Presidenti Thaçi kërkon nga koalicioni qeverisës të votojë Demarkacionin

Aktuale

Presidenti Thaçi kërkon nga koalicioni qeverisës të votojë Demarkacionin

Nga: B.S Më: 21 shkurt 2017 Në ora: 14:41
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ka komentuar të gjeturat e prezantuara sot nga Komisioni për matjen e territorit, duke u bërë thirrje deputetëve që ta votojën marrëveshjen e Demarkacionit, që është kusht për liberalizimin e vizave.

Thaçi ka thënë se Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të procedojë projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi në ditët në vijim.

Sipas tij, Kosova nuk ka humbur asnjë metë territor në bazë të kësaj marrëveshjeje, pëcjell Bota sot.

Postimi i plotë i Thaçit në Facebook:

Në dy javët e fundit kam takuar presidentin Juncker, presidentin Tusk, presidentin Tajani, Përfaqësuesen e Lartë Mogherini, komisionerët Hahn dhe Avramopoulos. Secili prej tyre më ka konfirmuar se ratifikimi i Marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi është duke e mbajtur peng vendimin përfundimtar për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Është bërë krejtësisht e qartë nga shumë komisione të pavarura, kosovare e ndërkombëtare se demarkacioni me Malin e Zi është i drejtë dhe se territori i Kosovës nuk cenohet për asnjë metër si rezultat i ratifikimit të kësaj marrëveshjeje.

Prandaj, është për keqardhje fakti që spektri politik kosovar nuk po bashkohet në çështjet që janë me interes për qytetarët e Kosovës.

E ftoj të gjithë spektrin politik që, pa dallim përkatësie politike apo etnike, të bashkohen për të ardhmen evropiane të Kosovës.

Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të procedojë projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi në ditët në vijim. Ndërkaq, deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës duhet vënë interesin shtetëror përpara atij personal apo partiak, dhe me votën e tyre pro kësaj marrëveshjeje, t’i japin fund izolimit të qytetarëve të Kosovës.

Liberalizimi i vizave duhet të ndodhë tani dhe ky është interes nacional dhe shtetëror.

Përgjegjësia për ta arritur këtë qëllim fillimisht i takon koalicionit qeverisës, e pastaj edhe partive opozitare, të cilat, fatkeqësisht, të gjitha veprimet e tyre i kanë përqendruar në përpjekjet për të bllokuar ratifikimin e kësaj marrëveshjeje.

Sërish e ftoj spektrin politik për unitet në këtë çështje të interesit thelbësor për qytetarët e vendit, si dhe ritheksoj faktin se kur bëhet fjalë për vendime të interesit shtetëror, koalicioni qeverisës duhet të tregojë se ka forcën politike, vizionin dhe lidershipin që të marrë vendimet e drejta e të domosdoshme. HTH /BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat