Rezuluta e Parlamentit të Kosovës pa ndonjë efekt

Aktuale

Rezuluta e Parlamentit të Kosovës pa ndonjë efekt

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 20 mars 2017 Në ora: 15:20
Kuvendi i Kosoves

Rezoluta e Kuvendit të Kosovës për pezullimin e përkohshëm të bisedimeve  me Beogradin është e vonuar. Ende nuk dihet se sa mund  të  riparohet, apo kompensohet dëmi i deritanishëm që i është shkaktuar vendit në  këtë proces të pa barabartë të bisedimeve me  miratimin dhe respektimin e rezolutës së fundit të Kuvendit të Kosovës.

Politologu, Nexhmedin Mustafa ka deklaruar  për “ Bota Sot”  se institucionet e Republikës së Kosovës, shoqëria jonë dhe të tjerë, duhet ta kenë të qartë se Republika e Kosovës ka rregullimin e vet shtetëror, në bazë të të cilit sistem edhe funksionon, pra është Republikë parlamentare.  

“Karakteristikë themelore e sistemeve parlamentare është përcaktimi i ekuilibrit në mes të parlamentit dhe qeverisë me mundësinë e kufizimit të tyre reciprok. Në sistemet parlamentare vetëm sipërfaqësisht duket se vend qëndror në sistemin e pushtetit ka parlamenti, kurse në esencë rol dominues ka qeveria, të cilën e formon shumica parlamentare. Andaj kur jemi te parlamenti i Kosovës, sidomos kohëve të fundit, po hasim paqartësi në nxjerrje të rezolutave të ndryshme, nga deputetët e kuvendit dhe miratimin e tyre, të cilat mëpastaj nuk po gjejnë efekt praktik në zbatim. Shpesh nëpërmjet këtyre rezolutave, të cilat incicohen nga deputetë të caktuar dhe më pastaj, disa prej tyre edhe miratohen me shumicë vote nga deputetët e kuvendit të Kosovës, shohim joseriozitet në hartimin dhe përpilimin e tyre. Kjo, në esencë tregon nivelin e përfaqësimit në legjislativin e vendit, andaj këto rezoluta edhe si të tilla në shumicën e rasteve nuk po gjejnë kurrfarë efekti juridikë e praktikë. Sa për ilustrim, njëra nga rezolutat e fundit, e nxjerrur nga parlamenti i Kosovës, parashihte rrëzimin e murit te ura e Ibrit, dhe po e njëjta i bëri thirrje qeverisë së vendit ta ekzekutojë këtë rezolutë të kuvendit duke e rrëzuar murin sipas një afati kohorë të caktuar”, ka thënë Mustafa.

Ai ka vlerësuar, se Qeveria e Kosovës, nuk e përfilli datën, e cila nënkuptonte afatin e fundit kohorë kur do të duhej të rrëzohej muri, derisa pjesa tjetër e dimë se si mbaroi, por më e rënda është se askush nuk e ngriti në pah të diskutohet si temë pse qeveria e vendit nuk zbaton rezolutat e kuvendit të Kosovës, atëherë kur i bëhet thirrje.

“Ishte rezoluta tjetër, në lidhje me ndalimin e z. Ramush Haradinaj nga autoritetet Françeze, e cila po ashtu nuk prodhoi asnjë efekt. Kishte poashtu edhe iniciativa tjera nga deputetë të kuvendit të Kosovës, e që i propozonin kuvendit të Kosovës, që ky i fundit të nxirrte një rezolutë kundër Gjykatës Speciale. Dhe fare në fund, kuvendi i Kosovës nxori rezolutën e cila parasheh ndërprerjen e negociatave me Serbinë nga pala Kosovare deri në lirimin e z. Ramush Haradinaj.

Të gjitha këto tentativa nga legjislativi i vendit, e që i konsideroj euforike, të paplanifikuara mirë, joprofesionale, joserioze, nxjerrin në pah një mozaik real aktorësh ku  “kori muzikor” interpreton pa dirigjent në një sallë të hapur, pa publikë.?farë kuptimi ka gjithë ai debat i kotë në parlamentin e Kosovës, duke nxjerrë rezoluta të njëpasnjëshme, e të cilat nuk gjejnë asnjë zbatim dhe askush nuk i përfill ato? Pse humbet gjithë ajo kohë e qmuar, në vend se kjo nomenklaturë në parlamentin e Kosovës të merret me gjëra konkrete dhe rrjedhimisht të tregoj seriozitet, në rend të parë karshi qytetarëve të vet e pastaj edhe karshi faktorit ndërkombëtar”, ka thënë Mustafa. Sipas të njëjtit, ky joseriozitet parlamentar dhe ky përfaqësim kaq joserioz i qytetarëve të republikës se Kosovës, po tregon qartë një papjekuri politike, e cila, pastaj po manifestohet kudo në shoqëri.

“Rezolutat që dalin nga Kuvendi i republikës së Kosovës, duhet të jenë të matyra, serioze, mirë të analizuara dhe duhet të kenë një qëllim, i cili duhet të ketë efekt. Në të kundërtën, vazhdimi i funksionimit të parlamentit në formën aktuale nuk paraqet asnjë kurreshtje për askë, e aq më pak të pritet se dikush do ti respektojë këto rezoluta, e që realisht nuk paraqesin asgjë më shumë se shprehje e pakënaqësive ndërmjet grupeve parlamentare në kuvend dhe eventualisht skena që për syrin e qytetarit janë të turpshme”, është shprehur politologu Nexhmedin Mustafa.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat