“Specialja do ta vërtetojë se dora e zezë e SHIK-ut kreu vrasjet politike”

Aktuale

“Specialja do ta vërtetojë se dora e zezë e SHIK-ut kreu vrasjet politike”

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 11 shkurt 2017 Në ora: 11:06
Ilustrim

Pas emërimit të 19 gjyqtarëve, hapi i radhës i procesit të konsolidmit të Gjykatës Speciale, do të jetë seanca e parë plenare për të cilën Kryetarja e gjykatës Ekaterina Trendafilova ka thënë se do të mbahet së shpejti. 

Zyrtarë të afërt me Gjykatën kanë pohuar për mediet vendore se, akuzat e para mund të hapen në pranverën e këtij viti.

Por ende nuk dihet nëse Gjykata Speciale, do të hetojë edhe ish-Shërbimin Informativ të Kosovës, organizatë kjo që për vite me radhë, është etiketuar si organizatore e vrasjeve politike të veprimtarëve politik, veçmas të LDK-së, para dhe pas luftës.

Gazeta “Bota sot” ka pyetur zëdhënësin e Prokurorit të Specializuar, Joao Sousa, nëse Gjykata Speciale do të merret edhe me hetimin e kësaj organizate, por nuk ka marrë përgjigje.

Por, sipas analistëve vendorë, ka shumë krime dhe vrasje, për të cilat duhet të gjykohet kjo organizatë.

“Dora e zezë e SHIK-ut, ka vepruar në veprimtarët politikë të LDK-së”

Analisti Hidajet Ahmeti, ka thënë për gazetën “Bota sot”, se në qindra raste të vrasjeve politike të pas luftës, dyshohet se organizata ilegale SHIK ka gisht në to.

Mirëpo, sipas tij, sistemi i drejtësisë në Republikën e Kosovës nuk ka bërë as edhe një hap për t’i hetuar të “vërtetat” e dyshimta.

“Si rezultat i mos funksionimit efikas, efektiv dhe pavarësisë  së sistemit të drejtësisë, u paraqit nevoja e domosdoshme për themelimin e një Gjykate Speciale, e cila bie ndesh me vlerat dhe idealet, misionin dhe objektivin e UÇK-së. Kuvendi i Republikës së Kosovës votoi Ligjin për Gjykatën Speciale, i cili ka për objektiv të hetojë krimet e supozuara të UÇK-së, dhe ka të specifikuar shumë qartë mandatin dhe periudhën kohore që do të hetojë krimet e supozuara. Ka ekzistuar një shpresë e madhe që kjo Gjykatë do të hetonte edhe vrasjet politike ku dyshohet se dora e zezë nën urdhrin e organizatës kriminale ShIK, ka vepruar në veprimtarët politikë të LDK-së”, ka thënë Ahmeti.

Kështu, sipas tij, ka qenë e udhës që kësaj Gjykate t’i jepet mandati për të hetuar vrasjet politike të pas luftës dhe njëherë e përgjithmonë të mbyllen debatet spekulative për opinionin publik dhe dorasit t’a vuajnë dënimin e merituar.

“Mos futja brenda mandatit të kësaj gjykate edhe hetimi i vrasjeve politike të pas luftës, është një lëshim i panevojshëm për institucionet e brishta të Republikës së Kosovës dhe është një thellim i humbjes së shpresës se një ditë do të zbardhën këto krime. Kam një dozë të theksuar në funksionimin e pavarur të sistemit të drejtësisë në Republikën e Kosovës, pasi që e vërteta e funksionimit të tij është shumë e hidhur. Futja e dorës së politikës në sistemin e drejtësisë të bën të kuptosh se krimi jo që do të hetohet e zbulohet, por do të lulëzojë edhe në të ardhmen”, është shprehur ai.

Shpresat për ndëshkimin e “Pront-istëve”

Tutje, analisti Hidajet Ahmeti, ka theksuar se, emërimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve përmes telefonatave si në rastin “Pronto”, është realiteti objektiv i funksionimit dhe efikasitetit që domosdo përkthehet në shpresën dhe besimin e humbur qytetar për sistemin e drejtësisë në Republikën e Kosovës.

“Nëse më të vërtet institucionet e Republikës së Kosovës e në veçanti krerët më të lartë institucional, e kanë vullnetin dhe guximin për t’i hetuar vrasjet politike të pas luftës, mund t’ia japin mandatin Gjykatës Speciale për t’i hetuar këto vrasje, duke bërë plotësim-ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale. Por, dyshoj se sistemi i drejtësisë  në Kosovë mund ta bëjë një hetim të tillë, gjithherë duke pasur parasysh ndjeshmërinë e rasteve dhe kapjen e këtij sistemi nga politika”, ka theksuar ai.

Zogaj: Specialja ka për t’ua vënë prangat "peshqve të mëdhenj"

Kurse, sipas analistit Skënder Zogaj, roli dhe rëndësia kryesore e Gjykatës Speciale është që ta thyejë mitin e heshtjes dhe të frikës së njerëzve për ta denoncuar rrjetin e sofistikuar të krimit dhe korrupsionit të organizuar.

“Ky rrjet i ka kapur institucionet vitale të shtetit dhe për 17 vjet i ka shkaktuar plagë të thella popullit dhe vendit, duke ia prekur krye vlerat. Duhet të mjaftohemi me Gjykatën Speciale nëse ajo do të ketë sukses për t'ua vënë prangat "peshqve të mëdhenj" që supozohet se i përkasin kokës mafioze”, ka thënë Zogaj për gazetën “Bota sot”.

Për analistin Zogaj, do të mjaftonte që vetëm dhjetë persona të hetohen nga drejtësia e vërtetë në mënyrë që edhe institucionet do të çliroheshin nga ankthi dhe, pas kësaj, sipas tij, do të ringjallej edhe drejtësia e Kosovës.

“Mjafton që 10 të këtillë të hetohen nga drejtësia e vërtetë dhe, pastaj, njerëzit dhe institucionet do të çlirohen nga ankthi dhe, pas kësaj do të ringjallet edhe drejtësia e Kosovës e cila, do të ketë  nevojë për interesat e veta,  që pa kompromis te merret me luftimin e krimit, duke u nisur nga radhët e veta, që aktualisht janë të zhytura në korrupsion”, ka thënë Zogaj.

SHIK-istët, “argatë” të rangut të dytë të keqbërjes

Sipas tij, nuk ka asnjë fije dyshimi se SHIK-u, është gjithashtu shumë i implikuar në veprimtarinë kriminale, sidomos në organizimin e vrasjeve politike dhe një gjë të tillë, siç ka shtuar ai, do ta vërtetojë procesi hetimor i Gjykatës Speciale.

“Sa i përket SHIK-ut të ilegales, nuk ka asnjë fije dyshimi se është gjithashtu shumë i implikuar në veprimtarinë kriminale, sidomos në organizimin e vrasjeve politike. Këtë do ta verifikojë edhe procesi hetimor i Gjykatën Speciale, që do ta çojë te SHIK-u, por, shik-istët nuk do të jenë shumë “interesant”, sepse ata janë shërbëtorë të bosëve të mëdhenj, apo më saktë “argatë” të rangut të dytë të keqbërjes, prandaj është krejtësisht normale që pjesëtarët e SHIK-ut të “lehtësohen” përveç atyre me rol të veçantë dhe që do të tentojnë të fshehin dëshmi të njohura nga veprimtaria e tyre. Me SHIK-un kanë për t'u marrë gjykatat e Kosovës, pasi të kryejë punë Gjykata Speciale”, ka përfunduar Zogaj.

Miftari: SHIK-u, nuk do të hetohet edhe 100 vitet e ardhshme

Edhe Naim Miftari, ish pjesëtar i SHIK-ut, ka thënë për gazetën “Bota sot”, se kjo ish-Organizatë, duhet të hetohet.

“Po, SHIK-u duhet të hetohet dhe të gjitha elementet e sigurisë të pas luftës dhe çdo individ apo organizatë që dyshohet për vrasje apo krim të organizuar. Çdo krim apo i dyshuar duhet të hetohet, por kjo nuk lejon të bëhet politikë apo gjeti shtrigash kundër kundërshtarëve politikë’, ka thënë Miftari për “Bota sot’.

Por, ai ka theksuar se nuk beson që SHIK-u do të hetohet, të paktën deri në 100 vitet e ardhshme, meqë pas nuk ka vullnet politik as guxim shtetëror.

“Me këta gjyqtarë apo prokurorë vendor, SHIK-u, nuk do të hetohet edhe 100 vitet e ardhshme”, është shprehur ai.

Ndryshe,ideja për themelimin e gjykatës së posaçme për krime lufte në Kosovë, pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Marty, raporti i të cilit i paraqitur ne Këshillin e Evropës gjashtë vjet më parë, përmban akuza ndaj ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për rrëmbime, keqtrajtime, vrasje pa gjyq dhe në disa raste marrje me forcë organesh njerëzore dhe trafikim të tyre nga Shqipëria gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Në vitin 2011 Bashkimi Evropian krijoi një Grup të Posaçëm për të hetuar rreth akuzave të raportit të Marty-t./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat