Veseli refuzon të përgjigjet nëse koalicioni i ka votat për votimin e Demarkacionit

Aktuale

Veseli refuzon të përgjigjet nëse koalicioni i ka votat për votimin e Demarkacionit

Më: 23 shkurt 2017 Në ora: 09:03
Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

(E plotësuar) - Javën e ardhshme, Kuvendi i Kosovës do të mbajë dy seanca plenare. Të hënën do të jetë një seancë, e cila do të ketë në rend dite pika të mbetura nga seancat e kaluara, derisa të enjten do të jetë seancë e re.

Mirëpo, në asnjërën prej tyre nuk është paraparë ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli tha pas mbledhjes së Kryesisë se në momentin që Qeveria e procedon projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin, ata do ta procedojnë për në seancë.

Kreu i legjislativit, ka shtuar se janë vonuar me ratifikimin e kësaj marrëveshje sepse duhet të ecin përpara për t’i kryer një mori agjendash të mbetura, siç është procesi i integrimit euroatlantik, liberalizimi i vizave, transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës në mënyrë për t’iu siguruar qytetarëve një mirëqenie.

Veseli: Demarkacionin po e presim nga Qeveria

“Në momentin që Qeveria e Kosovës e procedon në Kuvend ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin, ne do ta procedojmë pa asnjë vonesë. Edhe kështu kemi vonesa, sepse demarkacioni është i një rëndësie nacionale, strategjike, politike e qytetarëve të Kosovës, e shtetit të Kosovës. Kemi nevojë të shënojmë kufirin e shtetit me të vendet e regjionit. Në të njëjtën kohë presim edhe shënimin e kufirit me Serbinë dhe njohjen e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran nga Serbia. Aq më shumë kemi nevojë për marrëdhënie të mira me fqinjët tanë që i kemi siç është Mali i Zi”, tha Veseli.

Por, i pari i Kuvendit, i cili është edhe kryetar i partisë me të madhe në pushtet, nuk ka dashur të flas nëse partnerët e koalicionit i kanë votat apo jo për ta ratifikuar demarkacionin, për të cilin duhen 80 vota të deputetëve.

Veseli: Ne kemi obligim të shënojmë kufijtë tanë ata të cilët i kemi

“Kosova nga momenti i shpalljes shtet sovran me 17 Shkurt 2008 është duke ecur përpara në konsolidimin e saj si shtet. Ne kemi obligim të shënojmë kufijtë tanë ata të cilët i kemi. Mos të rikthehemi në tragjedinë që i ka ndodhur popullit shqiptar në të kaluarën, për arsye që mund të mbesim aty dhe nuk kemi fuqi ta ndryshojmë. Duhet të lëvizim përpara, po flas për vendim strategjik nacional. Demarkacioni duhet të kaloj sa më shpejt, sepse është interes i qytetarëve, i Kosovës, kemi interes që të gjitha vendet fqinjë të integrohen në NATO, Mali i ZI është shumë afër anëtarësimit”, tha Veseli.   

Kryetari Veseli, foli edhe për mesazhet e marra nga vizita në SHBA dhe takimi me presidentin Donald Trump. Madje, shprehu edhe entuziazmin e tij për takimin me presidentin me të fuqishëm në botë.

Veseli: Jam i entuziazmuar për takimin me Trump

“Takimi im me presidentin Trump, është një takim që i shërben interesin të qytetarëve, i shërben Kosovës. Unë kam qenë shumë i gëzuar, shumë krenar, jo për faktin që jam takuar vetëm vet duke pasur një nderë që lideri i vetëm në Ballkan ta takoj një personalitet të tillë të fuqishëm, por kam qenë i entuziazmuar... Çdo herë jemi të bekuar me partneritetin që kemi me vendet perëndimore, mos t’i lëmë partnerët tanë të ftohen nga ne, të kemi më shumë besim në Kosovën tonë, atdheun tonë, institucionet tona. Kosova ka mundësi të marr vendime dhe do të marr vendime që janë në interesin nacional, të cilat janë në interesin e qytetarëve, të jeni të bindur në këtë”, theksoi Veseli.

Qeveria e Kosovës ka theksuar se pas përfundimit të raportit përfundimtar nga komisioni qeveritar për matjen e territorit, i cili pritet të dal pas diskutimeve publike që janë duke u zhvilluar.

Veseli refuzon të përgjigjet nëse koalicioni i ka votat për votimin e Demarkacionit

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, është pyetur disa herë nga gazetarët në konferencën për media pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, por ai ka refuzuar të përgjigjet nëse koalicioni qeverisës i ka votat për ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi – kusht ky për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Veseli, megjithatë është përgjigjur në atë se kur kjo marrëveshje për vendosjen e pikës kufitare do të vije para deputetëve për votim.

Sipas kryeparlamentarit, kjo varet krejtësisht nga Qeveria e Kosovës se kur do të vendos ta procedojë marrëveshjen për në Kuvendin e Kosovës për votim.

Një datë e mundshme është menduar të jetë tre marsi, pasi vet kryeministri, Isa Mustafa, në një prononcim të tij pati thënë se kjo mund të jetë data.

Koalicioni mes PDK-së dhe LDK-së, i quajtur shpesh edhe koalicioni i elefantëve – për shkak të madhësisë në numra – ka dështuar ta votojë tash e një kohë të gjatë këtë marrëveshje, për shkak të refuzimit të ashpër nga Opozita – Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën – pasi sipas tyre komisioni për Demarkacionin ka bërë lëshime dhe kështu Kosova po humbë tokë.

Pos opozitës, kundërshtime ka pasur edhe nga deputet të pozitës – siç është kundërshtimi i zëshëm i deputetit të LDK-së, Shpejtim Bulliqi.

Mblidhet Kryesia e Kuvendit, Veseli: A na keni thirre për demarkacion?

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli është shfaqur në disponim të mirë në mbledhjen e hershme të Kryesisë se Kuvendit.

Në një rast ai është drejtuar shefave të Grupeve Parlamentare se i kanë thirrë për demarkacion. Kjo thënie ka nxitur të qeshura në hapje të mbledhjes.

Ndryshe, demarkacioni pritet të riprocedohet në Kuvend në pjesën e parë të muajit mars.

Mblidhet Kryesia e Kuvendit

Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mblidhet sot në orën 09:30 takim në të cilën do të vendos për vazhdimin e seancës së kaluar parlamentare.

Ky është rendi i ditës së këtij takimi:

1. Miratimi i procesverbalit nga mbledhja e mëparshme,

2. Përgatitjet për seancë plenare:

1. Vazhdimi i seancës me pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 9, 14 dhe 15 shkurt 2017:

2. Votimi i Raportit të Komisionit për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të nenit 11 të Ligjit nr. 03/L-149 për Shërbimin Civilë të Republikës së Kosovës,

3. Zgjedhja e një (1) anëtari të Këshillit Gjyqësor të Kosovës nga radha e komuniteteve tjera,

4. Zgjedhja e një (1) anëtari të Bordit për Ankesa të Mediave.

5. Votimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Lirinë Fetare në Kosovë, (për miratimin  e këtij Projektligji  kërkohen,  të paktën 61 vota „Për“, prej tyre 11 vota „Për“ të  komuniteteve që nuk janë  shumicë) Amendamenti 2, i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në nenin 81, paragrafi1),

6. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 05/L-137 për ratifikimin e Marrëveshjes përkitazi me themelimin e Fondit të Ballkanit Perëndimor,

7. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 05/L-149 për ratifikimin e Marrëveshjes për themelimin e Zyrës rajonale për bashkëpunim rinor në mes Kosovës, Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Serbisë,

8. Zgjedhja e një (1) anëtari të Këshillit Gjyqësor të Kosovës nga radha e komunitetit serb.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat