Vrasja e Ilmi Lufajt, dëshmojnë polici dhe shoku i viktimës

Aktuale

Vrasja e Ilmi Lufajt, dëshmojnë polici dhe shoku i viktimës

Më: 15 shkurt 2017 Në ora: 22:33
Pamje nga seanca e sotme e gjykimit të zyrtarit policor, Shefqet Kameraj

Zyrtari policor, Tahir Mazrekaj dhe dëshmitari Besfort Elshani rrëfyen për incidentin në të cilin polici Shefqet Kameraj e vrau Ilmi Lufajn.

Zyrtari policor, Tahir Mazrekaj dhe dëshmitari Besfort Elshani kanë dëshmuar në Gjykatën e Pejës rreth asaj së çfarë kanë parë natën e 18 prillit të vitit të kaluar, kur rreshteri i Policisë, Shefqet Kameraj kishte privuar nga jeta Ilmi Lufajn afër Stacionit Policor të Deçanit.

Tahir Mazrekaj tha se në natën tragjike kishte dalë në punë me urdhër të zëvendësshefit të hetimeve, tani i akuzuari Shefqet Kameraj.

Në dëshminë e tij Mazrekaj tha se atë natë kishte dalë në vendin ku kishte pasur të shtëna me armë zjarri, në qendër të Deçanit.

Ai tha së fillimisht ishte me kolegun Enver Balaj, por më pas në vendin e dytë ku po bënte ekzaminimin e vendit të ngjarjes kishte ardhur kolegu tjetër për t’i asistuar, Abedin Çeku, kurse polici Balaj tha se ishte vendosur te porta e Stacionit.

“Pastaj i kam dëgjuar dy krisma. I thash Abedinit: a dëgjove edhe ti? Tha: po. Jemi nisur në drejtim të Stacionit që të dalim të organizuar të shohim çka ka ndodhë. Kam vazhduar në drejtim të Stacionit, e kam takuar kolegun Enver Balaj te porta. I thash u dëgjuan dy  disa krisma. Enveri më tha: Mozomakeq, rreshteri e vrau Lufin. I thash: kush o Lufi? Tha: Ilmi Lufaj. Tani i kam thanë të vazhdojmë me ndihmën e parë”, dëshmoi polici Mazrekaj.

Ai tha së për herë të parë të ndjerin Lufaj e kishte parë të shtrirë në tokë gjersa po ndihmonte që ai të dërgohej për ndihmën e parë.

Gjatë seancës së sotme ka dëshmuar edhe Besfort Elshani.

Ai tha se me herët kishte qenë i ftuar i Ilmi Lufajt në një ndejë të organizuar nga shoqëria në një lokal të Deçanit.

Elshani tha se pas një ore kishte dalë nga aty dhe ishte duke shkuar në punë.  Ai tha se më pas është ndalur nga Policia në fshatin Ramun të Pejës dhe është shoqëruar deri në Stacionin Policor të Deçanit.

“Duke shkuar në Stacionin Policor të Deçanit e kam njoftuar Ilminë se me ka ndalur Policia në Deçan dhe nëse ndodh diçka lajmëro familjen. E kam lajmëruar atë sepse kam qenë edhe i ftuar i tij edhe është i atij vendi”, tha Elshani.

Besfort Elshani deklaroji se pasi kishte arritur në Stacionin Policor të Deçanit e kishte kuptuar arsyen se është ndaluar se ka pasur të shtëna me armë zjarri disa orë më parë në qendër të Deçanit.

“Duke dhënë deklaratën brenda Stacionit ka ardhur polici përgjegjës për bastisje të veturës, ka qenë ky Shefqeti. Kur jam dal jashtë, Ilmia ka qenë te dera e Stacionit. Unë makinën e kam pasë në oborr të Stacionit”, tha ai.

Elshani tregoi versionin e tij për konfrontimin e parë mes rreshterit Kameraj dhe Ilmi Lufajt te porta e Stacionit Policor.

“E ka kap Shefqeti i ka thanë me dal jashtë. Ilmia nuk e di saktë a ka dashtë me dalë a jo. Edhe pas dy sekondave e ka nxerrë pistoletën Shefqeti edhe ia ka drejtuar Ilmiut”, tha Elshani.

Më tej, dëshmitari Elshani tha se më pas zyrtarë të tjerë policorë e kishin larguar nga porta e Stacionit Policor Ilmi Lufajn, kurse rreshteri Shefqet Kameraj ishte kthyer për t’ia bastisur veturën.

Sipas Besfort Elshanit, rreshteri Kameraj veturën  e tij e kishte bastisur vetëm 2-3 minuta, pastaj ishte larguar në drejtim të Lufajt, i cili në ato momente, siç deklaroi ai, gjendej jashtë rrethojave të Stacionit.

“Unë mbeta në oborr me një polic që e ka mbiemrin Shala, kurse pas disa momenteve dëgjova krisma, Më doket dy krisma kanë qenë. Pastaj polici me ka shti mua në dhomën e paraburgimit dhe nuk kam ditur çfarë po ndodhë”, deklaroi Elshani.

I akuzuari Shefqet Kameraj i tha dëshmitarit Elshani se a i kujtohet kur i është drejtuar ai të ndjerit Ilmi Lufaj që “mos ta pengoj policin ta kryejë detyrën e tij”, kur po i bastisej vetura.

Elshani tha së nuk i kujtohet t’i jetë drejtuar të ndjerit me ato fjalë, por as nuk e mohoi një gjë të tillë.

Besfort Elshani tha së shumë gjera nuk i kujtohen sepse ngjarja që ka ndodhur  ka qenë e rëndë dhe po e përcjell vazhdimisht.

Gjatë seancën së sotme pritej të dëshmonte edhe zyrtari policor Abedin Çeku, mirëpo gjatë pauzës Policia e Kosovës kishte arrestuar avokatin e të akuzuarit, Haxhi Çekaj, gjë që shty trupin gjykues ta ndërpresë seancën për mungesë të kushteve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat