Ligjvënësit amerikan theksojnë përkushtimin ndaj Kosovës

Aktuale

Ligjvënësit amerikan theksojnë përkushtimin ndaj Kosovës

Më: 19 shkurt 2017 Në ora: 11:26
Peter Roskam dhe David Price

Ligjvënësit amerikan Peter Roskam dhe David Price, thanë të dielën në Prishtinë se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin Kosovën, e cila dy ditë më parë kremtoi përvjetorin e nëntë të pavarësisë.

Ata i bënë këto komente në kuadër të vizitës dyditëshe të një delegacioni ligjvënësish amerikan të të dyja partive, republikane e demokrate në Kosovë.

Ligjvënësi Roskam tha se ky është rasti i parë që një delegacion i Kongresit udhëton jashtë Shteteve të Bashkuara pas betimit të bërë muajin e kaluar.

"Kosova është endi i parë ku kemi ardhur. Përse? Sepse ne e kemi kuptuar sa e rëndësishme dhe sa thelbësore është Kosova dhe puna e qytetarëve të saj për të mbajtur vendin të bashkuar dhe për të ecur përpara drejt së ardhmes së qëndrueshme dhe përparimtare", tha ligjvënësi Roskam.

Ata thanë se vizita është dëshmi se pavarësisht ndryshimeve në udhëheqjen amerikane, është politikë e të dyja partive për të vazhduar përkushtimin ndaj Ballkanit dhe Kosovës në veçanti.

Kosova shpalli pavarësinë e saj nga Serbia më 17 shkurt të vitit 2008 më mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore te Bashkimit Evropian. Deri tash rreth 113 vende e kanë njohur pavarësinë e saj e cila kundërshtohet nga Serbia dhe aleatja e saj Rusia, e cila ka shtuar përpjekjet për shtimin e ndikimit të saj në Ballkan.

"Nga pikëpamja jonë,Rusia nuk ka arsye të ketë frikë nga Kosova e lirë, e pavarur e demokratike dhe së këndejmi Serbia të vazhdojë rrugën e saj për t'u bërë pjesë e Evropës, drejt integrimit të plotë ekonomik e politik dhe ky është interes i të dyja vendeve", tha në një bisedë për Zërin e Amerikës, ligjvënësi demokrat David Price.

Ligjvënësi Roskam drejton "Partneritetin për Demokraci të Dhomës së përfaqësuesve". një komision dypartiak që punon drejtpërdrejt me shtetet partnere në gjithë botën për të mbështetur zhvillimin e institucioneve ligjvënëse efikase e të pavarura./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat