Tërmkolli flet për prapaskenat e ditës kur u shpall pavarësia

Aktuale

Tërmkolli flet për prapaskenat e ditës kur u shpall pavarësia

Më: 18 shkurt 2017 Në ora: 00:34
Melihate Tërmkolli

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe veprimtarja e kamotshme, Melihate Tërmkolli, ka thënë në Ora e Fundit se deklaratën e Pavarësisë me 17 shkurt 2008 do të duhej ta lexonte presidenti i atëhershëm, Fatmir Sejdiu, por kjo u bë e pamundur nga manifestimi i fuqisë politike të Hashim Thaçit.

Prandaj sipas Tërmkollit, deklaratën e lexoi Thaçi e jo Sejdiu.

“Deklaratën e Pavarësisë do të duhej ta lexonte Presidenti, Fatmir Sejdiu. Por, nuk ndodhi, për shkak të manifestimit të fuqisë politike nga atëherë kryeministri, Hashim Thaçi”.

Ajo ka treguar edhe përse nuk ishte ngritur në këmbë për himnin e Kosovës dhe flamurin e shtetit në ditën kur u aprovuan në Parlament.

“17 shkurti në vitin 2008 është një moment jashtëzakonisht i veçantë, për të gjithë shqiptarët kudo ku kanë qenë, aq më tepër për deputetët që kanë qenë brenda asaj salle ku u bë shpallja e Pavarësisë së Kosovës”.

“Unë nuk jam ngritur në këmbë për flamurin dhe himnin dhe kam votuar kundër, por e them se unë sot e respektoj, sepse e dua dhe e respektoj shtetin tim – prandaj edhe e respektoj edhe himnin edhe flamurin. Por, besoj se flamuri i Dardanisë do të jetë një ditë flamuri i shtetit të Kosovës”.

Tërmkolli tha se do të donte që flamuri i shtetit të Kosovës të ishte propozimi i ish-presidentit, Ibrahim Rugova – Flamuri i Dardanisë.

“Por, propozimi për flamurin e Dardanisë dhe për himnin “Kur ka ra kushtrimi në Kosovë” nuk u vu asnjëherë në rend dite në Parlamentin e Kosovës”.

“Madje, disa ‘komandanta’ e dogjën flamurin e Dardanisë dhe nuk reagoi asnjë institucion. Aty ishte shqiponja dhe elementet esenciale të historisë sonë kombëtare e politike si Kosovë dhe si shqiptarë”.

Tërmkolli pohoi edhe se 17 shkurt 2008 është padyshim “kontribut i shumë brezave”.

“Edhe unë në ato mundësitë e mia kam provuar të jap një kontribut, mbase modest, në këtë drejtim. Por, do të mbetet data më e rëndësishme në historinë e shqiptarëve”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat