UNESCO t’i hapë dyert për kulturën e Kosovës

Aktuale

UNESCO t’i hapë dyert për kulturën e Kosovës

Më: 18 mars 2017 Në ora: 16:52
Aktivitet i organizuar nga Gruaja Demokratike e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), me moton “Kultura e botës është e mangët pa kulturën tonë”.

Agjencioni i Kombeve të Bashkuara UNESCO duhet t’i hapë dyert edhe për kulturën e Kosovës, pasi vendi ynë ka çfarë t’i ofrojë kulturës botërore, u tha të shtunën në një aktivitet të organizuar nga Gruaja Demokratike e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), me moton “Kultura e botës është e mangët pa kulturën tonë”.

Me këtë rast, kryetarja e Gruas së PDK-së, Justina Pula-Shiroka tha se shoqëria kosovare ka identitetin e saj të formuar kulturor dhe se UNESCO duhet t’i hapë dyert për kulturën dhe arsimin e vendit tonë, pasi Kosova vërtet ka çka t’i ofrojë UNESCO-s.

Pula-Shiroka: Kosova ka çfarë t’i ofrojë UNESCO-s

“Ne për të dëshmuar të kundërtën dhe të mos mbetur gjithnjë fëmijë vlerën kulturën e identitetet tonë duhet më shumë respekt ta çmojmë, kultivojmë dhe ta konsumojmë. Secilit objekt i trashëgimisë kulturore duhet t’ia japim legjendën për të lënë gjurmë për të rinjtë e këtij vendi. UNESCO duhet t’i hapë dyert për kulturën dhe arsimin e vendit tonë. Kosova vërtet ka çka t’i ofrojë UNESCO-s, ka identitetin e saj kulturor të formuar, por fatkeqësisht jo mirë të dëshmuar për t’u konsumuar si vlerë nga gjithë qytetarët e botës”, ka thënë ajo.

Ajo ka theksuar se përmes këtij aktiviteti synohet për të dëshmuar se krahas ekzistencës së objekteve të trashëgimisë kulturore, ekziston edhe vlera shpirtërore, siç janë veshja jonë e traditës, vallja e lojërat tradicionale, si dhe muzika.

Ndërsa, deputeti i PDK-së, Elmi Reçica, i cili njëherësh është edhe kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme, tha se Gruaja e Demokratike e PDK-së ka dëshmuar se gruaja në shoqërinë tonë ka potencial të jashtëzakonshëm për të ofruar më shumë për politikën tonë dhe se Gruaja Demokratike e PDK-së po iu prin këtyre proceseve.

Reçica: Besoj se Kosova do të jetë vendi i 154 i UNESCO-s

“Vetë fakti që ju po i prini këtij procesi të UNESCO-s, e dëshmon se ne jemi duke biseduar edhe në kryesi të partisë, në komisione, në Parlament, por ju po e bëni veprimin, kjo është shumë me rëndësi dhe ju po i prini atyre angazhimeve dhe prioriteteve dhe besoj se kësaj here Kosova do të jetë vendi i 154 i UNESCO-s”, tha Reçica.

Deputeti Reçica shtoi se ata si komision kanë prioritet shumë çështje, porse diplomacia kulturore është e veçantë dhe se do të angazhohen fuqishëm në këtë drejtim.

Reçica: Diplomacia kulturore është shumë e veçantë

“Komisioni për Punë të Jashtme një nga angazhimet ka edhe diplomacinë parlamentare, dhe në kuadër të diplomacisë parlamentare, është edhe grupet e miqësisë, sigurisë, inteligjencës, ekonomisë, por diplomacia kulturore është shumë e veçantë që mund të prezantojmë vlera të shumë të veçanta, vlera shumë të njohura, të cilave iu ka rënë një shtresë e hollë e harresës. Dhe unë besoj që do të angazhohemi fuqishëm në këtë drejtim”, theksoi ai.

Ndryshe, në këtë eveniment, përmes sllajdeve është prezantuar edhe një artizanat i veçantë, i cili ka lënë gjurmë në traditën shqiptare, mjeshtëria e kultivimit të filigranit. Po ashtu, përmes një grupi vajzash, u prezantuan veshjet kombëtare me të gjitha specifikat e saj rajonale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat