MPB, paga në kundërshtim me legjislacionin dhe numër të madh të pozitave me ushtrues detyre

Aktuale

MPB, paga në kundërshtim me legjislacionin dhe numër të madh të pozitave me ushtrues detyre

Më: 15 mars 2017 Në ora: 12:28
Ministri i Punëve të Brendshme Skënder Hyseni

(E plotësuar) - Mbulimi i pozitave me ushtrues detyre, pagesat e të punësuarve nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve, vonesa në realizimin e projekteve kapitale si dhe vonesa në ekzekutimin e pagesave brenda afatit ligjor, janë disa nga të gjeturat e evidentuara në raportin e auditimit për Ministrinë e Punëve të Brendshme për vitin 2015. Raport ky i cili u shqyrtua në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike.

Anëtari i komisionit Bali Muharremi,  i cili foli për të gjeturat e raportit tha se Raporti i auditimit për MPB-në ka një opinion të pa modifikuar dhe se raporte të tilla ka pasur mjaftë pak deri tani. Ndërsa tha se edhe  pse sipas raportit ka përparime edhe më tutje ka ngecje tek MPB-ja, si menaxhimi i pagave jo në përputhje me legjislacionin, si dhe janë  evidentuar mangësi pasi që një numër i konsiderueshëm i automjeteve te policisë presin për servisim. Dobësi ka pasur dhe  në menaxhimin e rrezikut për pagesat e mundshme, mungese e llogaridhënies si dhe menaxhim i  pagave jo në përputhje me legjislacionin. Muharremi tha se sfidë e MPB-së,  paraqitet dhe fusha e menaxhimit të pasurisë.

Muharremi: Raporti evidenton disa mangësi

“Edhe në këtë raport ka disa mangësi.. Deri në fund të auditimit për vitin 2015 tri rekomandime janë implementuar, gjashtë janë adresuar pjesërisht, ndërsa dy nuk janë adresuar fare. Rekomandimet e pa adresuara ndërlidhen me mbulimin e pozitave me ushtrues detyre, dhe me pagesë të të punësuarve nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve. Kjo është një shkelje që është bërë. Prokurimi si proces ishte realizuar në përputhje me rregullat e përcaktuara për prokurimin publik, me përjashtim të prokurimit për blerjen e pjesëve rezervë të automjeteve,  për të cilat kishin përdorë procedurat e kutimit në çmime. Menaxhimi i pagave s'është bërë ne përputhje me legjislacionin. Një numër i konsiderueshëm i pozitave menaxhohen përmes ushtruesve të detyrave që kohën e fundit,  nuk janë paraparë me ligjislacion”, tha ai.

Ndërkaq dhe anëtari tjetër i komisionit nga radhët e LDK-së  Ali Sadriu,  tha se sipas raportit punët në MPB janë mirë, por jo dhe në Policinë e Kosovës.

Sadriu: Punët në MPB mirë, por jo bash mirë në polici  

“Shumëçka që ngriti raportuesi tek mënyra e trajtimit të kerret të mënyra e trajtimit të tyre, ajo i përket policisë jo ministrisë. Andaj bëri mirë në këtë kuptim që ta marrim vëmendjen tuaj dhe të iu themi se nëse në ministri gjerat janë mirë, në agjencionin e juaj në polici, mund të themi se nuk janë bash mire dhe ka nevojë për një shikim më të detajuar të tyre. Është mirë që ata të reflektojnë“, tha ai.  

E Enver Hoti nga Nisma,  tha se raporti ka evidentuar disa mangësi, për të cilat duhet dhënë përgjigje, siç janë pagesa e pagës në  kundërshtim me vendimet e qeverisë, mirëmbajtja jo e mirë e dosjeve të personelit dhe mangësi të tjera të evidentuara.

Hoti: Auditori ka vërejtur mangësi

“Auditori ka vërejtur dobësi sistematike ne sistemin e prokurimit veçmas në policinë e Kosovës. Unë do të thoja ministër që nuk besoj që ka ndonjë kuptim të menaxhimit , drejtimit  dhe udhëheqjes nga ministria në mes të agjencioneve sepse ne e dimë kush e përbejnë MPB-në. Mendoj se është  përgjegjësi direkte dhe e ministrisë jo vetëm në PK, por në të gjitha agjencionet që janë në kuadër të ministrisë, duhet ti menaxhoj dhe ti orientojë në këto çështje që kanë të bëjnë me menaxhimin e financave. është një dobësi sistematike shmangja nga procedurat e hapura të tenderimit. Duket me kanë bukur serioze kjo çështje dhe me u trajtuar. Procesimi i urdhër blerjes pas pranimit te faturave, është një çështje që duhet të na jepni përgjigje. Ka vonesa në realizimin e projekteve dhe vonesa në ekzekutimin e pagesave. Certifikim jo i rregullt i pagesave.  Mbulimi i po zitave me ushtrues detyre,  po vazhdon në formë permanente dhe nuk besoj që kjo është zgjidhur. Pse po vazhdon kjo çështje ende të ndodh. Pagesa e pagave nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve edhe kjo është shqetësuese dhe besoj se është e paarsyeshme dhe sdi pse ndodh të përsëritet ende”, tha ai.

Ndërkaq Faton Topall, kryetar i Komisionit tha se problematike mbetet mosimplementimi i rekomandimeve të auditorit.

Topalli: S’po implementohen rekomandimet  e auditorit

“Problematike është që ne paguajmë për auditorin një buxhet prej 2 milionë euro në vit dhe përmes këtij buxheti synohet që të ndihmohet qeverisja e mirë. . Problemi është se vazhdimisht kemi rekomandime të mira nga auditori  për organizata buxhetore,  por mese gjysma e rekomandimeve nga auditori  nuk implementohen . Në njëfarë mënyre po shkon edhe puna e auditorit kot dhe nuk po ka ndryshime të mëdha në qeverisje të mirë, për shkak se rekomandimet që janë dhënë nga auditori nuk implementohen.  Ne rastin e MPB-së kemi 11 rekomandime dhe  vetëm 3 prej tyre janë implementuar tërësisht. Ndërsa rekomandimet tjera pjesërisht”, tha ai.

E Ministri i Punëve të Brendshme Skënder Hyseni, i cili raportoi para Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike lidhur me raportin e Auditimit të vitit 2015 për këtë ministri, duke iu përgjigjur vërejtjeve të cilat i theksuan anëtarët e këtij komisioni tha se gjendja në ministrinë që ai drejton,  sa i përket zbatimit të rekomandimeve tani është më mirë, pasi që nga 17 rekomandimet e marra nga Auditori,  12 janë adresuar tashmë dhe 5 prej tyre janë në proces.

Ndërsa tha se edhe sa i përket mbulimit të pozitave më ushtrues detyra gjendja është shumë më e mirë se në ministri tjera. Gjithashtu dhe numri i të punësuarve që janë paguar nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve është tejet i vogël, krahasuar me vitet e mëhershme.

Hyseni:  Nga 17 rekomandime, 12 i kemi adresuar

“Pagesat e pagave nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve fola për këtë sot kemi 3 nga një numër  që ka shkuar përtej  60 ditën që kam marrë MPB-në.  Mbulimi i pozitave me ushtrues detyre. Kjo situatë na përcjell dhe neve njësoj siç i përcjellë dhe ministritë tjera. Bile bile  jo për të rrahur gjoks por gjendja tek ne është shumë më e mirë se në pjesën dërmuese të ministrive tjera në këtë fushë. Por kjo ndodh si pasojë e mos aprovimit të pozitave nga ministria e Financave... gjendja e zbatimit te rekomandimeve nga auditori të përgjithshëm. Rekomandime të adresuara dhe zbatuara janë  12  nga gjithsej  17. Ndërkaq 5 rekomandime janë në proces të zbatimit përkatësisht adresimit të plotë“, tha ai.

Ai tha se që nga dita kur ka marrë përsipër ta udhëheqë ministrinë e Brendshme, ka vendosur një kornizë parimesh dhe se disiplina buxhetore ka qenë në fokus të tij.

Hyseni: Se kam përzënë askënd nga puna

“Që nga dita kur kam marrë MPB-në,  kam vendosur një kornizë parimesh që do të më udhëheqin mua në punën time.  Një nga ato është dhe disiplina buxhetore që e kam vendosur në fokus të fuqishëm. Kur flasim për  shërbime të veçanti, siç po thuhet në kontratë mbi vepër shumë kujt nga ju mund t’i kujtohet  bile bile patën protestuar te ministria me konotacione partiake jo LDK-ja po na përzënë prej punës. unë se pata përzënë prej punës askënd, por iu kishte përfunduar kontrata mbi vepër 55 të punësuarve dhe natyrisht kam marrë qëndrim të prerë që ato  kontratat te mos vazhdohen,  sepse janë kundërligjshëm”, tha ai.

Hyseni shtoi se ai udhëheq MPB-në dhe jo një parti politike.

Hyseni: Në MBP kanë qenë 60 ushtrues detyre, tash janë vetëm tre

Ministri i Punëve të Brendshme Skënder Hyseni ka raportuar sot para Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike lidhur me raportin e Auditimit të vitit 2015 për këtë Ministri.

Hyseni tha me këtë rast se gjendja në këtë Ministri sa i përket zbatimit të rekomandimeve tani është më mirë, pasi që nga 17 rekomandimet e marra nga Auditori 12 janë adresuar tashmë dhe 5 prej tyre janë në proces.

 Duke folur për raportin e Audimit i cili specifikon pozitat që janë udhëhequr me ushtrues detyre.

 Ai tha se në MPB aktualisht janë vetëm tre ushtrues detyre nga mbi  60 sa ishin në vitet e mëhershme.

 Ai ka folur edhe për shkëputjen e kontratave mbi vepër që kanë qenë të lidhura kundërligjshëm e që i ka ndërprerë ato posa ka marr pozitën e ministrit.

 Deputetët anëtarë të këtij komisioni kanë paraqitur vërejtjet e tyre gjithnjë duke u bazuar në raportin e Auditorit.

 Deputeti nga LDK Ali Sadiru tha se nëse në MPB gjërat janë mirë në Polici nuk janë edhe aq mirë dhe se sipas tij ka nevojë për një shikim më të detajuar të tyre.

 Ndërsa Enver Hoti nga Nisma tha se Auditori ka vërejtur dobësi sistematike në sistemin e prokurimit veçmas në  Policinë e Kosovës.

 "Kjo është përgjegjësi direkte edhe e Ministrisë . Është shmangja nga procedurat e hapura të tenderimit. Procesimi i urdhërblerjes pas pranimit te faturave. Ka vonesa në realizimin e projekteve dhe vonesa në realizimin e pagesave. Mbulimi i pozitave me ushtrues detyre po vazhdon në mënyrë permanente. Pagesa e pagës ne kundershtim me vendimet e Qeverisë janë disa çështje që duhet me na dhënë përgjigje", tha Hoti. Vërejtje dhe sqarime kërkuan edhe deputetët e tjerë anëtarë të këtij komisioni.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat