjegjës për aktin gjenocidar të kryer në Meje më 27 prill 1999, gjatë të cilit u vranë 377 civilë shqiptarë.

Avancimi në pozita të larta i kuadrove të shumta ushtarake, policore dhe të shërbimeve sekrete serbe që kishin kryer krimet më të tmerrshme në Kosovë, shpjegon arsyen pse dosjet e sajuara kundër udhëheqësve të UÇK-së nga këto struktura janë ende aktive.

3. Tomislav Nikoli?-i, Presidenti i Serbisë, është përgjegjës i drejtpërdrejtë i krimeve në Kroaci dhe si nënkryetar i Partisë Radikale Serbe të Vojislav Šešelj-it ka qenë i implikuar në krimet në Kosovë. Që nga pavarësia e Kosovës, Tomislav Nikoli?-i nuk është duke i ndalur kërcënimet për përdorimin e të gjitha mjeteve për ta kthyer Kosovën nën sovranitetin serb. Për të gjitha qarqet politike të shteteve të BE-së Tomislav Nikoli?-i është i njohur si ekstremist dhe nxitës konfliktesh.

4. - Kryeministri aktual i Serbisë, Aleksandar Vu?i?, është njëri nga politikanët më të besueshëm të Slobodan Miloševi?-it. Gjatë luftës në Kosovë, Aleksandar Vu?i?-it iu besua të udhëhiqte Ministrinë e Informatave, këtë instrument të propagandës më të ashpër të regjimit të Miloševi?-it. Aleksandar Vu?i?i mbeti në postin e ministrit të propagandës deri në momentin e rrëzimit të Millosheviqit nga pushteti. Ky ministër mbahet mend për imponimin e Ligjit për informim, mbylljen e të gjitha medieve që nuk i nënshtroheshin diktatit të Miloševi?-it dhe dëbimin e gazetarëve të huaj nga Kosova. Kjo politikë synonte ta shndërronte Kosovën në një «Teatër me dyer të mbyllura» ku luhej tragjedia shqiptare në Kosovë.

Në dhjetor të 2013, Aleksandar Vu?i?-i deklaroi në emisionin «Teška re?» në “TV Pink”, Beograd, se: “Në Serbi pushteti vriste edhe ata që mendonin ndryshe, edhe kun­dërshtarët e vet. Ky është një problem i tmerrshëm për vendin tonë. Fjala është për pushtetin, pjesë e të cilit kam qenë edhe unë, por në gjëra të tilla nuk kam marrë pjesë (...) Ka shumë gjëra të tmerrshme, me të cilat duhet të ballafaqohemi. Për shembull vrasjen e gjashtë të rinjve serbë në kafenenë «Panda» të Pejës në vitin 1998. Nuk ka fakte se këtë krim e kanë kryer shqiptarët, ashtu siç është besuar”. Megjithëse Aleksandar Vu?i? pranoi gabimet e veta politike por mohoi të ketë marrë pjesë drejtpërdrejtë në krime.

5. Krahas Aleksandar Vu?i?-it, Ivica Da?i?-i, që nga viti 1992 e deri në rrëzimin e Millosheviqit nga pushteti në vitin 2000, ushtroi funksionin e Zëdhënësit të Partisë së Sllobodan Millosheviqit. Si njeriu më besnik i regjimit të moçëm, Ivica Da?i?-i udhëheq partinë e Sllobodan Millosheviqit që nga viti 2006. Ndërsa aktualisht është në dy postet strategjike: Zëvendës Kryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme të Serbisë.

6. - Kryetar i Këshillit të Kuvendit të Serbisë për Kosovë është Milovan Drecuni. Ky funksionar i Shërbimit Sekret serb operonte në Kosovë nën maskën e gazetarit për çështje ushtarake në Radio-Televizion e Serbisë. Për kontributin që ka dhënë në Kosovë në përmbushjen e detyrave të caktuara nga regjimi i Miloševi?-it, Milovan Drecun-i u dekorua nga gjeneralkoloneli famëkeq serb Nebojša Pavkovi?-i me dekoratën më të lartë që ndonjëherë kishte marrë ndonjë gazetar.

Për përgjegjësitë në krimet e kryera në Kosovë, gjeneralkoloneli famëkeq serb Nebojša Pavkovi? u dënua nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës me 22 vjet burg. 

Më 1 korrik 2009, në Gjykatën për Krime Lufte në Serbi, Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë dorëzoi padinë kundër gazetarëve të Radio Televizionit të Beogradit, të Radio Televizionit të Novi Sadit si dhe kundër gazetarëve të gazetave “Politika”, “Ve?ernje Novosti” dhe të gjithë atyre që gjatë shpërbërjes së Federatës Jugosllave u vunë në shërbim të propagandës luftënxitëse.

Në mesin e gazetarëve që u paditën për manipulime mediatike në funksion të nxitjes së krimeve në Kosovë, Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë akuzoi edhe Milovan Drecun-in. Në vend të dënimit, ai u avancua në funksione të rëndësishme shtetërore dhe tani  flet në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Kuvendit të Serbisë për Kosovën!

Zoti President,

Zotërinj Ministra,

Zonja dhe Zotërinj deputetë të Asamblesë nacionale të Republikës franceze,

Faktet e lartpërmendura janë vetëm maja e ajsbergut e materialeve që posedoj dhe që dëshmojnë se « Dosja Haradinaj », në të njëjtën masë si edhe dosjet tjera të sajuara kundër udhëheqësve të UÇK-së, është dosje e motivuar politikisht dhe e sajuar nga Shërbimi Sekret i Serbisë.

Mbi bazën e këtyre dosjeve Ramush Haradinaj u ballafaqua me drejtësinë ndërkombëtare në Hagë. Dosja kundër Ramush Haradinajt ishte publikuar nga Shërbimi Sekret serb para se të shndërrohej në aktakuzë nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë. Madje, edhe vetë Carla Del Ponte pohoi në librin e vet se “për aktivitetet kriminale të pjesëtarëve të UÇK-së ishte informuar gjatë vizitave të saja në Beograd”. Siç e dini, Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë e shpalli Ramush Haradinajn të pafajshëm në të gjitha akuzat.

Institucionet e drejtësisë serbe janë institucione që funksionojnë nën diktatin politik. Aktivizimi i akuzave të vjetra të fabrikuara nga njerëzit e regjimit të Miloševi?-it, që janë aktualisht në krye të shtetit serb, e kanë vënë në sprovë drejtësinë franceze. Që të shmangë grackën e politikës serbe drejtësia franceze duhet ta lirojë menjëherë dhe pa asnjë kusht Ramush Haradinajn. Ky veprim është veprim i vetëm serioz dhe me dinjitet i një drejtësie vërtetë të pavarur.

Zoti President, Zotëri Ministra, Zonja dhe Zotërinj deputetë të Asamblesë nacionale të Republikës franceze,

Në përfundim të këtij memorandumi ju shprehim gatishmërinë tonë të plotë për çfarëdo informate shtesë lidhur me faktet e lartpërmendura.

Me respekt,

- Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, degët në Deçan, Gjakovë, Pejë, Istog;

- Shoqata e Invalidëve të Luftës së UÇK-së, degët në Deçan, Gjakovë, Pejë, Istog;

- Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të Luftës së UÇK-së, degët në Deçan, Gjakovë, Pejë, Istog.

Abdyl Mushkolaj, kryetar i Degës së OVL UÇK-Deçan

Sadri Hoxha, kryetar i Degës së OVL UÇK – Gjakovë

Gazmend Syla, kryetar i Degës së OVL UÇK – Pejë

Bekë Berisha, kryetar i Degës së OVL UÇK – Istog

Prishtinë, më 7 shkurt 2017

Komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh A duhet të ratifikohet demarkacioni vetëm që të liberalizohen vizat?
    test