Thaçi pjesëmarrës në Konferencën e Sigurisë në Mynih

Aktuale

Thaçi pjesëmarrës në Konferencën e Sigurisë në Mynih

Më: 17 shkurt 2017 Në ora: 12:53
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi

Me ftesë të ambasadorit Wolfgang Ischinger, presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka udhëtuar për në Gjermani, ku do të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih (MSC).

Presidenti Thaçi bashkë me 500 liderë botërorë do të marrë pjesë në këtë konferencë, e cila në pesë dekadat e fundit është shndërruar në një tubim të rëndësishëm për komunitetin strategjik ndërkombëtar.

Sipas një komunikate të Presidencës, gjatë konferencës, presidenti Thaçi pritet të zhvillojë takime me përfaqësues të shteteve të ndryshme dhe me liderë botërorë.

Në këto takime, ai do të flasë për agjendën euroatlantike të Republikës së Kosovës.

Që nga themelimi i saj më 1963 nën emrin “"Internationale Wehrkunde-Begegnung”, Konferenca e Sigurisë në Mynih ka qenë një forum i pavarur që i kushtohet promovimit të zgjidhjeve paqësore të konflikteve, si dhe bashkëpunimit ndërkombëtar dhe dialogut.

Konferenca e Sigurisë në Mynih hapet sot dhe do të zgjasë deri të dielën më 19 shkurt.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat