S’ka komision për shkallën e invaliditetit pa u mbyllur listat

Aktuale

S’ka komision për shkallën e invaliditetit pa u mbyllur listat

Më: 19 mars 2017 Në ora: 10:41
ilustrim

Komisioni mjekësorë që do të përcaktonte shkallën e invaliditetit tek invalidët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ende nuk është formuar. Kjo vonesë po konsiderohet e padrejtë nga veteranët e UÇK-së. Në anën tjetër, zyrtarë të Qeverisë thotë se komisioni do të formohet posa të përmbyllen lista e veteranëve.

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Veteranëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi, tha se vazhdimisht po provojnë të komunikojnë me qeveritarët që të funksionalizohet ky komision, por që ai thotë se nuk po marrin përgjigje.

Qeriqi: Nuk po marrim përgjigje nga qeveritarët

“Ne në vazhdimësi po mundohemi të komunikojmë me qeveritarët e Republikës së Kosovës rreth funksionalizimit të këtij komisioni por për fat të keq nuk po marrim përgjigje, në vazhdimësi ata japin deklarata se ky komision do të filloj shumë shpejtë, por kjo nuk po ndodhë. Ne kemi pasur vitin e kaluar një takim me kryeministrin dhe patë premtuar që brenda muajit do të përmbyllet ky proces dhe do të funksionalizohet ky komision, për fat të keq ka kaluar edhe një vit dhe ky komision nuk po fillon punën për t’i shqyrtuar lëndë e invalidëve”, tha ai.

Po ashtu, ai tha se është një numër i madh që e kanë fituar statusin e invalidëve, por që në mungesë të komisionit mjekësorë nuk janë kompensuar.

Gjithashtu, për KosovaPress Qeriqi tha se nëse nuk merret ndonjë hap nga Qeveria e Kosovës që sa më shpejtë të funksionalizohet ky komision do të ndërmarrin hapa të tjerë apo edhe do të protestojnë.

Qeriqi: Është e turpshme që për 4 vite nuk është përmbyllur ky proces

“Është një numër bukur i madh i tyre dhe marrë ankesa të përditshme, çdo ditë kam komunikim me ta dhe ata janë të pakënaqur, një pjesë e tyre janë raste sociale, po ashtu kemi raste të cilët janë të palëvizshëm dhe po jetojnë në një gjendje të rëndë ekonomike. Për fat të keq kjo po ndodhë tash është e turpshme, kanë kaluar 4 vite dhe ky komision nuk po arrin me përmbyllë këtë proces. Ne jemi duke e diskutuar që në rast se nuk merret një hap nga Qeveria e Republikës së Kosovës që sa më shpejtë të funksionalizohet ky komision të ndërmarrim hapa të tjerë, qoftë përmes protestave”, tha ai.

Kurse, deputeti nga radhët e PDK-së, Bislim Zogaj, i cili disa herë ka ngritur çështjen e formimit të komisionit mjekësorë në Kuvend, thotë se përkundër asaj që i është thënë se do të zgjidhet ky problem, ende nuk është bërë asgjë.

Zogaj: Nuk është punuar asgjë në këtë drejtim

“Për kategorinë e invalidëve të luftës do të formohet komisioni dhe më së shumti dy muajt e vitit 2017 do të zgjidhet edhe ky problem dhe do të fillojnë pagesat. Ndërkohë është vërejtur se nuk ka lëvizur asgjë dhe para një jave mjetet e informimit kemi dëgjuar që ministri për Mirëqenie Sociale ka deklaruar se tani do të caktohen dy persona për t’u lëshuar vërtetimet që me ato vërtetime pastaj të kenë të drejtë të bëjnë kërkesën për kompensim, por realisht nuk është punuar asgjë në këtë drejtim”, tha ai.

Sipas tij, arsye se pse institucionet e Kosovës po e vonojnë formimin e komisionit është se nuk e dinë vlerën e atyre që dhanë çdo gjë që këta sot të jetojnë të lirë.

Zogaj: Nuk e dinë vlerën e atyre që dhanë çdo gjë

“Mendoj që dy arsye janë. Nën një, ndoshta është fjalë e rëndë por nuk e dinë vlerën këta që duhet të interesohen dhe të kujdesen për ata që bënë çdo gjë, dhanë më të shtrenjtën për neve dhe nuk e dinë vlerën e tyre sepse falë gjakut të tyre ne jemi deputetë, jemi ministra, pra, do të thotë e gëzojmë lirinë. E dyta, mendoj është që mundohen të kursejnë buxhet, të paktën duke e shtyer një muaj, dy, tre, mundohen të kursejnë buxhet, por, mendoj që është gjëja më e ulët që mund të bëjë një Qeveri për ata që kontribuuan që ne të jemi të lirë”, tha ai.

Ndërsa, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës dhe Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, për KosovaPress ka thënë se po pritet që të përfundojnë listat e invalidëve dhe pastaj do të formohet komisioni mjekësorë që do të bëjë përcaktimin e shkallës së invaliditetit tek invalidët e UCK-së.

Abrashi: Pas përfundimit të listave do të formohet komisioni

“Shkalla e invaliditetit është njëfarë mënyre, prapë e kemi pas një komunikim të mirë me shoqatat përkatëse dhe po presim me u përfundu listat e invalidëve sepse nuk janë mbyllur listat e invalidëve. Edhe aty kemi një kërkesë me u bë një plotësim ndryshim i ligjit, por ajo shkon në një shkallë të mëvonshme. Ajo çka është kërkesa e FMN-së në raport me këtë kategori është diskriminimi që iu bëhet kategorive të tjera sepse ata thonë për një dëmtim të njëjtë një kategori e merr një shumë më të lartë sesa një kategori tjetër dhe kjo duhet me u ndryshua, por sidoqoftë ne presim me u mbyllë listat të cilat edhe vetë mua më është premtuar para një muaji ose më shumë se përmbyllen listat dhe ne e hapim procesin. Realisht pres çdo moment me u përfundu listat dhe ne me formuar një komision mjekësor që ka me trajtua këtë”, tha ai.

Ndryshe, as procesi i veteranëve nuk ka përfunduar, kurse, për kategorinë e pjesëtarëve të UCK-së, as që ka filluar marrja e certifikatave.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat