Thaçi: Kemi arritur shumë për nëntë vjet shtet

Aktuale

Thaçi: Kemi arritur shumë për nëntë vjet shtet

Më: 16 shkurt 2017 Në ora: 15:37
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi

(E plotësuar) - Duke folur në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës e cila po mbahet për nder të nëntë vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës Presidenti Thaçi tha se nëntë vjet më parë, këtu në Kuvendin e Kosovës, ka përfunduar një ëndërr për të filluar një ëndërr tjetër.

“Ka përfunduar një angazhim për të filluar një tjetër. Ka përfunduar puna për lirinë dhe shtetin e Kosovës. Dhe ka filluar angazhimi për një Kosovë anëtare të NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Për një Kosovë të ndërtuar mbi vlerat dhe parimet e lirisë, të barazisë, të drejtësisë dhe gjithëpërfshirjes. Për një Kosovë të të gjithë qytetarëve të saj, në të cilën secili do të jetë i lirë të gjejë lumturinë e tij pa u cenuar nga të tjerët dhe pa cenuar të tjerët”, u shpreh presidenti Thaçi.

 Kur vlerësojmë këto nëntë vjet e kuptojmë se sa larg kemi arritur, ka thënë Thaçi, duke shtuar se nga sfidat e përditshme nganjëherë nuk shohim hapat e mëdhenj që kemi bërë.

Por, sipas tij, janë vëllezërit dhe motrat tona nga diaspora që vijnë për vizitë në shtëpi që na e kujtojnë sesa shumë është zhvilluar Kosova jonë.

 “Sa është ndërtuar shteti ynë. Janë ndërtuar qytetet, fshatrat, janë ndërtuar shkollat dhe arat e punës, janë shtruar rrugët dhe autostradat. Por, diçka ka mbetur pa ndryshuar. Kjo është dashuria jonë për shtëpinë tonë, për njëri-tjetrin. Mbi këtë dashuri për vendin tonë po punojmë të ndërtojmë të ardhmen tonë më të mirë për ne dhe për gjeneratat që do të vijnë”, ka thënë presidenti Thaçi.

 Presidenti Thaçi në Kuvendin e Kosovës i ka përmendur edhe të arriturat e Kosovës në këto 9 vjet.

“Kosova sot është e njohur si shtet nga 82 për qind e BE-së, 86 për qind e NATO-s, 56 për qind e OKB-së, 100 për qind e Forumit të Ishujve të Pacifikut, 61 për qind e Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, 57 për qind e KARIKOM dhe 49 për qind e Unionit Afrikan”, është shprehur presidenti Thaçi.

 Ai ka thënë se kemi ndërtuar institucione demokratike që u bëjnë ballë sfidave të politikës.

“Kemi ndërtuar policinë më profesionale në rajon. Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë të Kosovës garojnë në stërvitjet më të vështira në botë dhe kthehen me medalje të artë. Kemi integruar të gjitha komunitet dhe punojmë çdo ditë që asnjë qytetar të mos ndihet i përjashtuar, pa marrë parasysh përkatësinë e tij etnike, religjioze, gjininë apo orientimin seksual. Kemi ndërtuar marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët tanë e madje kemi vënë marrëdhënie bashkëpunimi edhe me Serbinë”, tha Thaçi.

 Në mediat e botës, presidenti Thaçi ka thënë se Kosova më nuk zë vend me storiet për luftën dhe vuajtjet, por me storiet për sukseset në ndërtim të shtetit dhe promovimit të paqes dhe dialogut.

 Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka thënë se bota e njeh Kosovën duke iu falënderuar edhe sportistëve dhe artistëve të Kosovës.

 Duke përmendur Majlinda Kelmendin, Nora Gjakovën, Rita Orën, Dua Lipën, ekipin e filmit “Home”, atë të filmit “Shok” dhe futbollistët e basketbollistët tanë, presidenti Thaçi ka thënë se kjo është Kosova që sot sheh bota.

Deputetëve të Kuvendit të Kosovës, presidenti Thaçi u ka thënë se këtu nuk merr fund puna e tyre.

Ai ka thënë se sot festohet dhe kujtohen  sakrificat dhe të arriturat, por edhe zotimet për të vazhduar punën për ndërtimin e shtëpisë duke e çuar Kosovën drejt NATO-s dhe BE-së.

 Duke aluduar në polarizimet e mëdha politike gjatë këtij viti, presidenti Thaçi ka thënë se mund të dallojmë në bindjet tona politike, në pikëpamjet tona për botën a shoqërinë tonë, por duhet të jemi unik në përkushtimin tonë për të ruajtur shtetin e Kosovës.

Dita e Republikës, vetë historia e Kosovës

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës për nëntë vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Dita e Republikës, vetë historia e Kosovës

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës për nëntë vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Fjalimin e tij, presidenti Thaçi e ka nisur duke ua uruar përvjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës të gjithë deputetëve dhe qytetarëve të Kosovës.

Gjithashtu, në Kuvendin e Kosovës, presidenti Thaçi ka përcjellë edhe urimet që ka pranuar nga presidenti Trump.

“Jemi përherë mirënjohës për miqësinë tonë dhe për marrëdhënien tonë speciale. Jemi krenar të jemi partnerë dhe të ndajmë vlera dhe interesa të përbashkët për vendet tona, për botën. Këshillat dhe ndihma amerikane kanë qenë gjithmonë në thelb të progresit tonë si shtet dhe komb”, ka thënë presidenti Thaçi.

Gjithashtu, presidenti Thaçi ka përcjellë urimet e përzemërta edhe të Lartmadhërisë së saj, Mbretëreshës Elizabetë, nga Lartmadhëria e Tij, Mbreti Harald i Norvegjisë, Lartmadhëria e tij, Mbreti Filip i Belgjikës, nga Shkëlqesia e tij, Sheiku Al-Sabah, Emir i Kuvajtit, nga presidenti Vander Bellen i Austrisë, nga presidenti Ader i Hungarisë, nga presidentja Grabar-Kitaroviq dhe presidenti i Malit të Zi, Vujanoviq, etj.

“I falënderojmë të gjithë krerët e shteteve e të qeverive të vendeve që kanë dërguar urimet e tyre për këtë ditë të shënuar. Në fakt, kjo është ditë e shenjtë për neve dhe për gjeneratat që do të vijnë. Është dita kur janë kurorëzuar sakrifica dhe ëndrra që edhe qytetarët e Kosovës të jetojnë të lirë, të barabartë me të tjerët, në shtetin e tyre”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai ka thënë se e kemi dëshiruar këtë ditë, kemi duruar për këtë ditë, jemi flijuar dhe kemi fituar për këtë ditë.

“Sot, mendimi i parë, është për të gjithë ata që dhanë çdo gjë që patën që ne të gëzojmë këtë ditë. Sot jemi më afër se çdo ditë tjetër me heronjtë tanë, me dëshmorët tanë, me familjet e dëshmorëve, me familjet e të pagjeturve. Prandaj 17 shkurti është ditë e shenjtë për Kosovën. Është vetë historia e Kosovës. Është dita e Republikës”, ka thënë presidenti Thaçi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat