Deputetët: Çështja e trashëgimisë shumë komplekse në Kosovë

Aktuale

Deputetët: Çështja e trashëgimisë shumë komplekse në Kosovë

Më: 9 mars 2017 Në ora: 16:42
Seanca e Kuvendit të Kosovës

(E plotësuar) - Në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës mbajtur pasditen e sotme, edhe pse nuk pati kuorum, deputetët shqyrtuan Projektligjin për trashëgimin e Kosovës dhe vlerësuan se është në pajtim me legjislacionin e Bashkimit Evropian dhe është i rëndësishëm për vendin.

Deputeti Agim Aliu tha se GP i PDK-së e ka shqyrtuar projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për trashimi dhe e vlerëson të një rëndësie të veçantë në kuadër të pakos ligjore të reformave që janë duke u bërë në sistemin e drejtësisë. Ky projektligj sipas tij, paraqet një ndër angazhimet e drejtpërdrejta për avancimin e infrastrukturës ligjore, me qëllim të eliminimit të mos harmonisë në mes ligjeve të tjera, raporton KosovaPress. 

Aliu: Me këtë projektligj do të bëhet autorizimi i noterëve

“Po ashtu me këtë projektligj për trashëgiminë e Kosovës, do të bëhet autorizimi i noterëve në përfundimin e disa funksioneve në trashëgimi, si ulja e afatit për njohjen e trashëgimisë në mes të bashkëshortëve jashtë martesorë. Në këtë projektligji është përfshirë edhe dispozita për parashtrimin e të drejtës për të kërkuar pasurinë trashëgimore. Risi tjetër është edhe përfshirja e organeve të kujdestarisë në dhënien e lejes, sa i përket heqjes dorë në emër të të miturve”, theksoi Aliu.

Deputetja nga radhët e LDK-së, Melihate Tërmkolli theksoi se çështja e trashëgimisë, është komplekse dhe nuk pritet ende të bëhet një zgjidhje rreth kësaj fushe. Ajo tha se nuk do të ketë zvogëlim të lëndëve nëpër gjykata me anë të këtij ligji.

Tërmkolli: Çështja e trashëgimisë është shumë komplekse

“Çështja e trashëgimisë është shumë komplekse dhe me gjasë ende nuk po gjejmë zgjidhje të kënaqshme, e sidomos kur bëhet fjalë për çështje të trashëgimisë në aspektin gjinorë. Mirëpo, tash nuk mund të themi se tash dikush po na pengon, sepse në një kohë më herët kemi mundur të themi se për trashëgimi në përgjithësi, për pronën, kemi pasur probleme të mëdha. Tash nuk mund të themi se dikush po na pengon, pos nëse ne pengojmë vetën. Prandaj, i kemi krejt mundësitë edhe ligjore dhe të terja, që të bëjmë hapa të rëndësishëm në drejtim të zgjidhjes së drejtë të kësaj çështje. Edhe përveç ligjit tashmë mund të kemi edhe mekanizma edhe për zbatimin e ligjit, sepse jo rrallë herë ne po bëjmë ligje, të cilët thjesht nuk po gjejnë zbatim në praktikë. Në fakt në këtë projektligj ndryshim ka edhe do elemente të pa barazisë, që bëhen në emër të barazisë, e që natyrisht duhet të evitohen. U tha kà «të që një nga elementet e rëndësishme ose dobi të rëndësishme të këtij ligji, është lehtësimi i punës së gjykatave, duke i kaluar disa nga çështjet ose disa nga kompetencat te noterët. Zvogëlimi lëndëve në gjykata në fakt nuk mund të vijë me këtë ligj”, tha Tërmkolli.

Ajo ka shtuar se zvogëlimi i lëndëve nëpër gjykata vjen me themelimin dhe funksionimin e Gjykatës administrative, që nuk e din nëse në këtë qeveri dhe në qeveritë e kaluara, a është përmendur ndonjë herë. “Sepse pa një gjykatë administrative, gjykatat tona aktuale herë me fajin e tyre e herë pa fajin e tyre, do të mbetën pa zgjidhë lëndë edhe me dekada të tëra”, tha ajo, raporton KosovaPress.

Deputetja nga LDK-ja, Vjosa Osmani theksoi se në Prishtinë janë vetëm 13 raste sipas statistikave, që dy bashkëshortët regjistrojnë pronën në emër të tyre, jo vetëm në emër të burrit. Kjo sipas saj, duhet të shpeshtohet, duke ulur taksat komunale.

Osman: Nuk duhet me pasur taksa të larta për të dy bashkëshortët

“Ka edhe mënyra të tjera se si mund të ndihmojnë edhe komunat. p.sh. në qoftë se dy bashkëshortë dëshirojnë ta regjistrojnë pronën e tyre si të përbashkët, duhet të paguajnë një shumë mjaft të lartë, për shumicën dërmuese të familjeve në Kosovë dhe zakonisht kur e regjistrojnë vetëm në emër të njërit bashkëshort, pronën është më lirë dhe ju e dini se për cilin bashkëshort pastaj vendoset. Pra, duhet ajo taksë që paguhet në komunë në qoftë se dy bashkëshortët vendosin ta regjistrojnë pronën në emër të të dyve, patjetër të hiqet dhe ndoshta të shikohet edhe të detyrohet nëpërmjet ligjit. Andaj, të jetë çmimi i njëjtë sikur që regjistrohet vetëm në emër të njërit bashkëshort, sikur do ai qift ta regjistron në emër të të dyve”, deklaroi deputetja Osmani.

Deputeti nga radhët e LVV-së, Rexhep Selimi tha se kur bëhet fjalë për trashëgiminë në mes dy gjinive, do të duhej të favorizohej femra. Ai tha se ka një vajzë dhe një djalë dhe nëse ka diçka me trashëguar, mendon t’ia trashëgoi vajzës, sepse barazia nga një herë është edhe jo e drejtë.

Selimi: Femra është shtylla e shtëpisë

“Kur bëhet fjalë për Ligjin për trashëgimin, unë nuk jam fort për barazinë këtu, andaj, unë jam për një farë diskriminimi pozitiv në favor të femrave, për shkak se ne e dimë që femra është shtylla e shtëpisë. Nëse dikujt i besohet një gjë e tillë, atëherë do të duhej t’i besohej edhe trashëgimia. Prandaj, nëse do të doja barazi, mendoj që do t’i hynim në hak aktorit kryesor të familjes, e cila është femra”, deklaroi Selimi. 

Për shkak të mungesës së kuorumit ka përfunduar punimet Kuvendi i Kosovës, ndërsa u vendos që kjo seancë të vazhdojë nesër duke filluar nga ora 10:00, vetëm për votimin e këtyre projektligjeve, të cilat u shqyrtuan mbas dite.

Kuvendi sot pas pushimit pasdite shqyrtoi në parim Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr. 2004/26 për Trashëgiminë në Kosovë, Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 05/L-147 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.03/L-007 për procedurën jo-kontestimore, Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 05/L-144 për Noterinë.

Po ashtu deputetët bën shqyrtimin e parë të Projektligjit nr. 05/L-140 për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 05/L-136 për krijimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit hapësinor në Republikën e Kosovës. 

Në rend dite ishte edhe shqyrtimi i Raportit të Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr. 03/L-223 për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, dhe Ligjin nr. 03/L-224 për Këshillin Prokurorial të Kosovës, shqyrtimi i Projektligjit nr. 05/L-152 për Ratifikimin e Marrëveshjes për Bashkëpunim Financiar në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Qeverisë së Republikës së Austrisë, e përfaqësuar nga Ministria Federale e Financave, shqyrtimi i Projektligjit nr. 05/L-153 për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Hungarisë për Themelimin e Programit Kornizë për Bashkëpunim Financiar, shqyrtimi i Projektligjit nr. 05/L-154 për Ratifikimin e Protokollit Financiar midis Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë sà « Republikës së Francës, dhe të Marrëveshjes për Hua për zbatimin e Protokollit Financiar ndërmjet Ministrisë së Financave së Republikës së Kosovës dhe NATIXIS. Deputetët shqyrtuan edhe Projektligjin nr. 05/L-155 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Garancisë për FSDK - Linja e Dytë Kreditore për Fondin për Sigurimin e Depozitave të Kosovës ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Ndërkaq, mbetën pa u bërë shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 05/L-150 për ndryshimin dhe plotësimin Ligjit për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 05/L-130 për shërbime dhe shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ekzekutimin e sanksioneve penale.

Kuvendi s’ka kuorum për të votuar ndryshimin e pr/ligjit për Trashëgiminë në Kosovë

Kuvendi shqyrtoi në parim Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Trashëgiminë në Kosovë, si dhe shqyrtimin e parë të projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për procedurën jo-kontestimore, mirëpo nuk pati kuorum për t’i votuar.

Kuvendi po vazhdon të shqyrtojë projektligjet tjera sipas rendit të ditës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat