Berisha e quan të kotë raportin e Komisionit për Matjen e Territorit

Aktuale

Berisha e quan të kotë raportin e Komisionit për Matjen e Territorit

Më: 21 shkurt 2017 Në ora: 13:46
Deputeti nga radhët e "Nismës për Kosovën", Zafir Berisha

Punën e Komisionit të formuar nga Qeveria me ekspertë të fushave të ndryshme dhe me pjesëmarrës edhe nga shoqëria civile, deputeti nga radhët e "Nismës për Kosovën", Zafir Berisha, po e quan të kotë

Berisha ka deklaruar se subjekti që ai përfaqëson që nga fillimi kanë pasur dyshimet e tyre për këtë komision dhe punën që ai mund të bëjë dhe se kjo, sipas tij, tashmë u dëshmua.

“Qysh në fillim do të thotë kemi pasur qëndrime tona se ky komision është një akrobacion politik i Isa Mustafës për të vërtetuar punën e komisionit të udhëhequr nga Murat Meha dhe që ka qenë tepër e dëmshme”, ka thënë Berisha.

Sipas tij, deklaratat e kreut të këtij Komisioni, kryeakademikut Hivzi Islami, se ai me këtë detyrë që ka marrë po angazhohet për të vërtetën nuk qëndrojnë dhe se nga ky komision nuk ka pritur që të bëhet punë shkencore. Ai, madje, punën e këtij Komisioni e ka quajtur të kotë.

“Qëndrimi i Hivzi Islamit me 3 gusht të vitit të kaluar ka qenë më se i qartë se ai është pjesë vazale e politikës dhe nuk kemi pritur që ai komision me ba ndonjë punë shkencore. Këtë e vërteton edhe largimi i dy anëtarëve  të komisionit, dy ekspertëve të fusha të caktuar që do të thotë  atë raport që e ka paraqitur ky komision është një raport koti”, ka theksuar Berisha.

Berisha ka theksuar se "Nisma për Kosovën" bashkë me opozitën do të vazhdojnë të kundërshtojnë fuqishëm këtë formë të demarkacionit.

Ndryshe, sot gjatë ditës Komisioni për Matjen e Territorit ka dalë me të gjetura në të cilat thuhet se Kosovës nuk i humb asnjë milimetër territor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat