Thaçi nuk heq dorë nga ushtria, ja letra e plotë që ia dërgoi shteteve të NATO-s

Aktuale

Thaçi nuk heq dorë nga ushtria, ja letra e plotë që ia dërgoi shteteve të NATO-s

Më: 14 mars 2017 Në ora: 10:53
Parakalimi i Thaçi para FSK-së

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në prag të takimit të Këshillit Veriatlantik të NATO-s, ia ka dërguar një letër sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, dhe shteteve anëtare të NATO-s.

Kjo është letra e plotë e presidentit Thaçi dërguar Sekretarit të Përgjithshëm, Jens Stoltenberg, si dhe përfaqësuesve të shteteve anëtare të NATO-s:

 I nderuar Sekretar i Përgjithshëm.  Më lejoni të ju falënderoj për vizitën tuaj në Kosovë muajin që shkoi dhe për takimin që e zhvilluam. Ishte një mundësi e shkëlqyeshme për të diskutuar dhe për të rikonfirmuar synimet dhe ambiciet tona të përbashkëta për paqe dhe stabilitet afatgjatë në Kosovë dhe në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

 Gjithashtu, më lejoni t’iu falënderoj për bisedën telefonike javën e kaluar dhe për mundësinë për të biseduar përkitazi me nismën ligjore të ndërmarrë me qëllim të avancimit të misionit dhe detyrave të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), në pajtim me Kushtetutën e Kosovës.

 Gjatë takimit tonë, por edhe përmes bisedës telefonike, diskutuam një çështje jetike për ekzistencën e Kosovës së pavarur dhe demokratike – domosdoshmërinë për të ndryshuar misionin e tanishëm të FSK-së në një forcë ushtarake mbrojtëse.

 Ne e konsiderojmë këtë transformim si një hap të domosdoshëm kushtetues dhe si të drejtë tonë sovrane për të themeluar një forcë mbrojtëse, për të mbrojtur integritetin territorial të Kosovës, si dhe për t’i kontribuar paqes dhe sigurisë në rajon.

 Si President i Republikës së Kosovës dhe Komandant Suprem i FSK-së, jam plotësisht i vetëdijshëm se ndërmarrja e nismës ligjore për transformimin e FSK-së mund të ketë shkaktuar shqetësime për NATO-n dhe shtetet anëtare të saj.

 Prandaj, ndjej obligim për të ofruar të gjitha argumentet e nevojshme ligjore dhe politike në favor të këtij procesi të transformimit, për të shmangur çfarëdo keqkuptimi tek NATO dhe anëtarët e saj. Së pari, në pajtim me Kushtetutën tonë, ne kemi themeluar FSK-në (2008-2009) – një forcë e sigurisë kombëtare e aftë për të mbrojtur qytetarët dhe komunitetet, duke u mbështetur në kompetencat e parapara me ligjin specifik për FSK-në. 

Mirëpo, ligji e përkufizon FSK-në vetëm si një instrument të sigurisë që mbështet Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe që ndihmon autoritetet civile në rast të fatkeqësive natyrore dhe të emergjencave të tjera. Sipas ligjit ekzistues, FSK-së i lejohet armatimi i lehtë dhe nuk i lejohet posedimi i armëve të rënda. Pjesëtarët e FSK-së janë rekrutuar dhe trajnuar nga NATO-ja, e cila vazhdon ta mbështesë zhvillimin e vazhdueshëm të saj përmes këshillimit, trajnimeve dhe ngritjes së kapaciteteve.

 FSK-ja është një forcë vullnetare, profesionale, shumetnike. Më 9 korrik 2013, FSK-ja arriti Kapacitetin e Plotë Operacional (KPO) të përcaktuar nga NATO-ja. Pas shpalljes së kapacitetit të plotë operacional, NATO-ja vazhdon të mbështesë zhvillimin e FSK-së përmes Ekipit Ndërlidhës dhe Këshillues të NATO-s (NLAT). Së dyti, Republika e Kosovës, si shtet sovran, e merr seriozisht përgjegjësinë e saj për të ofruar siguri për qytetarët dhe territorin e saj.

 Republika e Kosovës është mirënjohëse për rolin shumë të rëndësishëm që institucionet ndërkombëtare kanë luajtur në zhvillimin e sektorit të sigurisë në Kosovë, si dhe për sigurimin e një mjedisi të qetë dhe të sigurt në Kosovë, në përgjithësi.

 Kështu, si pjesë e procesit të marrjes graduale të më shumë përgjegjësive për sigurinë e saj, në mars të vitit 2012, Qeveria e Republikës së Kosovës inicioi Procesin e Rishikimit Strategjik të Sektorit të Sigurisë (RSSS), të institucioneve të saj të sigurisë. Qëllimi i RSSS-së ishte për të kryer një analizë gjithëpërfshirëse, pra të të gjitha aspekteve të sigurisë në Republikën e Kosovës, me qëllim të analizimit të sfidave aktuale dhe të ardhshme të sigurisë.    

Ky proces përfundoi në vitin 2014 dhe rekomandimi kryesor në lidhje me FSK-në ishte rekomandimi për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës (FAK) – forcë ushtarake që pasqyron shumëllojshmërinë etnike të popullit të Republikës së Kosovës, e rekrutuar nga shtetasit e Republikës së Kosovës, e pajisur për të përmbushur misione të mbrojtjes, e autorizuar që të shërbejë në vend dhe jashtë vendit, në mbështetje të operacioneve paqësore.

 Pas rekomandimeve të RSSS-së, më 2014, si kryeministër asokohe, publikisht kam shpallur synimin tonë për të themeluar FAK-un.

 Së treti, ne gjithmonë e kemi ditur se ky transformim nuk do të jetë një proces i lehtë, si për shkak të situatës së brendshme politike por edhe për përfshirjen e faktorëve të jashtëm.

 Megjithatë, edhe atëherë, por edhe sot, ne jemi të vendosur të ecim përpara në këtë proces, në bashkëpunim me partnerët tanë strategjikë, duke përfshirë NATO-n.

Për të arritur këtë qëllim, ne kemi vetëm dy opsione: Opsioni 1: Legjislacioni përfshin ndryshimet kushtetuese për të ndryshuar emrin e FSK-së në FAK dhe miratimin e një ligji të ri për FAK-un. Ky do të ishte opsioni më i mirë.

Megjithatë, në rrethanat e tanishme politike, ndërmarrja e kësaj qasjeje është praktikisht e pamundur për shkak se amendamentet kushtetuese kërkojnë votën e dy të tretave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Përveç dy të tretave të të gjithë deputetëve, ndryshimet kushtetuese kërkojnë edhe dy të tretat e të gjithë deputetëve që përfaqësojnë komunitetet e tjera që jetojnë në Kosovë, duke përfshirë edhe serbët e Kosovës.

Fatkeqësisht, deputetët që përfaqësojnë serbët e Kosovës janë plotësisht besnikë vetëm ndaj qëndrimeve politike të Serbisë dhe ata e kanë bërë të qartë votën e tyre kundër miratimit të legjislacionit të nevojshëm për të themeluar FAK-un.

 Nga ana tjetër, Serbia ligjërisht e konsideron Kosovën akoma si pjesë të territorit të saj dhe nuk do t’i bind as udhëzojë deputetët serbë të Kosovës për të votuar në favor të këtij transformimi. 

Përfundimisht, ky opsion është praktikisht i pamundur, për shkak të rolit të vetos së Serbisë. Opsioni 2: Legjislacioni përfshin vetëm ndryshime në ligjin ekzistues për FSK-në. Asnjë ndryshim kushtetues tjetër nuk është i nevojshëm.

E gjitha që duhet bërë është miratimi i një ligji të ri për FSK-në, i cili do të ndryshojë misionin e saj. Sipas këtij opsioni, nuk ka nevojë për të ndryshuar emrin ekzistues të FSK-së, nuk ka nevojë për ndryshime kushtetuese. 

Si rrjedhojë, kjo qasje nuk kërkon votën e dy të tretave të të gjithë deputetëve, dhe, gjithashtu nuk kërkon votën e dy të tretave të deputetëve që përfaqësojnë komunitetet joshqiptare, që jetojnë në Kosovë, përfshirë edhe serbët e Kosovës.    

Legjislacioni mund të miratohet me një shumicë të thjeshtë të votave të të gjithë deputetëve.

Prandaj, ashtu siç e kemi diskutuar, ne tani duhet të veprojmë për ta përgatitur FSK-në për Partneritetin për Paqe (PfP). Në kohën kur shumë gjëra po ndryshojnë në mbarë botën, aktorë të rinj janë të etur për të zgjeruar ndikimin e tyre edhe në rajonin tonë. Kosova do që të ruajë dhe promovojë marrëdhëniet paqësore fqinjësore me qëllim të rritjes së stabilitetit dhe besimit midis shteteve të rajonit.

 Pikërisht për këtë qëllim, ne vazhdojmë të mbetemi fuqimisht të përkushtuar ndaj procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

 Megjithatë, Serbia, duke qenë e mbështetur fuqimisht nga Rusia, nuk ndan të njëjtin qëllim me Kosovën për t’u bërë anëtare e NATO-s. 

Përkundrazi, Serbia ende ka pretendime ndaj territorit të Kosovës dhe vazhdimisht po armatoset me armatim nga Rusia, duke përfshirë aeroplanët luftarakë rusë MiG-29. 

Sidoqoftë, derisa jam i vetëdijshëm se siguria kombëtare e Kosovës është e lidhur ngushtë me sigurinë rajonale dhe atë euro-atlantike në përgjithësi, është detyra imja që si president dhe komandant suprem i FSK-së të siguroj se Kosova gradualisht krijon kapacitetet e saja mbrojtëse dhe përmbush obligimet ligjore që të aspirojë për anëtarësim në NATO.

 Në këtë kontekst, më vjen mirë që askush nga partnerët tanë strategjikë, përfshirë edhe NATO-n, nuk e vë në pikëpyetje të drejtën tonë sovrane për të vepruar në këtë frymë.

Dallimi i vetëm nuk ka të bëjë me qëllimin përfundimtar të transformimit të FSK-së, por me qasjen, me opsionin e zgjedhur për ta arritur atë. Duke marrë në konsideratë një gjë të tillë, tashmë kam deklaruar publikisht se ne jemi të gatshëm për ta bërë këtë transformim nëpërmjet opsionit 1, nëse kushtet përmbushen shpejt.

Fatkeqësisht, faktet dhe qëndrimi i deputetëve serbë të Kosovës mbeten të pandryshuara dhe ata vazhdojnë ta kundërshtojnë transformimin e FSK-së në çfarëdo forme.

Gjithashtu, qëndrimi i tyre pasqyron qëndrimin e Serbisë ndaj kësaj çështjeje. Për këtë arsye, nisma ligjore e ndërmarrë për ta transformuar FSK-në duhet të vazhdojë në përputhje me legjislacionin tonë, rregullat e procedurave dhe përmes një procesi transparent e gjithëpërfshirës.

 Në përfundim, më lejoni të sqaroj edhe një herë se transformimi i FSK-së, nuk mund të cilësohet në asnjë mënyrë si një akt i njëanshëm.

 Mund të konsiderohet si i tillë vetëm në rast se ju aludoni se Kosova ka nevojë për të marrë mbështetjen nga Serbia për të krijuar forcën e saj mbrojtëse ushtarake. 

Unë shpreh keqardhje që në cilësinë tuaj si Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s ju keni paralajmëruar pasoja të mundshme në kuptim të bashkëpunimit në mes FSK-së dhe NATO-s në rast të ndryshimit të mandatit të FSK-së.

 Këtë paralajmërim unë e kam kuptuar shumë seriozisht dhe më vjen shumë keq që ju i keni bërë publike këto pasoja menjëherë pas ndërmarrjes së nismës ligjore. 

Pa pasur nevojë të ritheksoj respektin e madh për NATO-n dhe shtetet anëtarë të saj, më duhet t’ua bëj të qartë se Kosova është e vendosur për të përfunduar këtë proces në një mënyrë transparente dhe gjithëpërfshirëse.

 Prandaj, miqësisht kërkoj nga ju për të marrë në konsideratë të gjitha argumentet ligjore dhe politike të shpjeguara shkurtimisht në këtë letër dhe t’i ndani ato me shtetet anëtare të NATO-s.

 Unë ju bëj thirrje juve dhe shteteve anëtare të NATO-s që të mos bëni parashikime lidhur pasojat e mundshme për FSK-së si rezultat i këtij transformimi gradual. 

Në vend të kësaj, ju bëj thirrje të gjithëve për ta mbështetur këtë proces dhe për të forcuar bashkëpunimin me FSK-në, sepse ne e kemi ndërtuar këtë forcë të sigurisë bashkërisht, për vite të tëra.

 Duke pasur parasysh të gjitha ato që i kemi diskutuar së bashku në të kaluarën dhe shpjegimet shtesë të ofruara në këtë letër, me dashamirësi kërkoj mirëkuptimin tuaj dhe ftoj shtetet anëtare të NATO-s për ta mbështetur Kosovën në përmbylljen e arkitekturës së saj të sigurisë, në pajtim me Kushtetutën e Kosovës, dhe për të përshpejtuar procesin e integrimit të Kosovës në NATO. 

Duke mbetur besimplotë dhe mirënjohës për përpjekjet tuaja personale dhe të NATO-s për paqen dhe sigurinë jo vetëm në Kosovë, por edhe në vendet tjera të Ballkanit Perëndimor, ju lutem pranoni shprehjen e konsideratës sime më të lartë.

 Me respekt, Hashim THAÇI President i Republikës së Kosovës.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat