Thaçi: FSK do të transformohet me ndihmën e SHBA-ve dhe vendeve të NATO-s

Aktuale

Thaçi: FSK do të transformohet me ndihmën e SHBA-ve dhe vendeve të NATO-s

Më: 8 mars 2017 Në ora: 18:12
Presidenti Hashim Thaçi në konferencë

(E plotësuar) - Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka shprehur edhe një herë vendosmërinë për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës, përmes ndryshimeve ligjore, meqë nuk ka pajtim të deputetëve serbë që kjo të bëhet përmes ndryshimeve Kushtetuese. Kreu i shtetit iu ka përgjigjur edhe shqetësimeve të SHBA-së dhe NATO-së, të cilat e kanë quajtur veprim të njëanshëm transformimin e FSK-së në ushtri pa ndryshime kushtetuese.

Presidenti Thaçi tha në një konferencë për media se Kosova nuk po bënë asnjë veprim kundërligjor, as kundër kushtetues, e cila do të rrezikonte sigurinë e Kosovës apo të rajonit, por po krijon një ushtri moderne, profesionale dhe multietnike.

Sipas tij, Forcat e Armatosura do të jenë në shërbim të paqes në rajon sa herë që Kosovës i kërkohet të japë kontributin e saj në këtë drejtim.

Thaçi: Kosova nuk po bën asnjë veprim kundërligjor dhe të pakoordinuar

“Republika e Kosovës nuk po bën asnjë hap të papritur, nuk po bën asnjë befasi, asnjë veprim të njëanshëm, por të pakoordinuar, asnjë veprim kundërligjor apo antikushtetues, nuk po bën asgjë që do të mund të konsiderohet rrezik për sigurinë në Kosovë apo rajon. Kosova po ecë në një proces siç kanë ecur vendet e tjera të rajonit. Realiteti dhe e vërteta në këtë proces është kjo, shteti i pavarur i Kosovës thjesht po bën një akt ligjor dhe kushtetues, i cili është themel i funksionimit të çdo shteti demokratik në botë. Ne si institucione demokratike të shtetit të pavarur dhe sovran kemi vendosur që FSK-së t’i japim misionin dhe detyrat e një ushtrie moderne, profesional dhe multietnike që do të jetë në gjendje ta mbrojë sovranitetin dhe integritetin e vendit”, tha Thaçi.

Por, duket se pataten e nxehtë, kreu i shtetit ia ka lënë Qeverisë pasi tha se pas hapave të ndërmarrë nga ai, radhën e ka Qeveria që të japë mendimin e saj, të cilin e pret se do të jetë pozitiv.

Thaçi: Unë e kam kryer detyrën, tash presim Qeverinë

“Unë si president i kam përfunduar procedurat, e kam marr vendimin politik, kam filluar me procedurat, i kam dorëzuar kryetarit Veseli, sot kryesia ka votuar në favor që t’i bartet qeverisë për mendim, opinion, veç kemi deklarime nga Qeveria se do të kemi një mendim pozitiv, sepse nuk mund ta imagjinoj dhe mendoj se do të ketë ndonjë opinion tjetër”, tha ai.

Duke folur për koordinimin e veprimeve të tij me partnerët ndërkombëtar, NATO-n dhe SHBA-n, presidenti Thaçi tha se këtë nuk ka mundur dhe as nuk do ta kundërshtojë asnjë nga partnerët ndërkombëtarë. Madje iu përgjigj edhe sekretarit të përgjithshëm të NATO-së Jens Stoltenberg, i cili në një bisedë telefonike ia ka shprehur shqetësimin për veprimet e tij, duke i quajtur të njëanshme veprimet për transformimin e FSK-së në ushtri të Kosovës.

Thaçi: Nuk qëndron konstatimi i NATO-s se shndërrimi i FSK-së në ushtri është i njëanshëm

“Vërejtja kryesore e sekretarit të NATO-së në bisedën telefonike të zhvilluar sot, gjoja se NAO e konsideron iniciativën tonë ligjore për ndryshimin e misionit dhe detyrat e FSK-së si një veprim i njëanshëm. Kjo nuk qëndron, në asnjë rrethanë sepse për tri vite me radhë jemi munduar të koordinojmë këtë veprim me deputetët e komunitetit serb, që jetojnë në Kosovë, por ata e kanë bërë të qartë se kurrë nuk do ta votojnë ushtrinë e Kosovës. Dhe ky qëndrim i deputetëve, komuniteti serb të Kosovës është drejtpërdrejt i urdhëruar nga shteti fqinj i Kosovës, Serbia. Prandaj, vlerësoj se nëse dikush mendon se duhet të ketë koordinim me Serbinë, kjo ka përfunduar një herë e përgjithmonë, Kosova është vend i pavarur dhe vendimet i marrim vetë dhe Serbia është vetëm vend fqinj. Në rast se sekretari i NATO-s e konsideron iniciativën tonë të njëanshme për shkak se Serbia nuk pajtohet me veprimet tona, atëherë unë e konsideroj këtë krejtësisht të papranueshme, sepse fati i Kosovës dhe ushtrisë sonë nuk guxon dhe nuk do të lejojmë të mbetet peng i vullnetit dhe disponimit të Serbisë në asnjë rrethanë dhe ritheksoj me asnjë çmim”, theksoi Thaçi.

Duke komentuar qëndrimin e SHBA-ve që themelimi i ushtrisë duhet të bëhet vetëm me ndryshime Kushtetuese, presidenti Thaçi theksoi se pavarësisht shqetësimeve, SHBA nuk e vë në pikëpyetje të drejtën e Kosovës për themelimin e ushtrisë.

 Thaçi: SHBA nuk e vë në pikëpyetje të drejtën tonë për themelimin e ushtrisë

“Përkundër shqetësimeve të bëra publike SHBA në asnjë rrethanë nuk e vë në pikëpyetje të drejtën tonë legjitime për themelimin e ushtrisë së Kosovës, pra Forcës së Armatosur të Kosovës. SHBA e ka bërë të qartë se plotësisht e mbështesin këtë proces, por duan që këtë proces ta bëjmë nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese...që nga viti 2014 kur ka përfunduar rishikimi i sektorit të sigurisë në Kosovë edhe atëherë kur kam bërë publike themelimin e FSK-së që ka qenë një proces i koordinuar, asnjëherë nuk i kam ndalur përpjekjet për ta bërë transformimin e FSK-së nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese ashtu siç kemi preferuar ne, edhe partnerët tanë respektivisht SHBA-të. Në atë kohë të gjitha komunitetet, 25 prej tyre janë zotuar dhe kanë qenë të gatshëm të votojmë, por ndodhi ajo që ndodhi dhe procesi u shty pas zgjedhjeve të vitit 2014”, ka thënë Thaçi.

Për më tepër kreu i shtetit të Kosovës ka theksuar se nëse NATO dhe shtetet e QUINT-it apo SHBA kanë arritur t’i bindin deputetët serbë për ndryshime kushtetuese, ai është i sigurt që Qeveria, ai si president dhe Kuvendi do të ishin të lumtur që të procedonin për transformimin e FSK-së me ndryshime kushtetuese.

Megjithatë, edhe në iniciativën e tij për transformimin e FSK-së në FAK, Thaçi tha se Kosova nuk do të “leçitet” me SHBA-n e as NATO-n.

Thaçi: FSK do të transformohet me ndihmën e SHBA-s dhe vendeve të NATO-s

“Pyetjen po ia parashtroni një njeriu që tash e dy dekada ka punuar në këtë drejtim dhe e njoh, vlerësoj dhe respektoj në përulësi ndihmën e vendeve perëndimore, veçanti SHBA-së, shteteve të NATO-së, vendeve të BE-së, prandaj jam i vetëdijshëm për shqetësimet që mund të ngritën, edhe për ndonjë poen aty këtu politik. Por e ritheksoj FSK do të transformohet dhe ky transformim do të përmbyllet suksesshëm për çka i siguroj qytetarët, me SHBA-në dhe vendet e NATO-s, pra kjo çështje do të përmbyllet suksesshëm dhe çdo shqetësim tjetër është i paqëndrueshëm”, tha presidenti i shtetit.

I pyetur nëse ka ndryshuar diçka mes tij dhe partnerëve ndërkombëtarë, pasi duket i ashpër me ta, kreu i shteti tha se nuk ka asnjë mospajtim.

Thaçi: S’kam mospajtime me partnerët ndërkombëtar

“Të them të drejtën, nuk e kemi asnjë mospajtim, përkundrazi bashkëpunimi është i shkëlqyer. Unë po sa e përmbylla një takim me shtetet e QUINT-it dhe kemi pasur një bisedë shumë të hapur, të sinqertë, produktive dhe si të ndihmojmë procesin, e në asnjë rrethanë si të ndëshkohet Kosova, askush nuk mendon për ndëshkimin e Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Ndryshe, presidenti Hashim Thaçi dje vendosi që t’ia dërgojë kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli projektligjin me të cilin do të bëhej transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura. Ndërsa, sot, Kryesia e Kuvendit pas një mbledhje vendosi unanimisht që të kërkojë nga Qeveria një opinion të saj për këtë projektligj, e më pas për ta dërguar në seancë për shqyrtim dhe miratim. 

Presidenti Thaçi: Formimi i ushtrisë së Kosovës, 100 për qind në partneritet me NATO-n dhe SHBA-në

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duke i përgjigjur Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, se Kosova po bën veprime të njëanshme, ka deklaruar se kjo nuk qëndron, pasi për tri vite me radhë janë munduar ta koordinojnë këtë veprim me deputetët e komunitetit serbë, por ata e kanë bërë të qartë se nuk do ta votojnë Ushtrinë e Kosovës, pasi marrin urdhra të drejtpërdrejt nga Serbia. Dhe sipas tij, nëse dikush mendon që duhet të koordinohemi me Serbinë, kjo gjë ka përfunduar dhe fati i Kosovës nuk do të mbetet peng i Serbisë.

Ai tha se këtë nismë ligjore e ka marr në koordinim me institucionet e vendit dhe sipas tij ky ndryshim në misionin dhe detyrat e reja që do t’i marrë, e bëjnë FSK-në në forcë moderne multietnike.

Kreu i shtetit shtoi se është i bindur që edhe Qeveria e Kosovës do ta trajtojë draftligjin në periudhën ligjore dhe të japë qëndrimin në mbështetje të tij. Thaçi tha se në këtë periudhë i gjithë spektri politik dhe shoqëria civile, duhet të jenë të bashkuara për ta përmbyllur këtë mision. Ai tha se ashtu siç ka pritur ky projektligj, ka unifikuar skenën politike.

Presidenti theksoi Kosova nuk po bënë asnjë veprim të njëanshëm, antiligjor, dhe shtoi se Kosova po bënë një akt ligjor kushtetues që është themel i çdo shteti, kanë vendosur t’i japin FSK-së detyrat e një ushtrie moderne e shumetnike, që do ta mbrojë sovranitetin e shtetit.

Ai pohoi se këtë akt nuk e ka kundërshtuar NATO-ja, por vetëm një shtet, e ai është Serbia.

Thaçi tha se aktualisht i vetmi kërcënim për paqen në rajon është terrori i Rusisë dhe bazat ushtarake të Rusisë në Serbi dhe shtoi se pret nga NATO-ja për këto rreziqe konkrete, e mos te shqetësohet për FSK-në, sepse është trajnuar nga NATO.

Image

Ai tha se vërejtja kryesore e sekretarit të NATO-s, është se konsideron ligjore, por është e njëanshme. Ai tha se kjo nuk është e vërtetë dhe njoftoi se ka biseduar me kryeministrin serb për t’ia thënë atij, se FSK-ja me mandatin e ardhshëm nuk do të jetë kërcënim për askënd.

Ai tha se ka dëgjuar këshillat e SHBA-ve dhe se përkundër shqetësimeve, SHBA nuk e vë në pikëpyetje themelimin e ushtrisë. Thaçi tha se ata e kanë mbështetur këtë proces, por duan nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese.

Ai ka thënë se institucionet synojnë të futen në NATO dhe për ta bërë këtë fillimisht duhet të ketë ushtrinë.

“Kam biseduar edhe me ambasadorët e QUINT-it dhe besoj plotësisht se procesi duhet të kalojë në qetësi të plotë dhe relaks. Ushtria do të mbyllet 100 për qind në partneritet me partnerët ndërkombëtarë”, ka thënë Thaçi kur është pyetur se mund të ketë shqetësime ndërkombëtare për këtë transformim.

Thaçi tha se nga viti 2014 kur është bërë rishikimi i sektorit të sigurisë, nuk është ndalur se punuari për themelimin e ushtrisë dhe të gjitha komunitetet ishin njëzëri, por që kjo u pamundësua nga brenda.

Ai tha se nëse NATO dhe shtetet e QUINT-it do t’i bindnin deputetët serbë për votimin e ndryshimeve kushtetuese, ata do të ishin të lumtur që kjo të bëhet nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese. Por ai tha se askush nuk ka mundur të garantojë asnjë votë për ndryshime kushtetuese. Sipas tij, NATO-ja dhe partnerët ndërkombëtar duhet ta ndihmojnë Kosovën në këtë proces, e jo ta ndëshkojnë Kosovën, vetëm pse s’po pajtohet Serbia.

Thaçi: I takon kryeministrit Mustafa të japë vendimin për Ushtrinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi pret qe Qeveria dhe kryeministri Isa Mustafa t’i japin mbështetje projektligjit të proceduar në Qeveri për ushtrinë.

Thaçi në konferencën e jashtëzakonshme për media ka thënë se ushtria ka unifikuar gjithë spektrin politikë në Kosovë.

Procesi i transformimit, sipas tij, varet në tëresi nga vullneti i institucioneve të Kosovës.

“Jam i bindur se edhe Qeveria e Kosovës, kryeministri Mustafa do ta draftoj projektligjin me prioritet të lartë dhe shpejt do ta japë edhe zyrtarisht vendimin pozitivi në mbështetje të tij”, ka thënë Thaçi.

“Në këtë periudhe i gjithë spektri politik në Kosovë, duke përfshire edhe shoqërinë civile duhet të jemi të bashkuar për të përmbyllur me sukses këtë mision, i cili terësisht varët nga vullneti i institucioneve tona”.

“Ashtu sic kam pritur projektligji për Ushtrinë e Kosovës, e ka unifikuar spektrin politikë të Kosovës dhe ka forcuar besimin e qytetarëve në vendosmërine tonë për të marrë vendime”, ka shtuar ai.

Ai bëri të ditur se ky proces nuk është antiligjor e antikushtetues, dhe se Kosova nuk po bën asgjë që mund të rrezikojë paqen dhe sigurinë në rajon.

Presidenti Thaçi në konferencë (Drejtpërdrejt)

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në këto momente po mban një konferencë për media, ku pritet të flas për transformimin e FSK-së më ushtri.

Thaçi pritet të flas edhe për reagimin e Ambasadës Amerikane në Kosovë dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, të cilët kanë shprehur shqetësimin e tyre rreth propozimit të fundit për të transformuar FSK-në në ushtri pa ndryshimin e Kushtetutës.

 

Ky është fjalimi i plotë i presidentit Thaçi:

Të nderuar përfaqësues të mediave,

Qytetarë të Republikës së Kosovës,

Qytetarët e Republikës së Kosovës janë të informuar se dje, bazuar në kompetencat e mia kushtetuese si President dhe si  Komandant Suprem i Forcës së Sigurisë së Kosovës, i kam dorëzuar Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Projektligjin për Forcën e Sigurisë së Kosovës, respektivisht projektligjin, i cili FSK-në e bën ushtri të Kosovës.

Këtë iniciativë ligjore, e cila është ndërmarrë në koordinim të plotë me institucionet shtetërore të Kosovës, e konsideroj si të domosdoshme për avancimin e rolit dhe detyrave të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Ky ndryshim në misionin dhe detyrat e reja që do t’i marrë FSK-ja në përputhje me ligin e ri, e bëjnë FSK-në një ushtri moderne shumetnike, profesionale, të gatshme për të mbrojtur qytetarët e Kosovës dhe do të jetë në shërbim të ruajtjes së paqes në rajon dhe në botë, sa herë që Kosovës i kërkohet të jap kontributin e saj në këtë drejtim.

Më lejoni që më këtë rast të falënderoj anëtarët e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës të cilët e kanë trajtuar këtë iniciativë ligjore me përgjegjësi dhe prioritet të lartë shtetëror, duke marrë vendim sot, për të ecur përpara në këtë drejtim dhe duke e proceduar iniciativën ligjore për dhënien e mendimit nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës në përputhje legjislacionin dhe rregulloret në fuqi.

Unë jam i bindur se edhe Qeveria e Republikës së Kosovës, respektivisht kryeministri Mustafa do ta trajtojë draft-ligjin për FSK-në me prioritet të lartë dhe shumë shpejt do ta japë edhe zyrtarisht mendimin e vet pozitiv në mbështetje të tij.

Të nderuar përfaqësues të mediave,

Qytetarë të Republikës së Kosovës,

Në këtë periudhë, i gjithë spektri politik në Kosovë, duke përfshirë shoqërinë civile, dhe qytetarët tanë, duhet të jemi plotësisht të bashkuar për ta përmbyllur me sukses këtë proces, i cili tërësisht varet nga vullneti i institucioneve tona shtetërore.

Ashtu sikurse kam pritur, projektligji për ushtrinë e Kosovës e ka unifikuar spektrin politik të Kosovës dhe e ka forcuar besimin e qytetarëve të Kosovës në vendosmërinë tonë për të marrë vendime në interes të tyre dhe të shtetit tonë.

Prandaj, të gjithë akterët politikë të përfshirë në këtë proces, duhet të jenë në nivel të detyrës dhe me përkushtim të bëjnë punën e tyre për përmbylljen me sukses të këtij procesi.

Vëmendje shumë të madhe duhet t’i kushtojmë qëndrimeve tona zyrtare për këtë çështje dhe të përpiqemi që më durim dhe me argumente të mjaftueshme t’u sqarojmë partnerëve tanë ndërkombëtarë, shteteve fqinje dhe kujtdo tjetër që ka dilema për ketë proces.

Republika e Kosovës nuk po bën asnjë hap të papritur, asnjë veprim të njëanshëm apo të pakoordinuar, asnjë veprim antiligjor apo antikushtetues. Nuk po bën asgjë që do të mund të konsiderohej si rrezik për paqen dhe sigurinë në Kosovë apo rajon.

Realiteti dhe e vërteta në gjithë këtë proces është kjo:

Shteti i pavarur i Kosovës, thjesht po bën një akt ligjor dhe kushtetues, i cili është themel i funksionimit të çdo shteti demokratik në botë.

Ne, si institucione demokratike të shtetit të pavarur kemi vendosur që FSK-së t’i japim misionin dhe detyrat e një ushtrie moderne, profesionale, shumetnike, e cila do të jetë në gjendje për të mbrojtur sovranitetin shtetëror të vendit tonë.

Këtë obligim kushtetues dhe ligjor as nuk e ka kontestuar dhe nuk mund ta kontestoj askush nga partnerët tanë perëndimorë, duke përfshirë edhe NATO-n dhe shtetet anëtare të saj.

Mirëpo, këtë akt të domosdoshëm kushtetues dhe ligjor e ka kundërshtuar dhe vazhdon ta kundërshtojë vetëm Serbia, duke thënë se themelimi i ushtrisë së Kosovës paraqet kërcënim për paqen dhe sigurinë në rajon.

Serbia vazhdimisht e thotë një gjë të tillë si pjesë të propagandës së vet kundër shtetit të Kosovës, ndërsa në të njëjtën kohë me krenari nacionaliste e mbush hapësirën ajrore me aeroplanët e tipit MIG të dhuruar nga Rusia.

Por, sido që të jetë, mendoj se gjerat janë të qarta për të gjithë akterët, qofshin ata vendorë apo ndërkombëtarë.

Aktualisht, i vetmi kërcënim për paqen në rajonin tonë është rritja e ndikimit të rolit të Rusisë në rajon dhe e numrit të aeroplanëve MIG në hapësirën ajrore të Serbisë.

Natyrisht, këtij kërcënimi duhet t’i shtojmë edhe kërcënimet që vijnë nga elementët terroristë, një fushë tjetër kjo ku Kosova mbetet kampion në rajon për luftën e pa kompromis kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Prandaj, unë pres nga NATO që të jetë e vetëdijshme për këto rreziqe konkrete dhe të mos shqetësohet për avancimin e rolit të FSK-së, duke ditur që FSK-ja është ngritur dhe trajnuar pikërisht nga NATO dhe shtetet anëtare të NATO-s.

E thashë një gjë të tillë si përgjigje timen të drejtpërdrejtë ndaj shqetësimeve të cilat sot janë ngritur nga Sekretari i NATO-s, nga shtetet e Kuintit dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Vërejtja kryesore e Sekretarit të NATO-s në bisedën telefonike të zhvilluar sot, ishte gjoja se NATO-ja e konsideron iniciativën tonë ligjore për ndryshimin e misionit dhe detyrave të FSK-së, si një veprim të njëanshëm.

Kjo nuk qëndron në asnjë rrethanë, sepse për tre vjet me radhë jemi munduar ta koordinojmë këtë veprim me deputetët e komunitetit serb që jetojnë në Kosovë, por ata e kanë bërë të qartë se kurrë nuk do të votojnë ndryshimet kushtetuese për themelimin e ushtrisë së Kosovës.

Në rast se Sekretari i NATO-s e konsideron iniciativën tonë të njëanshme për shkak se Serbia nuk pajtohet me veprimet tona, atëherë unë e konsideroj këtë krejtësisht të papranueshme, sepse fati i Kosovës dhe i ushtrisë sonë nuk guxon të mbetet peng i vullnetit dhe disponimit të Serbisë në asnjë rrethanë dhe për asnjë çmim.

Për më tepër, unë si president duke qenë plotësisht i vetëdijshëm për reagime të tilla, qysh dje kam zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin e Serbisë, për t’i komunikuar atij vendimin tim dhe për t’i bërë të qartë se FSK-ja, as në mandatin e saj të tanishëm dhe as në mandatin e saj të ri, të cilin shpresoj se do ta marrë shumë shpejt, nuk paraqet asnjë kërcënim as për Serbinë dhe as për asnjë shtet tjetër kudo në botë.

Të nderuar përfaqësues të mediave,

Qytetarë të Republikës së Kosovës,

Unë si president e kam për detyrë që të sigurohem që Kosova të thellojë bashkëpunimin me NATO-n, sepse anëtarësimi në këtë organizatë ushtarake është qëllim thelbësor i yni.

Për më tepër, e kam për detyrë që të thellojmë bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse vetë ekzistenca dhe funksionimi i shtetit tonë është rezultat i përpjekjeve tona të përbashkëta.

Prandaj, i kam dëgjuar më vëmendje të madhe këshillat dhe qëndrimet e SHBA-së për këtë çështje në takimin e rregullt javor të punës që kam pasur sot me ambasadorin e SHBA-së, Greg Delawie.

Përkundër shqetësimeve të bëra publike, SHBA-ja në asnjë rrethanë nuk e vë në pikëpyetje të drejtën tonë legjitime për themelimin e ushtrisë së Kosovës.

SHBA-ja e ka bërë të qartë se plotësisht e mbështesin këtë proces, mirëpo duan që ky proces të ndodhë nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese.

Unë e kam sqaruar dje dhe po e sqaroj përsëri.

Që nga viti 2014 kur ka përfunduar rishikimi i sektorit të sigurisë në Kosovë dhe atëherë kur kam bërë publike themelimin e shpejt të Forcave të Armatosura të Kosovës, asnjëherë nuk i kam ndalur përpjekjet për ta bërë këtë transformim të FSK-së nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese, ashtu siç kemi preferuar ne dhe gjithashtu edhe partnerët tanë, respektivisht SHBA-ja.

Të gjithë ne si akterë të përfshirë në këtë proces, pra institucionet e Kosovës, NATO-ja dhe shtetet tona mike, deri më sot fatkeqësisht kemi dështuar që t’i bindim deputetët e Listës Serbe që të votojnë ndryshimet kushtetuese për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.

Dhe të gjithë ne, duke përfshirë opinionin e gjerë publik, e dimë shumë mirë arsyen e këtij dështimi.

Fatkeqësisht, deputetët e Listës Serbe, ashtu siç e kemi parë në shumë raste deri më sot, i mbesin lojal vetëm urdhrave që marrin nga Serbia dhe jo nga Qeveria e Kosovës.

Prandaj ka qenë e pamundur të presim në pafundësi për një epilog negativ të njohur.

Mirëpo, unë me përgjegjësi të lartë e them publikisht sot, se në rast se NATO-ja, shtetet e Kuintit apo SHBA-ja kanë arritur t’i bindin deputetët e Listës Serbe që të votojnë për ndryshimet kushtetuese, unë jam i sigurt se edhe Qeveria e Kosovës, unë si president, dhe Kuvendi i Kosovës, do të ishim tepër të lumtur që të procedonim pa humbur kohë pikërisht duke bërë këtë transformim nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese.

Unë, duke qenë i vetëdijshëm se mund të ketë reagime të tilla, u kam kërkuar një garanci të tillë edhe NATO-s, edhe shteteve të Kuintit edhe SHBA-së, mirëpo askush deri më sot nuk ka mundur të garantojë një votë të deputetëve të Listës Serbe në favor të ndryshimeve kushtetuese për transformimin e FSK-së në ushtri të Kosovës.

Prandaj, kam kërkuar mirëkuptimin e plotë të partnerëve tanë për këtë proces, i cili nuk është bërë njëanshëm, por është iniciuar në mënyrë krejt të natyrshme dhe transparente.

NATO-ja dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, duhet ta ndihmojnë Kosovën gjatë këtij transformimi më këshillat adekuate profesionale dhe kurrsesi të mendojnë sesi ta ndëshkojnë Kosovën, vetëm e vetëm se kemi iniciuar një proces ligjor për të cilin ata publikisht thonë, se është e drejtë legjitime e institucioneve të Republikës së Kosovës.

Përkundër kësaj, institucionet e Republikës së Kosovës mbesin krejtësisht transparente dhe të hapura për të ofruar të gjitha garancitë dhe sqarimet e nevojshme përgjatë gjithë këtij procesi jetik për shtetin tonë.

Mirëpo, ritheksoj se iniciativa ligjore për ndryshimin e mandatit të FSK-së, duhet të vazhdoj në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe pa vonesa të mëtejshme.

Në fund, iu takon deputeteve të Kuvendit të Republikës së Kosovës,  të cilët përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve të Republikës së Kosovës,  që të marrin vendimin e merituar për FSK-në, respektivisht ushtrinë e Kosovës.

Ndërsa unë si president i vendit, jam i bindur se deputetët e Kosovës nuk do ta lënë Kosovën pa ushtri, sepse ky është vullneti  i të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat