“Veteranët e rrejshëm po e dëmtojnë buxhetin”

Aktuale

“Veteranët e rrejshëm po e dëmtojnë buxhetin”

Hava Orana-Xhukolli Nga Hava Orana-Xhukolli Më 21 mars 2017 Në ora: 13:05
Ilustrim

Ditë më parë ministri Arban Abrashi ka deklaruar se nuk ka probleme me veteranët dhe buxheti do të rritet. Ministri Abrashi theksoi se nuk do të kenë telashe për këtë vit me buxhetin për veteranët, sepse sipas tij, janë pajtuar me shoqatat e dala nga lufta që do të jetë i mjaftueshëm buxheti prej rreth 40 milionë euro për vitin 2016.

Abrashi shtoi se në vitin 2017, buxheti për veteranët do të jetë rreth 50 milionë euro.

“Është një buxhet i cili rritet çdo vit, sivjet është pak mbi 40 milionë euro, është 0.7 përqind e GDP-së, besoi se vitin e ardhshëm do të jetë 49 milionë euro dhe kjo shkon në vazhdimësi duke u rritur. Është pranuar me u bërë një kategorizim dhe do të fillon në këtë bazë, dhe një pjesë nga veteranët të cilët nuk jetojnë në Kosovë duhet të largohen nga sistemi pensional”, ka thënë ministri Abrashi.

Ndërkaq të kontaktuar nga “Bota sot”, se si planifikon Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale zgjidhjen e çështjes së veteranëve, Ministri Abrashi, dhe zyrtarë tjerë të kësaj ministrie nuk janë përgjigjur në interesimin e gazetës për këtë çështje.

Veteranët të pakënaqur me buxhetin që u është ndarë dhe mos zgjidhjen e problemit të tyre disa herë kanë protestuar dhe kundërshtuar vendimet e zyrtarëve përgjegjës për këtë çështje.

Paralajmërohen protesta

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Veteranëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi në një intervistë për “Bota sot” ka thënë se kanë mbetur edhe pak ditë për ta marrë vendimin lidhur me ndryshimet e fundit ku u kategorizuan veteranët, madje sipas tij nëse nuk merret një vendim brenda kësaj kohe ata janë në përgatitje të një proteste.

“Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me veteranët e UÇK-së dhe pakënaqësitë janë shumë të mëdhaja rreth kategorizimit të tyre. Çdo ditë marr ankesa dhe kërkesa të ndryshme rreth padrejtësive që po u bëhen, dhe duke i marrë parasysh shqetësimet e tyre, ne do të fillojmë përgaditjet për protestën që do të ndodh në një kohë jo të largët”, thekson Qeriqi për “Bota sot”.

Ndërkaq si pozitive deklaratën e ministrit Abrashi e sheh analisti politik, Faik Krasniqi.

“Nuk dyshoj në atë që ka thënë z.Abrashi, për rritjen e buxhetit dhe zgjidhjen e çështjes së veteranëve, meqë qenkan pajtuar me shoqatat e dala nga lufta. Kjo është një gjë pozitive”, thekson ai.

Sipas Krasniqit, kjo listë fillimisht duhet pastruar nga Qeveria, sepse si e tillë e dëmton shumë buxhetin e Kosovës.

“Por një gjë duhet ta kemi parasysh që kjo listë e veteranëve të UÇK-së është e manipuluar dhe ajo duhet të pastrohet nga Qeveria, sepse kjo stërfryrje e madhe e kësaj liste e dëmton në masë të madhe buxhetin e Kosovës, buxhet edhe ashtu të varfër. Ne e dimë fare mirë sa veteranë të vërtetë i ka UÇK-ja, që nuk kalon më shumë se 12 mijë. E të tjerët që janë futur në listën e veteranëve nga ish Komandantët dhe politikanët për efekt të votave, janë vetëm plaçkitës të buxhetit”, thotë Krasniqi.

Analisti Krasniqi thotë se pavarësisht rritjes së buxhetit, nëse paguhen veteranët e rrejshëm do ta varfëronin më tutje buxhetin, në vend që të investoheshin diku tjetër.

“Edhe pse në vitin 2017 do të kemi buxhet më të madh se viteve paraprake , diku 2 miliard euro sipas Ministrisë së Financave, prapë ngelet buxhet i varfër dhe ato para që paguhen për veteranët e rrejshëm, do të mund të investoheshin për stimulimin e bizneseve dhe krijimin e bizneseve të reja, për të krijuar sa më shumë vende të reja të punës, në mënyrë që të rinjtë tanë mos të emigrojnë për shkak të papunësisë”, vlerëson analisti Krasniqi për Bota sot.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat