(E plotësuar) - Gjykata Themelore në veri të Mitrovicës ka vendosur masën e arrestit shtëpiak për Oliver Ivanoviqin
Kryetari i partisë SDP në Veri, Oliver Ivanoviq, do të qëndrojë në arrest shtëpiak, e kjo me vendim të Gjykatës në atë zonë, raportojnë mediat serbe.
Oliver Ivanoviq akuzohet për krime lufte kundër shqiptarëve në vitin 1999-2000 dhe është shpallur fajtor për aktet kriminale të përfshira në aktakuzën e EULEX-it.
Gjykata e Apelit në Prishtinë javën e kaluar ka vendosur ta kthejë në rigjykim rastin e Ivanovicit, pasi një gjykatë hodhi poshtë aktgjykimin e shkallës së parë ku u dënua me 9 vjet burg për krime lufte.
Ivanovic u dërgua sot në mëngjes në Gjykatën Themelore ne Mitrovicë, e cila vendosi masën e arrestit shtëpiak për të.
Avokati mbrojtës i Ivanovicit, Nebojsa Vlajic tha se ai pret nga kryetarja e panelit, Roksana Komsa të vendosë për Ivanovicin të lejohet liria në procedurë të përsëritur të gjykatës.
Oliver Ivanoviq arrin në Gjykatë
Oliver Ivanoviq ka arritur sot pak para orës 10:00 në Gjykatën Themelore të Mitrovicës në veri, ku do të vendoset nëse do t’i ndërpritet paraburgimi ose jo.
Para Gjykatës përveç familjarëve të tij, ndodhet edhe zëvendës drejtori i zyrës për Kosovën pranë qeverisë së Serbisë, Dushan Kozarev.
Vërehet numër i shtuar i pjesëtarëve të policisë, ndërsa seanca është e mbyllur për publikun.
Ndryshe, Gjykata e Apelit në Prishtinë pati vendosur javën e kaluar që rasti Ivanoviq të kthehet në rigjykim.