Abrashi: 40 milionë euro ndahen vetëm për pensionet e veteranëve

Aktuale

Abrashi: 40 milionë euro ndahen vetëm për pensionet e veteranëve

Më: 20 mars 2017 Në ora: 18:33
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi duke treguar për skemat e reja pensionale në Kosovë, ka folur edhe për çështjën e veteranëve.

“Janë rreth 40 milionë euro që shkojnë vetëm për veteranët. Ne bëjmë shpërndarjen e pensioneve për të gjithë ata që plotësojnë kushtet. Me veteranë jemi pajtuar të jetë shuma prej 0.7 % të GDP-së. Kemi rreth 90 milionë për këtë skemë dhe për skemën e pensioneve familjare”.

Abrashi që është i ftuar në Info Magazine ka treguar se në bazë të një udhëzimi të vitit të kaluar, ata që nuk janë banorë të përhershëm të Kosovës kanë filluar të përjashtohen nga lista e pensioneve.

Ai ka thënë poashtu se politizimi ka ndikuar në temat dhe çështjet sociale në Kosovë.

“Fatkeqësisht ekziston një politizim i secilës temë dhe merren me tema që nuk kanë efekt në jetën e qytetarëve. Kjo ka ndikuar negativisht në shumë tema që lidhen me çështje sociale”.

“Nëse ka presion më të madh nga publiku për një temë të veçantë kjo bën që ne të ngrisim zërin që të kërkojmë më shumë për zgjidhjen e tyre. Ne po i japim rëndësi disa temave që nuk janë shumë në interes të qytetarëve”.

 Abrashi duke folur për pensionet e veteranëve të luftës në Kosovë ka thënë se jo të gjithë marrin një pension.

“Jo të gjithë veteranët e marrin pension. Ai veteran i cili ka të hyra është kusht që të mos e marrë pensionin. Janë 29 mijë veteranë që marrin pension aktualisht”.

Abrashi ka treguar edhe për ndryshimin e Ligjit për Veteranët.

“Ne kemi ndryshuar Ligjin ku shihet kategorizimi në tri shkallë varësisht nga kontributi dhe kohëzgjatja që ka pasur në luftë. Ky ligj hyn në fuqi kur e marrim vendimin nga Gjykata Kushtetuese”.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale ka folur edhe për numrin e të papunëve në Kosovë duke thënë se ka përmirësime në këtë fushë dhe atyre që janë të punësuar.

“Sot i kemi rreth 350 mijë. Shifrat për vitin e kalaur po del të jetë rreth 26 deri 27% ku është një rënie krahasuar me vitin 2014”.

“347 mijë punëtorë  punojnë në Kosovë që është numri më i madh që ka pasur Kosova. Numri i atyre që punojnë në sektorin joformal ëshët i madh por nuk kemi numër të saktë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat