Për Vjosa Osmanin këto janë dy vendimet e mira të qeverisë Mustafa

Aktuale

Për Vjosa Osmanin këto janë dy vendimet e mira të qeverisë Mustafa

Më: 20 mars 2017 Në ora: 21:19
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se dy prej punëve të mëdha që ka bërë qeveria e Kosovës, e drejtuar nga Isa Mustafa, janë Marrëveshja e Stabilizim Asociimit dhe parandalimi i likuidimit të Trepçës.

“Nëse është për vendim të mirë, më duhet të potencoj dy, e para është marrëveshja e MSA-së për të cilën shumë prej nesh në LDK kemi dhënë kontribut dhe mendoj se si marrëdhënia e parë me BE-në ka rëndësi të madhe”, ka thënë Osmani.

MSA sipas saj është hap në raportin mes Kosovës dhe BE-së është konkretizimi i parë.

“E dyta është çështja e Trepçës, përkundër mosmenaxhimit të pritjeve, është miratuar një ligj që deri diku e qetëson situatën, dhe ka parandaluar likuidimin e Trepçës”, ka thënë Osmani në “Zona B”.

“MSA nëse implementohet do të ketë efekt në jetën e qytetarëve. Nëse zbatohet si duhet dhe brenda periudhës së duhur, Kosova mund të përfitojë.”, ka shtuar ajo.

Edhe pse ka përmendur këto, si dy vendimet e mira në qeveri, nga shefi i saj në parti – Isa Mustafa, ajo rithekson se në ditën që është nënshkruar marrëveshja e koalicionit PDK – LDK është thyer shpresa e qytetarëve

“Shumica e qytetarëve e dinë përgjigjen time, në ditën kur është lidhur koalicioni me PDK-në unë kam thënë që janë thyer shpresat e qytetarëve që ta shohin LDK-në si shpresë, por është edhe koalicion me një parti që parim kryesor ka moszbatimin e marrëveshjeve”, ka pohuar Osmani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat