Katër 17 shkurtat nëpër gjykata të Ramush Haradinajt

Aktuale

Katër 17 shkurtat nëpër gjykata të Ramush Haradinajt

Më: 17 shkurt 2017 Në ora: 17:08
Ramush Haradinaj para Gjykatës në Colmar të Francës

Për shkak të përballjeve me gjykatat ndërkombëtare, Ramush Haradinaj nuk ishte në Kosovë gjatë shpalljes së pavarësisë dhe në tre përvjetorë të saj.

Ish-Kryeministri i Kosovës dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës nuk ishte në Kosovë për të shënuar 9 vjetorin e pavarësisë.

Kjo është hera e katërt që ish-komandanti i UÇK-së në Zonën e Dukagjinit nuk do festojë pavarësinë për shkak të vendimeve dhe kërkesave të rokurorive  e gjykatave ndërkombëtare.

Haradinaj në ditën e shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt të 2008-ës nuk kishte qenë në Kosovë për shkak se ishte duke u gjykuar në Hagë për krime të lufte.

Ai ishte shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Hagës dy muaj më vonë, në prill të 2008-ës.

Megjithatë, më vonë Gjykata e Hagës kishte vendosur që ta kthejë në rigjykim rastin e Haradinajt.

Rigjykimi ia mohoi Haradinajt për dy vjet rresht praninë në Kosovë gjatë përvjetorëve të pavarësisë.

Ai qëndroi në Hagë në vitet 2011 dhe 2012 duke rifituar përsëri lirinë dhe duke u kthyer në Kosovë në nëntor të 2012-ës.

Për 4 vjet me radhë Haradinaj festoi përvjetorët në liri, derisa policia franceze e arrestoi më 4 janar në bazë të një fletarresti të INTERPOL-it të lëshuar nga Serbia.

Në përvjetorin e nëntë të shpalljes së pavarësisë, Haradinaj e ka të ndaluar ta lëshojë Francën dhe po qëndron atje, derisa ky shtet të vendosë rreth kërkesës për ekstradim të Serbisë.

Gjykata franceze, përcjell kallxo, vendimin për Haradinajn pritet ta marrë më 2 mars.

Sot në urimin e tij për 9 vjetët e shtetësisë e Kosovës Kryeministri Isa Mustafa në veçanti ia uroi Haradinajt këtë ditë.

Nga 9 vjet shtet, ish-kryeministri dhe komandanti i Zonës së Dukagjinit Ramush Haradinaj i ka përjetuar në vendlindjen e tij vetëm 5.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat