Transformimi i FSK-së në ushtri, proces i pakthyeshëm

Aktuale

Transformimi i FSK-së në ushtri, proces i pakthyeshëm

Më: 13 mars 2017 Në ora: 16:59
Tryeza e organizuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë me temë “Si të procedojmë me formimin e ushtrisë”

Procesi i transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës ka hyrë në një proces të pakthyeshëm. Kështu u tha anë tryezën e organizuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë me temë “Si të procedojmë me formimin e ushtrisë”.

Deputeti i AAK-së dhe kryetari i Komisionit për Punë të Brendshme Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së Daut Haradinaj tha se ata si ligjvënës janë duke e pritur projektligjin e sponsorizuar nga presidenti për ta dërguar në Kuvend bashkë me opinionet e tyre brenda afatit prej 30 ditëve. Sipas tij, në rast se kjo nuk ndodh, atëherë do ta marrin procesin në dorë ata si ligjvënës.

Ai madje shtoi se Forcat e Armatosura të Kosovës, sipas bindjes së tij mund të krijohen edhe me ligj të thjeshtë.

Haradinaj: Nëse Qeveria se sjell projektligjin, ne e marrim iniciativën

“Sot jemi në një situatë pothuajse të palakmueshme për shkak se askush i ekzekutivit nuk po e merr guximin me deklaruar atë qëndrim, edhe ministri edhe kryeministri edhe dikasteret  përkatëse. Por çkado që ata bëjnë, i kanë 30 ditë afat. Brenda këtyre 30 ditëve nëse ata vonohen do ta nisim iniciativën përmes deputetëve, anëtarëve të Komisionit sepse këtë ma lejon edhe rregullorja e Kuvendit edhe Kushtetua, por e mira e së mirës do të ishte që ai ligj të sponsorizohej prej ekzekutivit, të vjen në komision parlamentar, komisioni ti jep mbështetje dhe ta dërgojmë në lexim të parë”, tha Haradinaj.

Deputeti Haradinaj shtoi se transformimi i FSK-së në ushtri, nuk do të thotë se po krijon një mekanizëm, i cili do të rrezikojë qytetarët e Kosovës apo ndonjë elementi jashtë Kosovës, por po krijon një mekanizëm për mbrojtjen e kufijve, pronës dhe garantimin e paqes dhe sigurisë.

Ndërsa deputetja Vjosa Osmani, tha se që nga viti 2013 kur është bërë rishikimi i Sektorit të Sigurisë kanë mundur të bëjnë ndryshimet në ligjin për FSK-në, madje edhe misionin e saj. Por tha se krijimi i ushtrisë duhet të bëhet në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, ani pse nëse ligji shkon në Kuvend, atë s’do të mund ta ndalë asgjë që ta votoj.

Osmani: Duhet të binden partnerët strategjik se plani A është shterur

“Tashmë që procesi ka filluar dhe e konsideroj proces të pakthyeshëm, është kjo koha që ka mbetur institucionet e Kosovës edhe Qeveria edhe deputetët të angazhohen për diskutime publike. E kam thënë ky është një proces thelbësor për fuqizimin e shtetësisë së Kosovës dhe jo rastësisht gjatë negociatave për statusin e Kosovës kundërshtia e Serbisë në gjithë pakon e Ahtisarit ka qenë FSK-ja.... Në këta muajt që kanë mbetur secili prej nesh të kontribuoj që të binden partnerët tanë strategjik që plani A është i shterur, që nuk ka asnjë mundësi, së paku për këtë mandat, me këta deputetë të Listës Serbe që me këtë nuk ndryshon Kushtetuta, në planin B të jetë i përbashkët të marrim përsipër ta bëjmë të njëjtin proces sikur kur është hartuar Kushtetuta....Nuk e di cili është qëndrimi i LDK-së, po flas si deputete nuk ka asnjë rrethanë që mund të me ndalojë tà « votoj kundër një ligji të tillë”, u shpreh Osmani.

Ajo theksoi se Kroacia dhe Shqipëria i kanë shkruar letër sekretarit të NATO-s në përkrahje të formimit të ushtrisë së Kosovës.

Ish-komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati tha se FSK është ngritur që nga fillimi në bashkëpunim të ngushtë dhe mbikëqyrje të NATO-s dhe partnerëve strategjik dhe çdo kapacitet që është ndërtuar deri në arritjen e kapaciteteve të plota operacionale është zhvilluar me standardet më të larta që i kanë shtetet e NATO-s.

Ai ka dhënë edhe arsye pse Kosova duhet ta ketë ushtrinë e saj.

Kastrati: Kosova si shtet i pavarur duhet ta ketë ushtrinë e vet

“Pse Kosova duhet t’i ketë forcat ushtarake të saj. Në rend të parë Kosova si shtet i pavarur duhet ta ketë ushtrinë e vet për t’i mbrojtur kufijtë, qytetarët dhe pronën, por edhe për të marrë pjesë në operacionet në familjen më të madhe politiko-ushtarake NATO-s nëpër botë. Elementi i dytë është që Forca Ushtarake e Kosovës nuk do të jetë vetëm benifit për Kosovën por do të jetë edhe për NATO-n. Me ngritjen e këtyre kapaciteteve ushtarake dal nga dal me një plan të bashkëpunimit dhe veprimit mund të ndryshojmë këtë raport dhe dal nga dal Forca Ushtarake e Kosovës mund ta merr kompetencën nga shtet e NATO-s dhe të bart tek Forca Ushtarake”, theksoi Kastrati.

Ish kreu i FSK-së, shtoi se për fazat e zhvillimit të kësaj Force nuk duhet të brengoset askush për arsye se brenda natës nuk do të ndryshoj asgjë, pasi plani që është paraparë të zhvillohet kjo forcë deri në arritjen e kapaciteteve të plota operacionale është 10 vjeçar dhe me miratimin e ligjit, brenda natës nuk do të ndryshoj asgjë.

Deputeti i Vetëvendosjes Rexhep Selimi, theksoi se Kosova është e gatshme për transformimin e FSK-së në FAK dhe se ekziston konsensusi politik për ta bërë këtë. Selimi shtoi se nuk është zbatuar Kushtetuta rreth FSK-së sepse askush si ka ndaluar që ajo të jetë operacionale në tërë vendin, të ketë pajisje me të mëdha e të tjera. Derisa, e quajti mos koordinim me partnerët strategjik, reagimin e NATO dhe SHBA-së.

Selimi: Reagimi i NATO-s dhe SHBA-s si pasojë e mos koordinimit

“Duket se reagimi i partnerëve tanë strategjik, i sekretarit të NATO-s, i ambasadës amerikane, reagimi i tyre kundrejt këtij ligji, nuk nënkupton se ata nuk e mbështesin rritjen, ngritjen dhe pasjen e kapaciteteve ushtarake të Kosovës. Për shkak se të njëjtit me bashkëpunim të përhershëm me FSK-në, me faktorët tonë të brendshëm kanë ngritur këto kapacitete që ka FSK-ja, dhe ne nuk duhet asnjëherë të dyshonim se këta nuk e duan ushtrinë dhe nuk e duan Kosovën e mbrojtur. Kjo ka pasuar pasi një parakusht nuk është pasuar, ka munguar koordinimi dhe mendoj që pikërisht politizimi dhe përvetësimi ka ardhur pastaj reagimi”, tha Selimi.

Të pakthyeshëm transformimin e FSK-së e ka quajtur drejtori i zyrës për komunikim në Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ibrahim Shala.

Shala: Procesi i transformimit të FSK-së, i pakthyeshëm

“Me arritjen e kapaciteteve operacionale ka lindur shumë natyrshëm nevoja për transformimin e FSK-së, dhe kjo nevojë ka qenë e institucionalizuar në formë të dokumentit me rishikimin strategjik të sigurisë së Kosovës....Tash kohëve të fundit e kemi edhe projektligjin të propozuar nga presidenti që është një ngjarje e re. Sigurisht dorëzimi i këtij projektligji nga presidenti ne jemi të bindur se do ta përshpejtoj dinamikën e transformimit të FSK-së dhe mendojmë që ka hyrë në një proces të pakthyeshëm dhe sigurisht tash do të bazohet në procedura ligjore dhe afatet dhe rregulloren e punës së Parlamentit”, u shpreh Shala.

Projektligji i sponsorizuar nga presidenti i Kosovës Hashim Thaçi me të cilin mundësohet transformimi i FSK-së në ushtri, tani është në Qeveri për t’i dhënë opinionet e veta, e më pastaj për ta dërguar në Kuvend për shqyrtim dhe miratim. I njëjti projektligj është shqyrtuar nga grupet punuese në Ministrinë e FSK-së e që ministri Haki Demolli ka thënë për KosovaPress se nesër do të dërgohet në Qeveri. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat